Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák

13 Tetor, 2022

 

Prishtinë, 13 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.

Në takim u bisedua për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel, dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke.

Gjatë takimit u potencua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i pranuar dje, si dukshëm më i mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon. U tha se ky raport tregon qartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën e BE-së dhe dëshmon arritjet e shënuara në shumë fusha, që kanë kaluar një hap më lart në shkallët e progresit.

U bisedua për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës.

 

Last modified: 13 Tetor, 2022

Comments are closed.