Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në intervistën dhënë për televizionin zviceran Blick TV, foli rreth zhvillimeve të fundit lidhur me invazionin dhe agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
Lufta e fundit ndodhi në Ballkan para rreth 20 viteve, prandaj po shokon pushtimi Rus në Ukrainë posaçërisht shtetin e ri Kosovën, a do të fillojë përsëri konflikti me Serbinë, na flet Kryeministri i Kosovës z. Albin Kurti lidhur me frikën e popullit të tij. Tani në emisionin „Këtu pyet shefi“.
Moderatori: Tani po lidhemi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë. Mirëmbrëma!
Kryeministri Kurti: Mirëmbrëma!
Gazetari: Kryeministër çfarë ju vie në mendje kur i shihni pamjet e luftës në Ukrainë?
Kryeministri Kurti: Jam në të njëjtën kohë i shokuar, por jo edhe i befasuar sepse Federata Ruse, më saktësisht Kremlini, kanë paralajmëruar që ky invazion nga Rusia – ky agresion ushtarak – do të ndodhë dhe me grumbullimin e trupave në kufirin lindor të Ukrainës e dinim se ushtria e tyre do të marshojë kundër popullit të Ukrainës. Që nga fillimi e kemi dënuar këtë pushtim dhe kemi shprehur admirimin, solidaritetin, simpatinë dhe empatinë me luftën për liri të popullit të Ukrainës dhe Presidentit Zelenski. Prandaj, ne shpresojmë për të mirë dhe në të njëjtën kohë marrim pjesë në sanksionet që BE-ja dhe ShBA-të kanë vendosur ndaj Federatës Ruse.
Gazetari: Kosova ka përjetuar luftën 20 vjet më parë, cilat plagë të vjetra hapen përsëri kur e shihni këtë luftë tani?
Albin Kurti: Ka qenë saktësisht pranvera e vitit 1998 dhe më pas prapë në vitin 1999 kur kanë ndodhur masakra të panumërta, qindra prej tyre, gjithandej në Kosovë dhe u vranë gjithsej 12,000 mijë civilë të paarmatosur. 860 mijë qytetarë u larguan nga Kosova, mbi 1 milion njerëz ishin larguar nga shtëpitë e tyre – përafërsisht 80% e popullatës së asaj kohe nuk jetonin në shtëpitë e tyre për shkak të agresionit nga ushtria serbe. 20 mijë femra u dhunuan, 120 mijë shtëpi janë shkatërruar, dëmtuar apo djegur dhe në këto rrethana të rënda dhe të vështira ne megjithatë luftonim për liri, luftë e cila u ndihmua edhe nga bombardimet e NATO-së kundër Jugosllavisë së Millosheviqit. Prandaj atë që shohim sot në Ukrainë – agresionin e një makinerie lufte kundër një populli – e kemi përjetuar në jetën tonë para 23 vitesh.
Gazetari: Ka edhe frikë që lufta do të zgjerohet në Ballkan dhe në Kosovë. Nga buron kjo frikë?
Kryeministri Kurti: Kjo frikë buron nga dy faktorë kryesorë. Faktori i parë është Serbia, e cila ka lidhje shumë të ngushta me Federatën Ruse. Për shembull, në 2012 mes Serbisë dhe Federatës Ruse ka pasur dy aktivitete të përbashkëta ushtarake, në vitin 2016 ka pasur 50 aktivitete ushtarake dhe vitin e kaluar i kanë pasur 100 aktivitete të përbashkëta ushtarake. Ata kanë 14 Mig-29 të cilët i kanë marrë si donacion nga Bjellorusia dhe Federata Ruse. Ne i jemi bashkuar perëndimit sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse në vitin 2014 kur u aneksuan Krimea dhe Donbasku – gjë që Serbia nuk e kishte bërë dhe as tani nuk ka dënuar apo vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Prej 250 deputeteve në Parlamentin e Serbisë, 151 janë anëtarë të grupit të miqësisë Serbi-Rusi. Faktori i dytë është vetë Kremlini, Presidenti Putin, presidenti despotik Putin, i cili besoj që në mënyrë që të mund të ulet dhe të negociojë me Presidentin Biden, në një konference si e llojit Jalta 2, dëshiron të zgjerojë luftën edhe në një vend tjetër. Unë besoj se Ballkani Perëndimor është vendi ku ai do të kërkojë të shkaktojë trazira të ndryshme, duke përdorur faktorë dhe aktorë të ndryshëm, por shumica e tyre në një mënyrë apo tjetër të lidhur me Beogradin zyrtar. Nëse Kremlini do të krijonte një fushëbetejë tjetër në ndonjë rajon të botës, atëherë do t’i duhej të alokojë një pjesë të fuqisë së tij ushtarake, por në Ballkan, fatkeqësisht, ata mund ta shohin si shtim i vlerës së makinerisë së tyre të luftës transferimin tek Serbia, fqinji jonë verior, që nuk njeh Republikën tonë, as nuk ka shfaqur asnjë lloj keqardhjeje apo pranim për krimet e kryera gjatë luftës në të kaluarën.
