Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti viziton ShSKUK-në, ofron mbështetjen e tij për këtë institucion

10 Tetor, 2022

Prishtinë, 10 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mëngjesin e sotëm, vizitoi Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). I shoqëruar nga ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ai u prit nga ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi, Kryesuesja e Bordit Drejtues të këtij institucioni, Aida Rexhepi dhe Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija.

Kryeministri Kurti fillimisht përgëzoi stafin e ShSKUK-së për shërbimet që ofron për pacientët anë e mbanë pa asnjë diskriminim. Gjatë takimit u diskutua për punën dhe sfidat e këtij institucioni si dhe nevojën për investimet në infrastrukturë.

ShSKUK ofron shërbime për qytetarë të Republikës anë e mbanë pa diskriminim. Ky institucion në mënyrë të rregullt furnizon me barna 16 mijë e 500 pacientë me sëmundje kronike dhe me tri lloje të insulinave 15 mijë e 231 pacientë me diabet. Në të njëjtën kohe, përveç në Qendrën Klinike Universitare, kujdeset për mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor nëpër spitalet rajonale.

Ai tha se ShSKUK-ja furnizon me barna nga lista esenciale 70 për qind, me material shpenzues 90 për qind dhe se mbetemi të përkushtuar që ta rrisim edhe rregullin e disiplinën por edhe shërbimin që të shkojmë drejt 100 për qindëshit. “Pra jemi të vendosur të punojmë bashkë edhe mirë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Me këtë vizitë, ai shprehu mbështetjen e tij për ShSKUK-në, për ushtruesen e re të drejtores së ShSKUK-së, Dr. Pranvera Zejnullahu – Raçi, por edhe për Drejtorin e Njësisë së Auditimit, z. Musa Vitija, të cilit dy herë radhazi i është djegur vetura në oborrin e ShSKUK-së.

Duke folur për djegien e veturës së z. Vitija, kryeministri Kurti tha se gjetjet e sakta të auditimit nga drejtori i kësaj Njësie, ku janë evidentuar shkelje, duket që i ka shqetësuar të korruptuarit, të cilët janë fort të brengosur se si do të vijohet më tej me procedimin e këtyre shkeljeve. Kryeministri e përgëzoi z. Vitija për kurajën, që të dalë në punë edhe pas këtyre sulmeve.

Në të njëjtën kohë, kryeministri Kurti shprehu dhe indinjatën e tij për dy kompani, të cilat nuk ishin në nivel të detyrës. Bëhet fjalë për kompaninë e sigurimit fizik “Security Code” dhe kompaninë “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e hapësirave të oborrit nëpërmjet kamerave, që në ditën kur u dogj vetura e drejtorit Musa Vitija, nuk ishin në funksion.

Kryeministri Kurti tha se njerëz si Musa Vitija, i cili dy ditë pas djegies së veturës kthehet në punë, i duhen shtetit. “Këta janë ata zyrtarët, të cilët e shërbejnë qytetarin dhe e mbrojnë republikën”, shtoi kryeministri Kurti, i cili u zotua se do të bëjnë gjithçka që munden e dinë në mënyrë që rastet e tilla jo vetëm të mos përsëriten, por edhe ata kriminelë, të cilët e dogjën veturën në oborr të spitalit, të shkojnë në burg.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu- Raçi u shpreh se ndjehen të nderuar me vizitën e kryeministrit Kurti dhe e shohin këtë vizitë si shenjë përkrahje për punën e deritanishme dhe mbështetje për ato që mëtojmë t’i bëjnë. Ajo po ashtu e falënderoi kryeministrin edhe për mbështetjen në raport me rastin që ndodhi të premten e kaluar. Në lidhje me këtë, ushtruesja e detyrës së drejtores së ShSKUK-së tha se ka kërkuar nga persona kompetent, që kanë në varësi shërbimet teknike, raport të detajuar për të gjitha hallkat e dështimit, si dhe ka kërkuar që brenda javës të merren masa urgjente për sigurinë e objekteve. Më tej, zonja Zejnullahu-Raçi tha se gjatë takimit që u zhvilluar sot, kryeministri Kurti u njoftua për veprimet dhe përpjekjet që të vendoset rend në klinika dhe të përmirësohen shërbimet shëndetësore.

Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti pas vizitës në ShSKUK:

Sot vizitova Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës i cili ofron shërbime për qytetarët e Republikës, për pacientët anë e mbanë pa diskriminim. Në mënyrë të rregullt vazhdojnë që 16 mijë e 500 pacientë me sëmundje kronike t’i furnizojnë me barna dhe gjithashtu 15 mijë e 231 pacientë me diabet me tri llojet e insulinave. Në të njëjtën kohë kujdesen për mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor nëpër spitalet rajonale përveçse në Qendrën Klinike Universitare, këtu. Vizita ime është për të shprehur mbështetjen time për ushtruesen e re të drejtores së ShSKUK-së, Dr. Pranvera Zejnullahu Raçi, dhe gjithashtu kjo vizitë është bashkë edhe me ushtruesen e detyrës së Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha Bunjaku dhe me zëvendësin tjetër Dr. Arsim Berishën si dhe me kryetaren e bordit të ShSKUK-së, Dr. Aida Namani Rexhepi por ju të gjithë e vëreni që bashkë me neve këtu është edhe zotëri, Musa Vitija i cili është Drejtor i Njësisë për Auditim e të cilit të premten për herë të dytë iu dogj vetura në oborrin e ndërtesës. Herën e parë më 19 gusht i është djegur vetura të njëjtit zyrtar dhe tash po i digjet vetura për herë të dytë këtij drejtori i cili me raportet e sakta të auditimit, ku ka gjetur shkelje, duket që i ka shqetësuar të korruptuarit të cilët janë fort të brengosur se si do të vijohet më tej me procedimin e këtyre shkeljeve.

Drejtori i Njësisë së Auditimit në ShSKUK, zotëri Musa Vitija është në këtë funksion që nga viti 2007, pra plot 15 vjet. Ky e njeh shumë mirë sistemin dhe nuk bëhet fjalë për gabime por bëhet fjalë për shkelje, të cilat janë të evidentuara dhe tash ne i ftojmë organet përgjegjëse të Republikës sonë që t’i vazhdojnë hulumtimet e hetimet për t’i ndjekur e përfundimisht edhe dënuar keqbërësit. Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër shpreh mbështetjen time të plotë për Drejtorin e Auditimit këtu në ShSKUK, zotëri Musa Vitinë dhe gjithashtu zotohemi që do të bëjmë gjithçka që mundemi e dimë në mënyrë që rastet e këtilla jo vetëm të mos përsëriten por edhe ata kriminelë, të cilët e dogjën veturën në oborr të spitalit, të shkojnë në burg. Kriminelët duhet të shkojnë në burg.

Nuk mundesh Drejtorit të Auditimit t’ia djegësh veturën në oborr të spitalit. E me këtë rast, nga biseda që patëm, me lejoni të shpreh indinjatën tonë për dy kompani, të cilat gjithashtu duhet të hulumtohen pse nuk ishin në nivel të detyrës. Bëhet fjalë për kompaninë e sigurimit fizik këtu “Security Code” quhet kompania, dhe një kompani tjetër, e cila ka për detyrë të bëjë mbikëqyrjen vizive nëpërmjet kamerave, të cilat janë të drejtuara nëpër oborret e ndërtesave këtu në QKUK e ShSKUK në përgjithësi.

Pra, bëhet fjalë për këto dy kompani, të cilët duhet të hulumtohen, duhet të tregohet pse nuk ishin në nivel të detyrës? Nuk ka kurrfarë kuptimi, që të thuhet se të premten kur u dogj vetura e drejtorit Musa Vitija, nuk kanë punuar 20 kamera. Kjo është absurde. Si është e mundshme, që në momentin vendimtar 20 kamera janë jashtë funksionit?! Cili është kuptimi i kamerave? Që t’i shikojmë ne kamerat? Jo. Kuptimi i kamerave është që t’i shikojnë kamerat oborret e spitalit, dhe kur kemi parasysh që bëhet fjalë për një vepër kriminale të përsëritur, së pari me 19 gusht dhe tash sërish të premten që shkoi, besojmë që është koha e fundit, që organet e shtetit të veprojnë me shpejtësi, meqenëse ata të cilët i gjejnë shkeljet brenda institucioneve duhet të mbrohen e jo të sulmohen.

