Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Forumin Ekonomik Kosovë – Kroaci: Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime

26 Janar, 2023

Prishtinë, 26 janar 2023

Organizuar nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në Prishtinë u mbajt Forumi Ekonomik Kosovë – Kroaci, forumi i parë ekonomik i organizuar për këtë vit në Prishtinë.
Jemi dy vende të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, politikisht, historikisht, por edhe gjeografikisht. Ka ardhur koha që të forcojmë po ashtu edhe lidhjet tona ekonomike, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të forumit.

Kryeministri Kurti tha se bazuar në trendet e shkëmbimeve tona tregtare gjatë viteve të fundit, jemi në rrugën e duhur për të forcuar edhe më tej edhe lidhjet tona ekonomike.
Kosova paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për Investime të Huaja Direkte apo për “Business Process Outsorcing and nearshoring” për të gjithë ju, si një destinacion serioz dhe i qëndrueshëm, tha ai.
Kryeministri theksoi se kemi qëndrueshmëri në aspektin fiskal, se Qeveria jonë ndjek një politikë fiskale që shikon përpara dhe se barra e përgjithshme tatimore është ndër më konkurrueset në Evropë.

Në vitin 2022 investimet e huaja direkte në vendin tonë janë rritur për 44%, ndërsa eksportet janë rritur për 23%, e të hyrat tatimore janë rritur për 22%, tha më tej ai.
Ai bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës po zgjeron në mënyrë të qëndrueshme infrastrukturën dhe se po planifikojmë më shumë se 80 projekte publike mjedisore dhe infrastrukturore, me vlerë prej më shumë se 3 miliardë euro.

Kosova është një vend i ri dhe dinamik, plot gjallëri, me popullsi të re, e cila është mbase më e reja në Evropë, ku diku 2/3 janë më pak se sa 35 vjeç, ndërkaq mosha mesatare është 31 vjeç. Të rinjtë tanë kanë shkathtësi si në teknologji, po ashtu edhe në profesione të tjera, teksa flasin rrjedhshëm gjuhën angleze, dhe shumë prej tyre edhe atë gjermane e kroate, tha Kryeministri Kurti.

Ai shprehu mirënjohje për rolin aktiv të Kroacisë në mbështetje të Kosovës, në plotësimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare.

Kroacinë e shohim si një prej aleatëve e partnerëve më të besueshëm, dhe shpresojmë, një prej miqve tanë të cilët do të jenë të tillë edhe në fushën e ekonomisë, për një ekonomi më të fortë edhe në Kosovë edhe në Kroaci, për një të ardhme që sjell përfitime reciproke për qytetarët e dy vendeve tona, tha Kryeministri Kurti në përmbyllje.

Fjala e Kryeministrit Kurti në hapjen e Forumit Ekonomik Kosovë – Kroaci:

E nderuara ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari,
I nderuari ministër i Ekonomisë dhe i Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kroaci, z. Davor Filipović,
Të nderuar zotëri Ante Sanader, zëvendëskryetar i Kuvendit të Kroacisë, z. Hrvoje Bujanović sekretar shtetëror, z. Tonči Glavina, sekretar shtetëror,
Të nderuar ministra e zëvendësministra, e deputetë të Kuvendit të Kosovës,
E nderuara deputete nga Kuvendi i Kroacisë, znj. Emina Përlaskaj,
E nderuara ambasadore e Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës, znj. Danijela Barišić,
Të dashur mysafirë, përfaqësues të institucioneve, të bizneseve vendore të Kosovës e mike të Kroacisë,
I nderuari ambasador i Republikës së Kosovës në Zagreb, z. Martin Berishaj,
Zonja dhe Zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi e madhe të ju mirëpresim sot në Forumin e parë Ekonomik që mbahet në Prishtinë këtë vit, dhe në veçanti, një forum ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe komuniteteve tona biznesore: Forumi i parë Ekonomik Kosovë – Kroaci.
Jemi dy vende të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, politikisht, historikisht, por edhe gjeografikisht. Ka ardhur koha që të forcojmë po ashtu edhe lidhjet tona ekonomike. Pasi i shqyrtova trendet e shkëmbimeve tona tregtare gjatë viteve të fundit, ndjehem i sigurt se jemi në rrugën e duhur për ta bërë këtë, dhe duhet ta kapim këtë mundësi dhe të kemi një nisje të jashtëzakonshme në këtë vitin 2023, në të cilin porsa kemi hyrë.

Eksportet tona në Kroaci janë trefishuar, ndërkaq importet nga Kroacia janë dyfishuar. Për momentin, janë më shumë se 160 kompani kroate që po punojnë në Kosovë, me rreth 650 punëtorë.

Jam i sigurt që këto shifra vetëm sa do të rriten në javët, muajt e vitet në vijim.

Sot, Kosova paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për Investime të Huaja Direkte apo për “Business Process Outsorcing and nearshoring” për të gjithë ju, si një destinacion serioz dhe i qëndrueshëm.