Gazetari: Pra, populli i Kosovës i frikësohet Rusisë në këtë moment, se vërtet mund të ketë ndonjë incident, madje edhe luftë në vendin tuaj.
Kryeministri Kurti: Rreziku ekziston. Nuk kemi frikë, por jemi shumë vigjilentë. Serbia ka 42 baza operative rreth kufirit me Kosovën. Por edhe pse nuk jemi në NATO, dhe duam të anëtarësohemi në programin e Partneritetit për Paqe dhe në Këshillin e Evropës, dhe megjithatë NATO-n e kemi brenda Kosovës, dhe e kemi BE-në në Kosovë dhe së bashku me partnerët tanë perëndimorë, si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, kemi shpresë për të ardhmen.
Gazetari: Serbia sigurisht ka marrëdhënie më të ngushtë me Rusinë, por pse Serbia duhet të jetë e interesuar për një përshkallëzim me Kosovën?
Kryeministri Kurti: Serbia, ashtu si Rusia, nuk është vend demokratik. Është autokraci. Presidenti Putin ka pasur për një kohë të gjatë shumë pushtet. Mendoj se është situatë e ngjashme me presidentin Vuçiq. Nga Gorbaçovi te Jelcini, mund të thuhet se ky ishte versioni rus i Republikës së Vajmarit, dhe më pas erdhi në pushtet Putini. Në Serbi, nga ish-kryeministri i vrarë Gjingjiç te Boris Tadiq, ky ishte versioni serb i Republikës së Vajmarit dhe më pas erdhi në pushtet Vuçiqi. Ka shumë ngjashmëri mes këtyre dy vendeve. Besoj se edhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë, edhe pse nuk ishte e ngjashme në karakter, ka pasoja shumë të ngjashme. Në rastin e Federatës Ruse, kemi një oktapod të madh. Federata Ruse me Bjellorusinë, Donbasin në Krime, Transnistria, Osetisë Jugore e Abkhazia, e kështu me radhë, në rastin e ish-Jugosllavisë kemi Serbinë me Republikën Srbska në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj partitë serbe në Mal të Zi, strukturat ilegale në Kosovë e kështu me radhë, që është si një kuadrop i vogël. Dhe më duhet të them se ka shumë ngjashmëri dhe lidhje të ngushta si në harduerin ashtu edhe në softuerin, nëse mund të them kështu, e këtyre dy shteteve.
Gazetari: Dhe ju jeni në mes të gjithë kësaj. Dhe javën e kaluar në Prishtinë ju vizitoi ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila është e shqetësuar edhe për tendencat kombëtare. Edhe ajo po paralajmëron destabilizimin e rajonit. Çfarë keni diskutuar me të? Si mund t’ju ndihmojë ajo?