Edhe njëherë faleminderit shumë z. Musa Vitia për kurajën. Ky person ka dalë në punë edhe pas dy djegieve të veturës këtu në oborr të spitalit. Ky vjen në punë prapë. Ia kanë djeg veturën me 19 gusht, ia kanë djegë veturën të premten që shkoi. Ja ku është sot në punë në ora 07:00 në mëngjes.

Andaj, këta njerëz, si Musa Vitija i duhen shtetit. Këta janë ata zyrtarët, të cilët e shërbejnë qytetarin dhe e mbrojnë Republikën. Gjithashtu, e falënderoj edhe doktoreshën Pranvera Zejnullahu – Raçi, e cila është bashkë me drejtorin në këtë betejë tejet të rëndësishme për shërbimin tonë publik, si dhe dy zëvendësministrat e kryesuesen e Bordit të ShSKUK-së. Është rritur disiplina, është shtuar dhe do të vazhdojmë me punët e mira, që nënkupton t’i mbrojmë punëtorët e mirë nga të korruptuarit e kriminelët, të cilët janë të shqetësuar kur gjërat shkojnë mirë sektorin tonë publik e në punët tona qeveritare.

Edhe një herë pra, kompania e cila e bënë sigurimin fizik, ose më mirë të themi do të duhej ta bënte sigurimin fizik me kontrata të trashëguara që i kemi nga e kaluara, është “Security Code”, ndërkaq kompania e cila do të duhej ta bënte vrojtimin përmes kamerave që janë të drejtuara kah oborret, quhet “Quantic”. Pra “Quantic” dhe “Security Code” nuk kanë qenë në nivel të përgjegjësisë as me 19 gusht as me 7 tetor. Me 19 gusht është hera e parë kur është ndjegë vetura, me 7 tetor është hera e dytë kur i është djegë vetura drejtorit të Auditimit në ShSKUK. Ndërkaq ShSKUK-ja furnizon me barna nga lista esenciale 70 për qind, ndërkaq me material shpenzues 90 për qind e do ta rrisim edhe rregullin e disiplinën por edhe shërbimin që të shkojmë drejt 100 për qindëshit. Pra jemi të vendosur të punojmë bashkë edhe mirë. Mirëpo, Qeveria e Republikës së Kosovës do të bëjë gjithçka, veçse nuk ka kuptim që organet e prokurorisë të mos veprojnë me shpejtësi në mënyrë që të mos përsëriten më kurrë këto raste dhe ata kriminelë që brenda dy muajve të njëjtit person në oborrin e spitalit ia djegin dy herë veturën të shkojnë prapa grilave. Nuk mund të jesh në liri e në oborr të spitalit dy herë të njëjtit njeri t’ia djegësh veturën. Aq më tepër që ky është zyrtar shteti, është Drejtor i Njësisë për Auditim në ShSKUK dhe në raportet e tij janë gjetur shkelje andaj dikush është frikësuar shumë. Këto janë akte qyqare të dikujt të frikësuar i cili në oborr të spitalit, kundër pacientëve, kundër Republikës, kundër rendit dhe ligjit dhe kundër qeverisjes së mirë mundohet të vazhdojë e të mbrojë korrupsionin. Korrupsioni nuk duhet mbrojtur. Korrupsioni duhet luftuar. Njësoj edhe krimi. Ndërkaq zyrtarët si Musa Vitija janë ata të cilët duhet të mbrohen nga të gjithë, gjithashtu edhe duke i përndjekur ata sulmues.

 

 

Last modified: 10 Tetor, 2022

Comments are closed.

×