Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Nuk mund te kemi progres, pa pjesëmarrje të grave dhe të rinisë në procese vendimmarrëse

26 Tetor, 2022

 

Prishtinë, 26 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ftuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, mori pjesë si folës në konferencën me temë “Perspektivat dhe sfidat e përfshirjes dhe promovimit të grave dhe të rinisë në strukturat partiake dhe vendimmarrëse”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar të pranishëm,
zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar me ftesën nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, për këtë konferencë në të cilën do të flasim për “Perspektivat dhe sfidat e përfshirjes dhe promovimit të grave dhe të rinisë në strukturat partiake dhe vendimmarrëse”.

Njëherit, jam i lumtur që kjo konferencë ka rastisur të mbahet tri ditë pas përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor në subjektin politik që unë e udhëheqë, në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe po e përmend këtë, përveç tjerash, për shkak se kemi themeluar dy organe shumë të rëndësishme, Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE!.

Ne besojmë se pa pasur pjesëmarrje të grave dhe të rinisë në proceset vendimmarrëse, nuk mund të kemi progres. Gratë dhe rinia janë shumica, porsi demokracia. Pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në proceset shoqërore dhe politike është kyçe për zhvillim të mëtutjeshëm, për progres të qëndrueshëm.

Më duhet paraprakisht ta përmend që më gëzon fakti që të dielën që shkoi, 40% e anëtarëve të kryesisë në subjektin tonë janë gra, pra 9 nga 23.

Më gëzon poashtu se kjo ka ndodhur pa kuotë, e poashtu një nga nënkryetarët e Lëvizjes është grua, kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm është gjithashtu grua, që është organi më i lartë i Lëvizjes sonë, drejtuesja e Komiteteve profesionale është grua dhe për herë të parë i kemi tri qendra në të cilat udhëheqëset janë gra, tri degë të subjektit tonë politik.

Në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, nga votat e përgjithshme për Lëvizjen, 62 % e tyre kanë qenë gra dhe vajza. Gjithashtu si asnjë herë më parë në historinë e Kuvendit, të gjitha gratë deputete nga radhët e grupit tonë parlamentar, kanë fituar mandatet pa nevojën e kuotës gjinore. Mirë që është kjo masë afirmative, por shumë më mirë që nuk ka pasur nevojë për të.

Kjo më së shumti na ka bërë që të reflektojmë edhe mënyrat se si e adresojmë rritjen e pjesëmarrjes së grave në subjektin tonë. Dhe rrjedhimisht kemi krijuar organizatën Gratë për VETËVENDOSJE!, ku në radhë të parë do të angazhohemi për rritjen e anëtarësisë së grave në Lëvizje, e cila nuk është 62%, siç e dimë. Dhe nuk do të hezitojmë që kudo ku ka mundësi tërë kohën, t’i inkuadrojmë gratë dhe vajzat në organet vendimmarrëse, sepse nuk mjafton anëtarësimi pa pjesëmarrje, dhe nuk mjafton pjesëmarrja, nëse nuk është active.

Po e shtojmë punën që përmes përfshirjes së grave dhe vajzave të ndikojmë në politika feministe, që prekin direkt vajzat dhe gratë, e që zhvillojnë aktivitete për t’i fuqizuar solidaritetin gjinor e barazinë e plotë ndërmjet burrave dhe grave.

Jam i vetëdijshëm se rritja e anëtareve gra nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë për vetë gratë. Për ta jetësuar këtë, nëpërmjet GVV-së, por jo vetëm, synojmë që të takojmë sa më shumë gra e vajza. Qofshin në fshat apo qytet, të papuna a me vend pune, e sidomos në vende pune ku atyre iu shkelen të drejtat, e mund edhe t’iu cenohet dinjiteti njerëzor. Vetëm kështu mund të kuptojmë më afër e më drejtë problemet me të cilat ato ballafaqohen dhe t’ju ndihmojmë që t’i tejkalojnë suksesshëm ato.

Madje ne kemi shembuj të shumë grave, që përkundër sfidave me të cilat janë përballur, ato ia kanë dalë që të triumfojnë mbi dhimbjet. Qoftë me kontributin e tyre para luftës, gjatë e pasluftës, angazhimin në organizatat e shoqërisë civile dhe në rolet e tyre kudo, në shërbim të barazisë e të drejtësisë.

