Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Presidentin e Republikës së Maltës, George Vella

23 Tetor, 2022

Prishtinë, 23 tetor 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në ndërtesën e Qeverisë, Presidentin e Republikës së Maltës, George Vella, i cili po qëndron një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Teksa i uroi mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mbështetjen në kohë të vështira për vendin dhe mirënjohës për njohjen, përkrahjen në organizata ndërkombëtare, në veçanti gjatë procesit të anëtarësimit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Maltës me Republikën e Kosovës.
Ai e njoftoi Presidentin Vella për qeverisjen dhe progresin në vend, indikatorët ekonomikë dhe arsyet se pse Kosova paraqet mundësi të mirë për investitorë të huaj. Duke iu referuar të dhënave mbi trendin pozitiv të eksporteve, kryeministri Kurti tha se Kosova synon të bëhet ekonomi dhe vend i orientuar drejt eksportit, ndërkaq duke iu referuar raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterëve pa Kufi dhe Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP) tha se imazhi i vendit është përmirësuar shumë. Kryeministri shtoi se marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Maltës duhet të shoqërohen me bashkëpunim edhe më të shtuar në fushën e ekonomisë dhe të shkëmbimeve tregtare, teksa theksoi edhe rolin e rëndësishëm që Malta mund ta luajë në raport me disa shtete mos-njohëse dhe integrimin e mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Presidenti Vella u shpreh falënderues për mikpritjen. Tha se mbështetja e Maltës për Kosovën ka qenë përherë e sinqertë dhe se do të vazhdojë të jetë e tillë edhe më tej. Ajo mbështetë plotësisht perspektivën evropiane të Kosovës, konsideron se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe është e gatshme që të ndihmojë Kosovën në anëtarësimin e mëtutjeshëm në organizata ndërkombëtare dhe me vendet mos-njohëse. Marrëdhëniet tona dypalëshe nuk kanë kufij, u shpreh Presidenti Vella.
Në takim gjithashtu u fol edhe për bashkëpunimin rajonal, Procesin e Berlinit, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ballafaqimin me krizën evropiane energjetike dhe sigurinë e rajonit e të kontinentit pas agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Last modified: 23 Tetor, 2022

Comments are closed.

×