Kryeministri Kurti: Ajo ka pasur qëndrime shumë të qarta për atë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar në lidhje me rajonin e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, dhe pres të bashkëpunoj me Gjermaninë, sepse është një vend shumë i rëndësishëm i BE-së. Dhe ne kemi mbi katërqind mijë shqiptarë kosovarë në Gjermani. Ndoshta është i vetmi vend në Evropën Kontinentale ku kemi më shumë shqiptarë se në Zvicër. Dhe presim që ta përdorim këtë si urë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kemi pasur një vit të mrekullueshëm vitin e kaluar. Rritja ekonomike ishte 9.9% e BPV-së sonë. Eksportet u rritën për dy të tretat, investimet e huaja direkte për 55%, qarkullimi i bizneseve për 30% dhe të ardhurat nga tatimet për një të tretën, pa ndryshuar politikën fiskale, sepse kur njerëzit janë me shpresë, ata shpenzojnë në vend që të kursejnë, dhe kur e shohin se qeveria është e pakorruptuar, ata janë më të gatshëm t’i paguajnë tatimet. Pra, ne presim të bashkëpunojmë ngushtë me Gjermaninë, jo vetëm në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, sepse Gjermania është shtyllë shumë e rëndësishme edhe e BE-së edhe e NATO-s, por në të njëjtën kohë edhe në aspektin e zhvillimit tonë ekonomik aq shumë të nevojshëm.
Gazetari: Vendi juaj dëshiron të jetë anëtar i BE-së dhe gjithashtu anëtar i NATO-s. Sa realiste është kjo?
Kryeministri Kurti: Besoj se është realiste të pritet që metodat e vjetra, metodat e zakonshme, nuk mund të jenë më të mirat në këto situata të jashtëzakonshme. Me përfshirjen e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor në BE, kufiri i jashtëm i BE-së do të tkurrej për tre mijë kilometra. Pra, në aspektin e sigurisë, është shumë më mirë të përfshihet gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor. Ju e dini se këto gjashtë vende, për sa i përket popullsisë, janë si Holanda, tetëmbëdhjetë milionë banorë. Për sa i përket BPV-së, është si Sllovakia. Gjashtë vendet e kombinuara të Ballkanit Perëndimor, të cilat ende nuk janë integruar në BE, e kanë BPV-në e tyre nën 40% të Republikës së Çekut, si Sllovakia, ose nën 50% të North Rhine-Westphalia. Prandaj, është e rëndësishme t’i jepet një shans gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, dhe në veçanti Kosovës, që është vendi më demokratik, me stabilitet politik dhe progres së brendshmi. Ne do të aplikojmë për anëtarësim në BE këtë vit, dhe do të ishte shumë e rëndësishme të përfshihet Kosova si në Këshillin e Evropës ashtu edhe në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Gazetari: Një problem është se edhe disa vende të BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, si p.sh. Greqia, Spanja, Qiproja. Si planifikoni ta ndryshoni këtë?
Kryeministri Kurti: Ne jemi duke i intensifikuar kontaktet me pesë vendet mos-njohëse, katër prej tyre janë edhe në NATO, Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania, plus Qiproja që është në BE, por jo në NATO. Shpresoj se ky është viti kur ato duhet të bëjnë hapa thelbësorë drejt njohjes së Kosovës së pavarur dhe t’i bashkohen pjesës tjetër të anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, që janë shumica dërrmuese. Kosova mori pjesë në ushtrimin ushtarak “DEFENDER-Europe 21” nga marsi deri në qershor të vitit të kaluar, me 330 ushtarë dhe ishim në mesin e 16 vendeve mikpritëse, ndërsa, për shembull, Serbia mori pjesë në ushtrimin ushtarak “Slavic Shield” (Mburoja Sllave) së bashku me Federatën Ruse në mesin e tetorit të vitit të kaluar.
Gazetari: Për të qenë anëtar i BE-së, një vend duhet të ketë demokraci funksionale, media të lira, luftë kundër korrupsionit, dhe Kosova nuk është realisht model për t’u ndjekur në këtë aspekt. Si dëshironi ta ndryshoni atë?