Andaj edhe Gratë për VETËVENDOSJE! Paraqesin një organizim që ne besojmë që do ta shtojë intensitetin e angazhimit për avancimin e të drejtave të grave.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës, sigurisht që jemi më progresivja që ka ekzistuar ndonjëherë. Vetëm brenda këtij 1 viti e gjysmë në qeverisje ne kemi ndërmarrë shumë masa, veprime e vendime që mbështesin direkt vajzat dhe gratë dhe që i shërbejnë barazisë.

Ne nuk mund të bëjmë për gratë nga pozicioni i Qeverisë e të mos e bëjmë këtë nga pozicioni i partisë. Njëra na e obligon tjetrën drejt një sforcimi të vazhdueshëm të njëra tjetrës.

Kështu me masën 1.3 Mbështetja e punësimit të grave në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, kemi pasur 3571 punëtore përfituese dhe 1490 biznese përfituese.

Me masën 2.1.2, Mbështetja e bizneseve që janë në pronësi të grave, pra jo vetëm aty ku punojnë gratë, po aty ku gratë janë edhe pronare, deri më tani në kuadër të kësaj mase kemi pasur 43 aprovime, në total vlera e subvencionimit është mbi 491 mijë euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar është mbi 3 milionë euro.

Masa 3.5 Shtesat për Fëmijë dhe Shtesat për Lehona: Që nga fillimi i skemës së Shtesave deri më tani, kemi rreth 200 mijë përfituese nga Shtesat për Fëmijë dhe mbi 23 mijë përfituese nga Shtesat për Lehona, sepse ne mjetet i bartim tek nëna, konsiderojmë që është edhe më e drejtë edhe më e dobishme.

Kemi mbështetje financiare për Strehimoret që në kuadër të tyre ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe të dhunës mbi bazë gjinore, në proces të mbrojtjes sociale dhe ri-integrimit të tyre.

Ministria e Financave ka realizuar marrëveshje profesionale për mbrojtjen dhe strehimin e viktimave të dhunës në familje me dhjetë strehimore në nivel nacional të cilat janë;

Për vitin 2021, për 10 strehimoret shuma e mbështetjes ka qenë 545 mijë euro; ndërkaq shuma e mbështetjes në këtë vit është 400 mijë euro.

Për vitin akademik 2021/2022, janë ndarë bursat STEM, gjithsej 1365 bursa, ku 812 përfituese kanë qenë vajza/gra dhe 553 kanë qenë djem.
Janë dhënë 14 bursa për studentë me nevoja të veçanta me vlerë prej 700 euro, 13 vajza dhe një djalë.
Janë përkrahur 10 vajza për bursë të doktoraturës.

Po ashtu sa i përket ndarjes së subvencioneve në bujqësi, për vitin e kaluar janë 1325, gra përfituese.

Reformat që i kemi nisur në sistemin e drejtësisë do të ketë ndikim sidomos tek vajzat dhe gratë, sepse pas jetësimit të reformës, gratë nuk do të presin me vite të tëra për një vendim që lidhet me trashëgiminë, pronën, divorcin, kujdestarinë ndaj fëmijëve, apo mbrojtjen e dinjitetit të tyre në rastet kur kemi dhunë fizike, psikike, seksuale apo materiale ndaj tyre.

Për adresimin e politikave kundër dhunës në familje, deri tani:

– e kemi miratuar Strategjinë Nacionale kundër dhunës në familje,
– kemi funksionalizuara grupin ndërministror kundër dhunës në familje
– kemi ndihmuar Kuvendin në hartimin e ligjit kundër dhunës në familje
– dhe këtë vit kanë hyrë në fuqi ndryshimet që kanë të bëjnë me ofrimin e ndihmës juridike falas për vajzat dhe gratë viktima të dhunës, sepse shpeshherë gratë dhe vajzat kur janë viktima të dhunës gjithashtu edhe janë në pozitë materiale më të vështirë dhe nuk mund të kenë mbrojtje të duhur në procese të ndryshme dhe të drejtësisë.
– kemi eliminuar procedurat burokratike për kompensimin e viktimave të dhunës
– për herë të parë po hartohet protokolli shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale
– dhe për herë të parë duke u hartuar dokumenti për trajtimin e dhunuesve,

