Prishtinë, 7 nëntor 2022
Kryeministri Kurti zhvilloi bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë së cilës diskutuan për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend.
Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Stoltenberg me mbarëvajtjen e punës së institucioneve, teksa theksoi se nga fillimi i zbatimit të shkallëzuar të vendimit për targa, nuk është shënuar asnjë incident apo pranuar asnjë ankesë edhe pse janë lëshuar 856 vërejte për vozitësit e veturave me targa ilegale.
Ai tha se bojkoti i ditëve të fundit është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Kurti e siguroi Sekretarin Stoltenberg se Qeveria dhe Institucionet e Kosovës si gjithmonë do bashkëpunojnë, komunikojnë dhe bashkërenditen ngushtë me aleatët dhe partnerët e saj.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për vlerat demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, të pluralizmit politik, të paqes e të sigurisë, u shpreh kryeministri Kurti.
Last modified: 7 Nëntor, 2022