Kryeministri Kurti: Kosova është model për t’u ndjekur, me këtë vit të fundit të qeverisjes së re kemi shkatërruar 50 banda kriminale në Kosovë, kemi arrestuar mbi 230 zyrtarë shtetërorë dhe publikë, kemi konfiskuar mbi 1 ton narkotikë dhe në këtë mënyrë Kosova është në ballë të luftës kundër krimit të organizuar dhe kriminalitetit. Ne mbështetemi shumë në sundimin e ligjit dhe drejtësinë si diçka për të cilën nuk mund të bëjmë kompromis, dhe në të njëjtën kohë, ne mbështetemi edhe në një nga tezat e presidentit amerikan Joe Biden që thotë se kriminaliteti dhe korrupsioni përfaqësojnë kërcënim për sigurinë kombëtare. Kjo është arsyeja pse ne jemi shpresa në të cilën të gjithë duhet të investojnë. Punësim dhe drejtësi ishte premtimi me të cilin fituam zgjedhjet një vit më parë dhe gjatë këtij viti kemi siguruar 24 mijë vende të reja pune për qytetarët e Kosovës. Me diasporën e jashtëzakonshme që kemi, besoj se vendi ynë mund të kthehet në model për t’u ndjekur nga të tjerët dhe ne po bëjmë çmos për ta përmirësuar imazhin tonë.
Gazetari: Sa i përket aspektit evropian, Serbia është tashmë një hap përpara jush dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. A mund të jetë ky aspekti evropian zgjidhja mes dy vendeve, sepse ky është qëllimi i përbashkët?
Kryeministri Kurti: Unë besoj se për gjashtëshen e Ballkanin Perëndimor duhet të përdorim modelin EFTA-EEA, i ngjashëm me atë që e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia, Zvicra dhe Islanda si marrëdhënie kontraktuale me BE-në, një “valë që do të ngrinte lart të gjashtë varkat” e këtij rajoni, përkatësisht Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, ku Brukseli do të kishte një rol kyç, dhe do të ishte një autoritet mbikëqyrës, do të ekzistonte një këshill apo komision i përbashkët, një gjykatë e përbashkët, dhe në këtë mënyrë, brenda disa vitesh, ne të gjithë mund të arrijmë në BE. Por, për këtë qëllim, Serbia duhet ta njohë Kosovën, duhet të kemi njohje reciproke, dhe në të njëjtën kohë ata duhet të ballafaqohen me të kaluarën e tyre. Ata duhet të distancohen nga Millosheviqi dhe jo siç ndodhi një javë më parë, ku Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë vendoste lule të freskëta pranë varrit të Millosheviqit. Besoj se është shumë e rëndësishme të ballafaqohen me të kaluarën dhe BE-ja nuk duhet t’i japë më para Beogradit pa i pranuar vlerat e BE-së. Prandaj, formula e Beogradit para të BE-së dhe armë ruse duhet të marrë fund. Ata duhet t’u përmbahen vlerave të BE-së në mënyrë që të marrin fonde nga BE-ja.
Gazetari: Dhe për momentin, Serbia flirton shumë me Rusinë dhe me Putinin?
Kryeministri Kurti: Po. Dhe ata e kanë shantazhuar Brukselin në një kuptim që nëse nuk bëhet si themi ne, atëherë ne mund të shkojmë me Federatën Ruse dhe ndonjëherë edhe me Kinën. Për shembull, për dallim nga Kosova që nuk ka marrë asnjë vaksinë nga Federata Ruse dhe Kina, vetëm ato të verifikuara nga EMA evropiane dhe FDA amerikane. Dhe sot jemi në krye të menaxhimit të pandemisë së COVID-19 me shkallën më të ulët të vdekjeve dhe me shkallën më të lartë të vaksinimit. Serbia që herët shkoi menjëherë me Federatën Ruse dhe Kinën. Kështu që unë mendoj se Brukseli ndoshta është në vështirësi me Kremlinin sepse ata kanë armë bërthamore, por kur bëhet fjalë për Beogradin, ata duhet të jenë vërtet të vendosur dhe parimor.
Gazetari: Kryeministër, rreth 10% e popullsisë suaj jeton në Zvicër. Kemi një diasporë të madhe shqiptare. Sa të rëndësishme janë paratë nga Zvicra?
