Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi kampin e KFOR-it turk në Prizren

10 Shkurt, 2023

Prizren, 10 shkurt 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizituan kampin e KFOR-it turk në Prizren. Aty u pritën nga Komandanti i Kontingjentit Turk, Kolonel Recai Yılmaz, Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës Turke në Prizren, Celal Doğan dhe zëvendësambasdorja e Turqisë në Kosovë, Şeyda Aydın Çimenli dhe atasheu ushtarak i Turqisë në Kosovë, Kolonel Çağdaş Akif Kahraman.

Kryeministri Kurti dhe ministri Mehaj shprehën edhe një herë ngushëllimet më të thella për viktimat e tërmetit shkatërrues të së hënës.

Republika e Kosovës dhe populli i saj janë pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk, në gatishmërinë më të lartë për mbështetje.

Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësisë emergjente dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti. Ndërkaq, sonte ekipit të FSK-së në Turqi do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga garda kombëtare.

Solidarizimit dhe mbështetjes institucionale i janë bashkëngjitur edhe qytetarët e Republikës të cilët në baza vullnetare dhe humanitare kanë filluar të dërgojnë ndihma për popullit turk. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Kurti pa nga afër grumbullimin dhe paketimin e ndihmave të destinuara për zonat me më së shumti nevojë.​

 

Last modified: 10 Shkurt, 2023

Comments are closed.