Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Ministren e Mbrojtjes së Zvicrës, Viola Amherd

8 Shtator, 2022

 

Prishtinë, 8 shtator 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ministren e Mbrojtjes së Zvicrës, Viola Amherd. Duke shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, e pas pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Kurti e falënderoi edhe për ndihmën e vazhdueshme në programet e zhvillimit të ekonomisë dhe demokracisë.

Ai theksoi se Kosova dhe Zvicra ndajnë vlerat e përbashkëta, me mërgatën tonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona.

Përtej bashkëpunimit bilateral në ekonomi dhe rritjes së volumit tregtar, kryeministri theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fushën e mbrojtjes.

Duke theksuar që Kosova është tregim suksesi i zhvillimit demokratik, ai e njoftoi Ministren Amherd me progresin ekonomik dhe demokratik të vendit tonë. Po ashtu, theksoi synimet dhe planet e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s, Këshillin e Evropës, si dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ministrja Amherd tha se Zvicra dhe Kosova ndajnë vlera të përbashkëta, Ajo potencoi rëndësinë e mërgatës së madhe nga Kosova, që kontribuon në ekonominë e Zvicrës.

Duke ritheksuar mbështetjen e Zvicrës për Kosovë dhe zhvillimin e saj demokratik, ajo tha se për Zvicrën është shumë e rëndësishme të ketë shtete stabile dhe sovrane në rajonin e Ballkanit.

U potencua gatishmëria e Zvicrës për të ndihmuar e asistuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për rritje të mëtejme të indikatorëve pozitivë ekonomik.

Gjatë takimit u bisedua për gjendjen e sigurisë në Kosovë, rolin e KFOR-it, situatën politike në rajon, rëndësinë e Procesit të Berlinit, si dhe për dialogun e Brukselit.

Last modified: 8 Shtator, 2022

Comments are closed.

×