Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Republika e Estonisë, mike dhe partnere strategjike për Republikën e Kosovës

18 Nëntor, 2022

Talin, Estoni, 18 nëntor 2022

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas:

E nderuar Kryeministre Kallas,
Zonja dhe zotërinj,

Ju faleminderit Kryeministre Kallas për ftesën dhe mirëpritjen tuaj në këtë vizitë të parë timen dhe delegacionit tonë, si Kryeministër dhe si qeveri e re e Republikës së Kosovës.

Republika e Estonisë është mike dhe partnere strategjike për Republikën e Kosovës. Ne ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

Me kryeministren kemi diskutuar tema të rëndësishme për të dy vendet tona, por edhe për kontinentin tonë.

Folëm për luftën në Evropë, gjegjësisht pushtimin dhe agresionin e paprovokuar dhe pajustifikuar ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe implikimet e saj globale, me fokus të veçantë në Estoni si dhe në Kosovë.

Republika e Kosovës e ka dënuar ashpër pushtimin që nga dita e parë dhe ne solidarizohemi me popullin dhe shtetin e Ukrainës, duke vendosur sanksione në përputhje me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më lejoni të shpreh edhe një herë vlerësimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë përgjatë fazave tona të shtetndërtimit, veçanërisht në avancimin e Kosovës drejt integrimit në BE.

Qeveria e Kosovës vlerëson mbështetjen e Republikës së Estonisë për liberalizimin e vizave si dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Integrimin në BE dhe NATO e konsiderojmë si një proces të natyrshëm që bazohet në orientimin strategjik të Kosovës. Ne synojmë të fillojmë procesin e aplikimit për statusin e vendit kandidat dhe mbështetja e Estonisë në këtë drejtim do të vlerësohet shumë.

Dy vendet tona, Kosova dhe Estonia, kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe si dhe një të kaluar të ngjashme historike. Prandaj, Republika e Kosovës e merr seriozisht modelin estonez në shumë aspekte të shtetndërtimit, veçanërisht në lidhje me kapacitetet institucionale në reformën e administratës publike. Duhet të kemi një shtet të fortë dhe demokratik. Ne kemi shumë për të mësuar nga përvoja e suksesshme estoneze në qeverisjen digjitale.

Jemi shumë të lumtur që tashmë kemi krijuar bashkëpunim me Akademinë Estoneze për e-Qeverisje (eGA). eGA është duke ndihmuar në zhvillimin e strategjisë sonë të re të e-Qeverisjes, e cila do të shërbejë si një udhërrëfyes për transformimin digjital në qeverinë tonë.

Me kryeministren Kallas fola për progresin e Kosovës në një vit e gjysmë që po qeverisim dhe rezultatet që kemi arritur në zhvillimin e ekonomisë, por edhe në përmirësimin e të gjithë treguesve të demokracisë.

Ne kemi treguar se demokracia dhe progresi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës. Sepse ka disa fuqi autokratike dhe superfuqi që duan të tregojnë se zhvillimi nuk ka nevojë për demokraci, por në fakt ka nevojë.

Natyrisht, thelbësor për demokracinë është parimi i lidhur ngushtë i shtetit të së drejtës. Vitin e kaluar, ne u përmirësuam me 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe 17 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror të Reporterëve pa Kufij. Dhe ne jemi numër një në rajonin e Ballkanit për sa i përket sundimit të ligjit, sipas World Justice Project.

Kemi bërë përpjekje të mëdha për të forcuar sundimin e ligjit dhe kemi arritur të luftojmë kontrabandën, krimin dhe korrupsionin.

Po ashtu, kemi nisur reformat në sektorin e administratës dhe drejtësisë dhe së fundmi kemi hapur Gjykatën Komerciale për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes bizneseve në kohë rekord. Progresi ynë në demokratizim është në përputhje të plotë me përparimin tonë ekonomik. E gjithë kjo ka ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të mirë për të bërë biznes në Kosovë. Dhe mezi pres të rrisim bashkëpunimin tonë ekonomik dhe shkëmbimin tregtar.

Potenciali ekonomik, kapitali njerëzor i arsimuar, popullata e re dhe e talentuar, klima e favorshme e biznesit dhe pozita e favorshme gjeostrategjike e bëjnë Kosovën një vend shumë tërheqës për investime të huaja direkte.

Dhe qeveria jonë demokratike e bën Kosovën faktor sigurie dhe paqeje e stabiliteti në rajon.

Ne jemi të përkushtuar fuqishëm për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe Kosova e ka dëshmuar veten si partner i besueshëm dhe aleat besnik i të gjitha shteteve demokratike.

Faleminderit sërish kryeministre Kallas dhe jam shumë i lumtur të ju mirëpres në Prishtinë.

 

Last modified: 18 Nëntor, 2022

Comments are closed.