Zyra e Kryeministrit

Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën me donatorë

30 Shtator, 2022

Prishtinë, 30 shtator 2022

Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit sot ka mbajtur konferencën e donatorëve për çështjet e identifikuara nga komunitetet joshumicë të Kosovës si prioritete për mbështetjen nga donatorët. Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga Agjencia Austriake për Zhvillim, Këshilli i Evropës, BE-ja, IOM-i, OSBE-ja, familja e OKB-së, USAID-i dhe 12 ambasada aktive në Kosovë. Pjesëmarrësit dëgjuan nga kabineti i këshilltarëve të Kryeministrit nga komunitetet jo-shumicë për çështjet me të cilat ballafaqohen komunitetet e tyre dhe për llojet më të zakonshme të mbështetjes të kërkuara nga OJQ-të e komuniteteve pakicë në aplikimet e tyre për buxhetin prej 1.5 milionë euro të ndarë nga Zyra për Çështje të Komuniteteve për grante këtë vit.

Këshilltarët ndanë shembuj të projekteve efektive të donatorëve – për shembull, ato me “efekte shumëfishuese” ku secili person që përfitonte gjithashtu mer përgjegjësinë për të kaluar përfitimin që kishte pasur. Ky ishte transformues në rastin që u nda i një gruaje egjiptiane në Fushë Kosovë, së cilës iu dha një makinë qepëse dhe më pas e përdori atë për të qepur maska për fytyrë të ripërdorshme, të cilat ajo i shpërndau falas në komunitetin e saj, ose parukierja që u mbështet për te themeluar biznesin dhe më pas ofroi shërbime falas të parukerise në shtëpi për klientët që ishin me aftësi të kufizuara dhe nuk mund të shkonin në sallonin e saj.

Në aplikacionet e dorëzuara në Zyrën për Çështje të Komuniteteve, fusha prioritare e identifikuar ishte arsimi dhe komunitetet nga të cilat kishte ardhur kërkesa më e madhe për mbështetje ishin romët, ashkalitë dhe egjiptasit. Temat e përsëritura ishin gjithashtu respektimi i të drejtave të gjuhës së pakicave, punësimi dhe projektet e infrastrukturës, jo vetëm për përfitimin e tyre praktik, por edhe për ndikimin afatgjatë në ndjenjën e përkatësisë.

Pjesëmarrësit falënderuan qeverinë për këtë mundësi për koordinimin e donatorëve në këtë fushë të rëndësishme dhe shprehën interesimin e tyre për takime të mëtejshme të këtij lloji. Një pjesëmarrës komentoi se “fryma e fjalimit të kryeministrit ishte shpresa” dhe se takimi çoi në një motivim të ri për të identifikuar mënyrat më efektive për të mbështetur Kosovën.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në konferencën me donatorë, organizuar nga  Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit:

Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar kolegë,

Duke shikuar përreth kësaj salle, kam një ndjenjë të jashtëzakonshme të mbështetjes. Më kujtohen takimet që kam mbajtur me shumë prej jush dhe prej kolegëve tuaj, por edhe (dhe ndoshta më e rëndësishmja) dëshmitë që kam parë nga puna e organizatave tuaja në terren përmes vizitave që kam bërë në cilësinë time si kryeministër. Dhe mënyrat në të cilat kam parë vendin tim duke u zhvilluar nga këndvështrimi i një banori të Prishtinës dhe një qytetari të Kosovës.

Arkitekti i madh Christopher Wren dizajnoi dhe ndërtoi shumë nga ajo çka është e bukur në pamjen e Londrës. Pas zjarrit të madh të Londrës në vitin 1666, ai rindërtoi 52 kisha, si dhe themeloi shoqatën e famshme shkencore, të quajtur “The Royal Society”. Një ndër kishat më spektakolare të cilat punoi ai ishte Katedralja e Shën Palit dhe aty është i varrosur. Te varri i tij nuk ka statujë të Wren-it, por mbishkrimi në latinisht, i shkruar në varrin e tij, përkthehet “nëse po kërkon përmendoren e tij, shihni përrreth vetes”. Ju, komuniteti i donatorëve, keni punuar me ne si arkitektë të Kosovës, pas shkatërrimit të madh të cilin e kemi vuajtur dhe, si Christopher Wren, dëshmia më e mirë e mbështetjes suaj të madhe për Kosovën, që më shumë se dy dekada, nuk paraqitet në këtë sallë apo në raportet dhe konferencat të cilat arrij t’i lexoj dhe t’i ndjek, por në atë çka ndryshon në terren për qytetarët e Kosovës. Unë shikoj përreth dhe shoh dëshmitë e dizajneve dhe ndërtimeve që populli i Kosovës ka punuar bashkë me ju, për të siguruar që qytetarët tanë zhvillojnë jetë më të plota, të lira dhe të begata, me të drejta themelore që respektohen dhe me mundësinë për të zgjedhur rrugën e vet dhe për të kontribuar në shoqërinë tonë dhe në botë.

Kur unë shikoj përreth vetes, e shikoj këtë përmendore të punës suaj me qytetarët dhe institucionet e Kosovës dhe investimet tuaja. Shikoj arsimin duke u përmirësuar, nga fëmijëria e hershme e tutje, dhe mbështetje për shëndet më të mirë. Shikoj mundësi të reja për punësim dhe ndërmarrësi në programe të trajnimit dhe “startup”-e biznesore. Shikoj infrastrukturë më të mirë, nga shtëpitë dhe shkollat që janë ndërtuar, deri te lagjet që janë ndriçuar më mirë dhe, në nivelin kombëtar, transformimet që po fillojmë të bëjmë në kapacitetin tonë për gjenerimin e energjisë së ripërtëritshme. Ndihem krenar për partneritetin që ka Qeveria me ju për t’i kthyer këto synime në realitet.

