Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Të përkushtuar që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë

7 Tetor, 2022

Prishtinë, 7 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet joshumicë, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve dhe Zyra për Qeverisje të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Gjatë saj u bë prezantimi i Platformës Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi për Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Kryeministri Kurti me këtë rast tha se kjo konferencë është e rëndësishme për të ofruar edhe më shumë politikat qendrore me qytetarin, të cilit duhet t’i shërbejmë.

“Rëndësinë e kësaj lidhjeje e njohim të gjithë, ndërsa së fundmi e kam parë edhe gjatë vizitës sime në një qendër të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali” tha ai dhe derisa potencoi se stafi i kësaj qendre ka mbështetur nënat e reja dhe fëmijët e familjeve, për të përfituar nga skema e shtesave për lehona dhe fëmijë.

Kryeministri Kurti tha se përmes iniciativës së kësaj qendre, janë rreth 200 familje që kanë përfituar nga këto skema. “Ky është vetëm një nga shembujt e mirë të bashkëpunimit mes politikave të qeverisë dhe punës së shoqërisë civile”, theksoi Kryeministri Kurti dhe shtoi se “kjo është edhe një dëshmi se si ju që jeni të pranishëm sot, qoftë nga komunat apo nga shoqëria civile, jeni hallkë e domosdoshme në përkthimin e iniciativave të qeverisë në dobi të qytetarëve”.

Më tej, ai u shpreh se progresin shoqëror e sheh të ndërlidhur ngushtë me progresin e vazhdueshëm të qytetarëve tanë pa dallim dhe se për të arritur këtë duhet që të gjithëve të ju hapen rrugët e mundësive.

“Prandaj ju falënderoj për rolin tuaj në përfshirjen e qytetarëve nga komunitetet, dhe ju konfirmoj që jemi të hapur për komunikim të mëtejmë për mënyrat e mbështetjes” u shpreh ai, duke shtuar në fund se Qeveria i sheh jo vetëm si kanal komunikimi nga niveli qendror në atë lokal, por edhe anasjelltas, pra nga niveli lokal në atë qendror, tha kryeministri Kurti në fund.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në konferencën për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet joshumicë:

Faleminderit Elizabetë,
I nderuari Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Elbert Krasniqi,
I nderuari Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z.Habit Hajredini,
Të nderuar përfaqësues e përfaqësuese të komunave, të shoqërisë civile dhe të mediave,

Jam i lumtur që jam sot këtu me juve, derisa ju tashmë keni filluar bashkëbisedimin për resurse, të cilat mund të jenë në dobi të komuniteteve, të cilat jetojnë në Kosovë.

Këtë diskutim e shoh si mundësi të rëndësishëm për të ofruar edhe më shumë politikat qendrore me qytetarin, të cilit duhet t’i shërbejmë.

Rëndësinë e kësaj lidhjeje e njohim të gjithë, ndërsa së fundmi e kam parë edhe gjatë vizitës sime në një qendër të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali. Stafi i kësaj qendre ka mbështetur nënat e reja dhe fëmijët e familjeve përreth, për të përfituar nga skema e shtesave për lehona dhe fëmijë, të cilën e kemi lansuar.

Kjo organizatë jo-qeveritare u ka ofruar mundësi nënave që të shkojnë në qendrën e tyre dhe me ndihmën e stafit të organizatës të regjistrohen në platformën e-kosova.

Përmes iniciativës së kësaj qendre, tani qenkan rreth 200 familje, që kanë përfituar nga skema dhe janë pjesë e afro 200 mijë fëmijëve dhe mbi 20 mijë nënave të reja, që kanë përfituar anembanë Kosovës nga kjo skemë.

Ky është vetëm një nga shembujt e mirë të bashkëpunimit mes politikave të qeverisë dhe punës së shoqërisë civile. Kjo është edhe një dëshmi se si ju që jeni të pranishëm sot, qoftë nga komunat apo nga shoqëria civile, jeni hallkë e domosdoshme në përkthimin e iniciativave të qeverisë në dobi të qytetarëve.