Kemi bërë ndryshimet në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, ashtu që në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunimit seksual, atëherë:
– do t’i ndalohet punësimi në institucione publike,
– do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror nuk mund të përfaqësojë dikë ai
– do t’i merret leja e vozitjes
– nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit
– trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjas më shumë se sa 1 vit si dhe
– emrat e dhunuesve do të publikohen në faqen zyrtare të KGJK-së

Gjithçka në funksion të asaj që drejtësia të jetë jo vetëm për viktimat aktuale e të shkuarës, po edhe parandaluese për viktimat në të ardhmen.

Andaj edhe në subjektin tonë ne besojmë që të arriturat në Qeveri, ndryshimet që i kemi bërë duhet të reflektohen me më shumë organizim dhe GVV-ja do ta bëjë intensitetin e angazhimit dhe të kontributit për avancimin e të drejtave të grave.

Sikurse edhe me themelimin e Rinisë për VETËVENDOSJE!, ku përveç që po i kushtohet vëmendje e veçantë grupmoshave të reja, edhe organizata jonë e fiton mundësinë për organizim e strukturim më të detajuar. Pra ne kemi shumë anëtarë të rinj, por përmes Rinisë së subjektit që ka strukturë të veçantë synojmë kanalizimin e energjisë së rinisë në mënyrë që ajo të mos jetë vetëm anëtare, por që ky formacion të kultivojë angazhim edhe më intensiv të rinisë në politikë.

Nga grupi ynë parlamentar nëse nuk gaboj i kemi 4 deputetë që janë më të rinj se sa 30 vjeç, ndërkaq kryetari i zgjedhur i RVV-së, automatikisht anëtar i kryesisë me 23 anëtarë.

Mosha mesatare në Kosovë është 31 vjeç dhe kjo ka bërë që në subjektin tonë organizata e rinisë t’i mbledhë grupmoshat prej 16 deri 29. Pra, kujt t’i del 3 përpara vjen te unë mandej.

Të rinjtë pra duhet ta kenë strukturën e tyre të veçantë, ku mund t’i adresojnë shqetësimet e brengat e tyre, të diskutojnë mbi interesat e kërkesat që kanë dhe të debatojnë rreth zgjidhjeve.

Të rinjtë e të rejat e subjektit tonë, do të kenë mundësinë që bashkërisht të krijojnë modele për nxitjen e përfshirjes së rinisë në jetën politike dhe qytetare. Krijimi i hapësirës për ta garanton që edhe ne, t’i kuptojmë më afër problematikat për zgjidhjen e të cilave duhet të punojmë të gjithë, bashkë.

Dhe nga përvoja politike është vërtetuar që kur të rinjtë diskutojnë me njëri tjetrin hapin më shumë tema dhe thellohen më shumë në diskutime të cilat përndryshe nuk do t’i bënim në forumet e përgjithshme, në organet e përgjithshme të partisë politike.

Përmes RVV-së, të rinjtë e të rejat jo vetëm që do të kenë mundësinë të rriten e të zhvillohen politikisht, por edhe do të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe e përfaqësimit.

Të nderuar të pranishëm,

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, bazuar në programin tonë qeverisës ritheksoj mbështetjen time të pakursyer për fuqizimin e rolit të grave dhe rritjen e pjesëmarrjes aktive të tyre, ndërkaq si kryetar i Lëvizjes, bazuar edhe në platformën time, do të punoj që Lëvizja jonë, të jetë parti e hapur për të dyja gjinitë, për vajzat e për gratë, njashtu sikurse edhe për djemtë e për burrat.

Sepse siç e themi ne nuk ka vetëvendosje pa gratë dhe rininë. Asnjë përparim e asnjë fitore, nuk është shënuar pa marrë pjesë edhe gratë edhe rinia.

Ju faleminderit shumë për mundësinë dhe ju dëshiroj diskutime të frytshme e suksese gjithnjë më të mëdha në të ardhmen.

Last modified: 27 Tetor, 2022

Comments are closed.

×