Mirëpo, shikoj gjithashtu fushat ku zhvillimi nuk është uniform dhe ku Qeveria duhet të bëjë më shumë apo të bëjë gjëra në mënyra të reja dhe të kërkojë lloje të reja të ndihmës për Kosovën. Vizitoj lagje ku rrugët nuk janë të asfaltuara dhe jo të gjithë fëmijët janë në shkollë. E di se ka varfëri që dërgon pleq dhe foshnja të ftohur dhe të uritur në shtrat. Dëgjoj për qytetarë që nuk kanë mundësi të ushtrojnë të drejtat e veta themelore për shkak të diskriminimit. Dëgjoj për raste të korrupsionit dhe dëshpërimin që e përcjellë atë.

E tërë karriera ime politike është bazuar në të luftuarit për drejtësi sociale dhe programi im qeveritar përqendrohet në ndryshimin e parakushteve të domosdoshme për transformimin e shoqërisë sonë. Ato parakushte janë drejtësia dhe punësimi. Dhe atë qëllim do ta arrijmë vetëm nëse e arrijmë për të gjithë. Jemi të përkushtuar për reforma të thella në kornizën ligjore për antikorrupsionin dhe procesin e vetingut. Ia kemi dorëzuar Kuvendit dosjen e dokumenteve për veting. Besimi në drejtësi përfshin besimin në shtet, i cili është në shërbim të qytetarëve.

U renditëm të parët në Ballkanin Perëndimor në indeksin e World Justice Project për vitin 2021 dhe jemi përmirësuar për 17 vende në Indekset e Transparency International dhe World Press Freedom. Kemi rritur luftën kundër korrupsionit, e cila deri tani ka rezultuar në më shumë se 780 operacione policore kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, me më shumë se 2.200 persona të arrestuar. 68 grupe kriminale janë shkatërruar, ndërsa rreth 300 zyrtarë shtetërorë dhe publikë janë arrestuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës. Vitin 2021 e kemi përmbyllur me 10,7% rritje ekonomike, 4,87% të BPV në tremujorin e parë të vitit 2022, me 83,6% rritje në eksporte dhe 31% rritje në të hyra buxhetore, si dhe kemi shtuar më shumë se 25.000 vende të punës në ekonomi.

Kosova po bëhet një tregim suksesi që dëshmon se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë krah për krah. Sepse, siç e dimë, ka disa fuqi dhe superfuqi në botë që dëshirojnë të dëshmojnë se autokracia është më e mirë për ekonominë. Nuk jemi vend i madh, por jemi një shembull i mirë që demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah.

Konferenca e sotme e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit është një mundësi për të biseduar me ju si arkitektë të përbashkët të fazës tjetër të zhvillimeve të Kosovës. Kemi dëgjuar nga komunitete që nuk kanë qenë gjithmonë të përfshira në progresin që Kosova ka shënuar. Ata na kanë treguar se çfarë dëshirojnë që të ndërtohet, nganjëherë bukfalisht në kuptimin e projekteve infrastrukturore, por më shpesh në mundësitë që mund të jetësohen. Po shikojmë mënyrat se si mund t’u përgjigjemi nevojave që janë identifikuar, por e dimë se ekspertiza juaj mund të jetë transformuese për të kthyer planet dhe ëndrrat e këtyre komuniteteve në realitet.

Kjo nuk është konferencë e zakonshme e donatorëve, sepse nuk po ju kërkojmë para që mund ta harxhojë Qeveria. Ne shohim se mundemi nganjëherë të luajmë një rol më të fuqishëm në artikulimin e nevojave që kemi parë dhe dëgjuar nga qytetarët tanë, sidomos kur besojmë se proceset tona na japin qasje dhe njohuri unike. Ndoshta nuk do të mund t’u përgjigjemi të gjitha këtyre nevojave vetvetiu, por duam të jemi aktivë dhe përgjegjës duke siguruar që të gjithë ata që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të identifikuara, do të kenë informacionet e duhura për t’i adresuar prioritetet në mënyrë efikase. Shpresojmë se informacionet e shkëmbyera sot do të jenë të dobishme për programet tuaja dhe do të mundësojnë ndryshimin për qytetarët e komuniteteve minoritare që kanë më së shumti nevojë.

Do të dëshironim që të vazhdojmë këtë lloj komunikimi me ju, në mënyrë që sot të jetë vetëm fillimi i një bisede të koordinuar që fillon me atë çka komunitetet joshumicë të Kosovës identifikojnë si prioritetet e veta, dhe që vazhdon me ne, duke pasur mundësi për të vlerësuar bashkë, në mënyrë të sinqertë, se si do t’u përgjigjemi këtyre nevojave: si po i targetojmë fondet, si po krijojmë sinergji dhe si po shmangim duplifikime.

E di se sot do të ndahen mendime interesante nga Zyra e Çështjeve të Komuniteteve dhe nga këshilltarët nga Kabineti im, të cilët kanë kontribuar në këtë organizimi. E di se janë të interesuar për të dëgjuar nga ju lidhur me atë çka dëshironi të shihni nga Qeveria. Më vjen keq që nuk mund të qëndroj bashkë me ju deri në fund të këtij takimi, por i kam kërkuar Kabinetit tim që të më japë një përmbledhje të reagimeve që marrin prej jush dhe shpresoj që kjo do të jetë pikënisja për fazën tjetër të ndërtimit të një Kosove të drejtë dhe të begatë për të gjithë.

Ju faleminderit shumë.

 

Last modified: 3 Tetor, 2022

Comments are closed.