Zyra e Kryeministrit

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në pritjen e organizuar nga Kryeministri për nder të Ditës së Flamurit Kombëtar

28 Nëntor, 2022

Prishtinë, 28 nëntor 2022

Nga Madridi në Tiranë, nga Tirana në Kukës, nga Kukësi në Vlorë, nga Vlora në Prishtinë, këto ishin tri ditët e mia të fundit. Dje dhe sot në Shqipëri, e sonte në Kosovë, po e kremtojmë 28 Nëntorin, këtë festë të shumëfishtë, e me kuptim të shumëfishtë të kombit shqiptar.

28 Nëntori, është data e ardhjes së Skënderbeut në Krujë, me flamurin e kuq e shkabën e zezë dykrenare në mes. 28 Nëntori, është data e Ismail Qemalit në Vlorë, e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në prag të luftërave ballkanike dhe 28 Nëntori, është data e Adem Jasharit në Prekaz,  e kryengritjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për liri, për pavarësi e për bashkim.

Andaj, të nderuar pjesëmarrës, znj. Presidente Osmani, ministra e deputetë, shkëlqesi ambasadorë, udhëheqës institucionesh, profesorë e intelektual, artistë e aktivistë, gazetarë e sportistë, zonja dhe zotërinj,

Ju faleminderit që keni ndarë kohën, dikush të punës e dikush të pushimit, për t’na bërë bashkë në një ditë kaq të veçantë e të rëndësishme për neve.

Sot kujtojmë të arriturat dhe sukseset, por sot përkujtojmë edhe çmimin e paguar dhe sakrificën e bërë. Është e panumërt lista e figurave dhe personaliteteve historike që i lidh 28 Nëntori. Lista e atyre grave dhe burrave që u vetmohuan e kontribuan që ne të jemi dhe të jetojmë, të jemi të lirë dhe të jetojmë më mirë.

Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë shumë histori që u vie prapa, dhe shumë sfida që i presin përpara. Mirëpo me punë të pandalshme dhe angazhim të paepur, me orientim të palëkundur evropian e euroatlantik, sigurisht se bashkë do të fitojmë.

Shqiptarët janë komb liridashës dhe popull demokratik, janë faktor i paqes, zhvillimit dhe i sigurisë në Ballkan dhe në Evropë. Ne e duam kombin tonë dhe nuk e urrejmë asnjë komb tjetër. Pakicave kombëtare ua garantojmë të drejtat, ua dëgjojmë kërkesat, ua respektojmë dallimet e ua trajtojmë nevojat.

E duam fort gjuhën tonë shqipe, sepse jemi komb i gjuhës dhe sepse shqipja është e bukur, por i mësojmë edhe gjuhët e të tjerëve, sepse duam bashkëpunim me kombet tjera e ndërveprim me kulturat e tjera.

Historia jonë nuk është e pushtimeve dhe e sundimeve të tokave të huaja por e mbrojtjes dhe e rezistencës në tokat tona.

Fuqia jonë gjithmonë ka buruar nga e drejta dhe drejtësia.

Kurrë nuk kemi luftuar për të pushtuar të tjerët, por vetëm për të çliruar veten. Njësoj kurrë nuk do të punojmë për të përjashtuar të tjerët por veçse për të përparuar veten.

Mundësitë i kemi më të mëdha sesa realitetin, andaj le ta përmirësojmë realitetin duke mirëpërdorur mundësitë.

Lirinë për të cilën kemi luftuar e duam dhe e mbrojmë me demokraci dhe bashkim, me mirëqenie e barazi.

Sivjet festojmë 110 – vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ndërkaq në vitin e ardhshëm festojmë 15 – vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, 25 – vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 150- vjetorin e lindjes së Hasan Prishtinës dhe 80 – vjetorin e Konferencës së Bujanit.

Gëzuar 28 Nëntori, për jetë e mot! Ndërkaq sonte ju dëshiroj një mbrëmje të këndshme me zërin magjik të kuartetit “Zanat”, të cilat i falënderoj përzemërsisht. Urime.

 

Last modified: 28 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×