Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Institucionet të jenë të pa kompromis në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore

18 Tetor, 2022

Prishtinë, 18 tetor 2022

Dita e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit, na shërben jo vetëm të kujtojmë e të nderojmë viktimat e trafikimit, por më shumë të kujtojmë e të zotohemi, bashkë të gjithë, për nevojën për ta çrrënjosur këtë formë të krimit anë e mbanë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në shënim të kësaj dite.

Kryeministri theksoi se si Qeveri e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë, duhet punuar për të përmirësuar gjendjen, veçanërisht në lidhje me identifikimin pro-aktiv të viktimave, duke siguruar ndihmë e mbështetje, si dhe duke rritur ndjekjen dhe dënimin meritor të autorëve të krimit.

Vetëm këtë vit kemi 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, prej të cilave 11 nën moshën 18 vjeçare. 11 nga viktimat janë shfrytëzuar në prostitucion të detyruar, 3 për punë të detyruar dhe 1 për kërkim-lëmoshë, tha kryeministri. Ai shtoi se si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë, vajza e djem të ri.

Kryeministri Kurti theksoi se luftimi i këtij krimi është urgjent dhe i domosdoshëm dhe se institucionet duhet të jenë të pa kompromis në luftimin e kësaj dukurie.

Ai tha se detyrë e Qeverisë mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, sikurse që janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit dhe i vetëdijes. Për këtë, si Qeveri e Kosovës, kemi projekte e plane konkrete të investimit në ekonomi dhe në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë, e në veçanti për grupet më të cenueshme, si: fëmijët, komunitetet e margjinalizuara të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, personat LGBTQI+, migrantët, azilkërkuesit e refugjatët, të cilët janë në rrezik më të madh ndaj trafikimit.

Kryeministri vlerësoi angazhimin e Policisë së Kosovës në identifikimin e grupeve kriminale për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, që ka shënuar progres. Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre (trafikim, mundësim dhe marrje me prostitucion etj.), janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz, janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë.

Në shënim të kësaj dite, Ministria e Punëve të Brendshme lansoi fushatën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Krahas Kryeministrit Kurti, në këtë ceremoni morën pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu, ushtruesi i detyrës i Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe njëherazi zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z.Blerim Gashani, si dhe përfaqësues të lartë të Kryeprokurorisë së shtetit, drejtorisë së Policisë së Kosovës, Bashkimit Evropian, Këshillit Evropian, ambasadës amerikane, organizatës IOM si dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës.

Fjala e Kryeministrit Kurti në shënim të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuar Ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari Koordinator Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe njëherazi zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani,
Të nderuar zëvendësministra të Qeverisë sonë, z.Vokrri dhe z.Berisha,
Të nderuar përfaqësues të ambasadave, institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,
Zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar të jem pjesë e Shënimit të kësaj dite, Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit, si një ditë që na shërben, jo vetëm të kujtojmë e të nderojmë viktimat e trafikimit, por më shumë të kujtojmë e të zotohemi, bashkë të gjithë, për nevojën për ta çrrënjosur këtë formë të krimit anë e mbanë.

Sot, bashkë bëjmë thirrje për më shumë punë e bashkërendim, me qëllim të luftimit, parandalimit, e në veçanti të mbrojtjes së viktimave të trafikimit.

Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, ndër vite, kanë punuar ngushtë dhe me partnerët ndërkombëtarë, si në avancimin e kornizës ligjore dhe përafrimin e saj me Bashkimin Evropian, përmbushjen e standardeve për eliminimin e trafikimit, si dhe në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore e njerëzore. Përkundër progresit të arritur, mbetet edhe shumë punë për t’u bërë.

Vetëm këtë vit kemi 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, prej të cilave 11 nën moshën 18 vjeçare. 11 nga viktimat janë shfrytëzuar në prostitucion të detyruar, 3 për punë të detyruar dhe 1 për kërkim-lëmoshë.

Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë, vajza e djem të ri. Prandaj, luftimi i këtij krimi është urgjent dhe i domosdoshëm.

Trafikimi i qenieve njerëzore përbën shkelje të dinjitetit dhe të lirive themelore të njeriut, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Lirive Themelore të Njeriut.

Eliminimi është i vështirë, por angazhimi i Qeverisë së Kosovës është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e të gjitha standardeve që kërkohen. në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. Gjithashtu duke adresuar edhe rekomandimet e raporteve të ndryshme, e që, kryesisht, bëjnë thirrje për hetim dhe dënim të merituar për trafikantët, por dhe për zyrtarët e përfshirë në trafikim.

Institucionet duhet të jenë të pa kompromis në luftimin e kësaj dukurie. Viktimat janë vendëse e të huaja, të cilat trafikohen me premtime për martesë e punësim, si valltare dhe këngëtare, dhe i detyrojnë ato për trafikim seksual në shtëpi, apartamente private, klube nate e sallone masazhi.

Detyrë e jona si Qeveri mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, sikurse që janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit dhe i vetëdijes. Për këtë, si Qeveri e Kosovës, kemi projekte e plane konkrete të investimit në ekonomi dhe në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë, e në veçanti për grupet më të cenueshme, si: fëmijët, komunitetet e margjinalizuara të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, personat LGBTQI+, migrantët, azilkërkuesit e refugjatët, të cilët janë në rrezik më të madh ndaj trafikimit.

Padyshim që, edhe këtë vit, angazhimi i Policisë së Kosovës në identifikimin e grupeve kriminale për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, që ka shënuar progres. Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre (trafikim, mundësim dhe marrje me prostitucion etj), janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz, janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë.

Ka shumë punë përpara për të luftuar trafikantët dhe për të mbrojtur viktimat, por edhe për të shtuar kapacitetet tona në identifikimin e grupeve kriminale.

Si Qeveri e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë, duhet të punojmë që të përmirësojmë këtë gjendje, veçanërisht në lidhje me identifikimin pro-aktiv të viktimave, duke siguruar ndihmë e mbështetje, si dhe duke rritur ndjekjen dhe dënimin meritor të autorëve të krimit.

Prandaj, sot dua ta përfundoj këtë adresim, duke bërë thirrje për më shumë punë e angazhim për qëllimin tonë të përbashkët, parandalimin dhe luftimin e rreptë të trafikimit me qenie njerëzore.

Ju faleminderit!

Last modified: 18 Tetor, 2022

Comments are closed.

×