Si shtet, kemi dëshmuar se jemi ndër vendet më demokratike në këtë rajon. Jemi përmirësuar për 17 vende sa i përket Lirisë së Medias, Reporterët pa kufi. Gjithashtu jemi një ndër vendet më të suksesshme në luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Për vitin e dytë me radhë, Kosova është e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe e dyta në botë për nga përmirësimi në sundimin e ligjit.

Kemi qëndrueshmëri në aspektin fiskal, me një borxh publik prej vetëm 23% të Bruto Produktit Vendor. E për më tepër, Qeveria jonë ndjek një politikë fiskale që shikon përpara. Për ju është me rëndësi ta dini se barra e përgjithshme tatimore është ndër më konkurrueset në Evropë. Me normën tatimore korporative vetëm 10% e duke mos tatimuar edhe dividentët.

Në vitin 2022 investimet e huaja direkte në vendin tonë janë rritur për 44%, ndërsa eksportet janë rritur për 23%, e të hyrat tatimore janë rritur për 22%.

Kosova është e pozicionuar në mënyrë unike në qendër të të ashtuquajturit rajon “EMENA” midis Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Kjo zonë përfshin një nga koncentrimet më të pasura në botë të mundësive për rritje. Në këtë drejtim, jemi veçanërisht të kënaqur per të parë rinisjen e fluturimeve direkte nga Zagrebi në Prishtinë.

Po e zgjerojmë në mënyrë të qëndrueshme infrastrukturën dhe ndërlidhjen tonë të transportit me rajonin. Projekte të reja do të rezultojnë në autostrada dhe hekurudha në çdo drejtim në vend. Po planifikojmë më shumë se 80 projekte publike mjedisore dhe infrastrukturore, me vlerë prej më shumë se 3 miliardë euro.

Gjithashtu, po parashohim rreth 1 miliardë euro investime në sektorin privat në burime të reja energjetike, diellore dhe të erës . Sot, nga kolegët e mi këtu prezent me ju, do të dëgjoni edhe më shumë për këtë.

Kosova është një vend i ri dhe dinamik, plot gjallëri, me popullsi të re, e cila është mbase më e reja në Evropë, ku diku 2/3 janë më pak se sa 35 vjeç, ndërkaq mosha mesatare është 31 vjeç. Të rinjtë tanë kanë shkathtësi si në teknologji, po ashtu edhe në profesione të tjera, teksa flasin rrjedhshëm gjuhën angleze, dhe shumë prej tyre edhe atë gjermane e kroate.

Kemi një sistem TVET goxha gjithpërfshirës dhe konkurrues, për shkak të investimeve substanciale dhe bashkëpunimit me organizata përkatëse donatore nga vende të zhvilluara perëndimore, si për shembull Zvicra e Gjermania. Ky mjedis ka mundësuar, që më shumë se dy dekada, krijimin e një rezerve të mirë të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Më në fund, kursimi i kostove po ashtu duhet të jetë një ndër arsyet pse duhet të mendoni të investoni ose të shfrytëzoni burime të jashtme në Kosovë. Sepse edhe sa i përkeq fuqisë punëtore, e në veçanti sa i përket qerave të hapësirave për biznes, Kosova është një vend tejet i favorshëm e i përshtatshëm.

U jemi shumë mirënjohës për rolin aktiv të Kroacisë në mbështetje të Kosovës, në plotesimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare. Ne e kemi të përbashkët të kaluarën, por gjithashtu gjithmonë do të jemi me sy nga e ardhmja zhvilluese e prosperuese për të dy vendet tona, pra edhe të ardhmen mund e do ta kemi të përbashkët.

Kemi arritur shumë suksese në vetëm dy vite të qeverisjes dhe tani është koha e duhur për rritjen e Investimeve të Huaja Direkte dhe të eksporteve tona. Kroacinë e shohim si një prej aleatëve e partnerëve më të besueshëm, dhe shpresojmë, një prej miqve tanë të cilët do të jenë të tillë edhe në fushën e ekonomisë, për një ekonomi më të fortë edhe në Kosovë edhe në Kroaci, për një të ardhme që sjell përfitime reciproke për qytetarët e dy vendeve tona. Potenciali ynë i përbashkët është i madh, vullneti e angazhimi nuk mungon, andaj le ta shtojmë dhe le ta rrisim edhe më tej këtë komunikim e këtë ndërveprim për të mirën e të dyja vendeve.

Ju uroj qëndrim të këndshëm në Republikën e Kosovës, në Prishtinë dhe gjithandej ku do të mund të vizitoni këto ditë. Por para se gjithash ju uroj diskutime të frytshme sot, drejt synimeve për Kosovën dhe për Kroacinë, që të jemi edhe më të fuqishëm së bashku në të ardhmen.

Ju falemnderit e mirë se erdhët edhe një herë.

Last modified: 26 Janar, 2023

Comments are closed.

×