Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Mynih u takua me deputetë të Bundestagut

19 Shkurt, 2023

Mynih, 19 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, mbrëmë takoi deputetë të Bundestagut nga radhët e Partisë Social Demokrate, Partisë Liberale dhe Unionit Demokristian.

Gjermania është një vend mik dhe aleate në marrëdhënie bilaterale dhe në integrimin Evropian të Kosovës, tha kryeministri Kurti gjatë takimit me deputetët Andreas Schwarz, Wolfgang Hellmich, Ulrich Lechte, Renata Alt, Aydan Özoğuz dhe Metin Hakverd.

Kryeministri nënvizoi performancën ekonomike, përparimin demokratik, progresin në digjitalizimit të shërbimeve, politikat sociale në shërbim të qytetarëve, suksesin në luftimin e korrupsionit, si veçori që e kanë përshkuar vendin tonë në dy vitet e fundit.

Më tej citoi përfundimet e raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterëve Pa Kufi, Projekti i Drejtësisë Botërore, i Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri dhe i BE-së për Vendin për vitin 2022, të cilat dëshmojnë progresin në fushat përkatëse.

Ai po ashtu i njoftoi deputetët gjermanë që Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit. Të njëjtat shumë shpejt priten që të ratifikohen edhe në Kuvend.

Në takim u diskutua edhe për raportet me Serbinë dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim, Kryeministri Kurti ka qenë i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

 

Last modified: 19 Shkurt, 2023

Comments are closed.

×