Po në të njëjtën mënyrë, besoj që në këtë sallë ka fuqi të madhe, që siguron, që politikat tona për mbështetje ekonomike, do të arrijnë te të gjithë qytetarët, e veçanërisht te ata, të cilët kanë më së shumti nevojë.

Kemi ndarë 150 milionë euro për Pakon për Përballje me Inflacionin, përmes pagesave të njëhershme për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, pastaj 50 euro shtesë për punëtorët e sektorit publik dhe rimbursim prej 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët në sektorit privat. Sidomos për këtë të fundit, shpresojmë që edhe përmes mediave, informata do të arrijë te të gjitha bizneset, edhe tek ato me pronarë ose punëtorë të komuniteteve, në mënyrë që të gjithë qytetarët tonë pa dallim të mund të përfitojnë.

Pra, një biznes ku rrit pagën e një punëtori, gjysmën e kësaj rritjeje e subvencionon Qeveria me këtë Pakon e Përballjes me Inflacionin.

Gjithashtu në kuadër të kësaj pakoje është edhe shpërblimi për kursimin e energjisë elektrike. Nëse në faturat e cilitdo muaj të kësaj vjeshte apo dimri kemi kursim krahasuar me faturat e muaji të njëjtë të vitit të kaluar atëherë ne do të shpërblejmë duke subvencionuar dyfishin e vlerës. Pra e dyfishojmë kursimin të cilin e keni bërë sivjet krahasuar me vitin 2021. Ndërkohë të gjithë e dimë që papunësia mbetet sfidë dhe veçanërisht e theksuar për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Për këtë, gjatë verës Qeveria ka miratuar vendimin për krijimin e një ekipi ndërinstitucional, të kryesuar nga Drejtori Habit Hajredini, për punësimin e këtyre tre komuniteteve.

Besojmë që politika jonë që çdo familje të ketë një të punësuar apo “Qeveria për Familjet” siç e kemi quajtur, është mundësi edhe për mbështetjen e këtyre komuniteteve. Shpresojmë që të gjithë organizatat prej këtyre komuniteteve që punojnë me këto komunitete do t’i inkurajojnë të papunët e punëkërkuesit që të regjistrohen në Entin për Punësim ku do t’ju jepet prioritet nëse nuk ka anëtar familja që është i punësuar.

Me nisma dhe me bashkëpunim të këtillë ne mund të arrimë transformimin ekonomik të vendit tonë duke u siguruar që është transformim i drejtë e nga i cili përfitojnë të gjithë qytetarët tanë.

Progresin tonë shoqëror e shohim të ndërlidhur ngushtë me progresin e vazhdueshëm të qytetarëve tanë pa dallim e për të arritur këtë duhet që të gjithëve të ju hapen rrugët e mundësive. Prandaj ju falënderoj për rolin tuaj në përfshirjen e qytetarëve nga komunitetet, dhe ju konfirmoj që jemi të hapur për komunikim të mëtejmë për mënyrat e mbështetjes. Ne ju shohim jo vetëm si kanal komunikimi nga niveli qendror në atë lokal, por edhe anasjelltas. Pra nga niveli lokal në atë qendror.

Jemi të interesuar për të dëgjuar për nevojat që ju i shihni në nivel lokal e komunitetet dhe përmes jush si urë lidhëse, ne sigurohemi që politikat e radhës t’u përgjigjen sa më mirë prioriteteve në terren. Ne kemi parasysh promovimin, respektimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve në punën tonë për çdo ditë e në çdo vendim që e sjellim. Jemi të përkushtuar që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht. Andaj u jemi mirënjohës për punën tuaj dhe gëzohemi që jeni aty ku qytetarët kanë nevojë.

Shpresoj që nga kjo konferencë do të dalin propozime e nisma të reja se si politikat tona e bashkëpunimi ynë të jetë sa më i frytshëm dhe të arrin tek secili e secila qytetare e vendit tonë.

Ju faleminderit!

Last modified: 7 Tetor, 2022

Comments are closed.

×