Kryeministri Kurti: 62% e remitancave që vijnë në vendin tonë janë nga Zvicra dhe Gjermania. Ka shumë shqiptarë në Zvicër që po ndihmojnë ekonominë tonë duke ndihmuar familjet e tyre, por edhe duke investuar në Kosovë. Unë si kryeministër i ri jam garancia e shtetit ligjor për të gjitha investimet e ardhshme. Dhe besoj se biznesmenët kosovarë që janë në Zvicër së bashku me kolegët e tyre zviceranë në komunitetin e biznesit mund të vijnë në Kosovë dhe të investojnë më shumë. E dini, Zvicra dhe Kosova, ne të dy jemi vende pa dalje në det, por kemi male të mira dhe njerëz të mrekullueshëm. Besoj se njohuritë e diasporës sonë dhe në të njëjtën kohë, lidhja e ngushtë që ekziston mes njerëzve është diçka që duhet ta shfrytëzojmë.
Gazetari: Rreth 200 ushtarë të ushtrisë zvicerane janë pjesë e forcës paqeruajtëse ndërkombëtare KFOR në Kosovë dhe sigurojnë stabilitet në vend. Sa të rëndësishme janë këto trupa sot?
Kryeministri Kurti: Dëshiroj të falënderoj Zvicrën që nga koha e strehimit për disidentët tanë në vitet e shtatëdhjeta që u detyruan të ikin nga diktatura në Serbi dhe Jugosllavi deri më sot, ushtarët zviceranë që ndihmojnë në ruajtjen e paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në Kosovë. Gjithashtu dua të falënderoj Zvicrën për të gjitha projektet zhvillimore që janë duke u zhvilluar në vendin tonë. Dhe më lejoni të theksoj emrin e një politikaneje shumë të rëndësishme për ne, zonjës Micheline Calmy-Rey, e cila e tha pavarësinë e Kosovës shumë më herët sesa e shpallëm ne.
Gazetari: Ishte në vitin 2008, një nga vendet e para, madje ka edhe shesh me emrin Micheline Calmy-Rey në Prishtinë?
Kryeministri Kurti: Po, ne e vlerësojmë vërtet dhe e mirëpresim gjithmonë. Kështu që po i bëj një ftesë drejtpërdrejte edhe asaj që të vijë të na vizitojë.
Gazetari: Ne do t’ia transmetojmë atë. Por të kthehemi tek ushtria zvicerane, parlamenti zviceran do të duhet të vendosë për një zgjatje të misionit të KFOR-it. Sa e rëndësishme është edhe në vitet në vijim dhe a do të zgjasë përgjithmonë?
Kryeministri Kurti: Është shumë e rëndësishme. Mendoj se për momentin është e rëndësishme të kemi më shumë trupa zvicerane në vendin tonë, sepse në këtë mënyrë, ne mund t’i bëjmë Serbinë dhe Rusinë të mendojnë dy herë për t’i bërë ndonjë dëm vendit tonë. Dhe gjatë këtyre dy dekadave, nuk kemi asnjë incident të vetëm me asnjë ushtar zviceran, njerëzit i mirëpresin ushtarët zviceranë dhe ne e vlerësojmë shumë rolin dhe angazhimin e tyre. Prandaj, nga ana e Kosovës mund t’ju siguroj se ata janë të mirëpritur dhe neve na duhen pikërisht tani, në këto trazira gjeopolitike që po kalon kontinenti ynë.
Gazetari: Kryeministër, në këto kohë të vështira, cilat janë dëshirat tuaja për javët dhe muajt në vijim?
Kryeministri Kurti: Është shumë e rëndësishme të kemi solidaritet sa më të lartë të botës demokratike perëndimore, ne duhet të përdorim të gjitha mënyrat tona për të ndihmuar popullin ukrainas. Për shembull, në Kosovë kemi treguar gatishmëri për të pritur 20 gazetarë nga Ukraina dhe deri në 5000 refugjatë. Më parë kemi pranuar mbi 1400 refugjatë afganë, prej të cilëve 10% janë ende në Kosovë. Pra, ne duhet të ndihmojmë njerëzit. Ne duhet të ndihmojmë luftën nacionalçlirimtare, sepse për fat të keq Presidenti Putin nuk po i lë vetës rrugëdalje dhe është bërë një udhëheqës i një lufte të zgjedhur nga vetë ai. Ai e filloi këtë luftë pa qenë i provokuar, krejtësisht të pajustifikueshme dhe mendoj se nëse nuk e shfrytëzojmë këtë vrull për unitetin aktiv të botës demokratike, atëherë jo vetëm ne, por edhe fëmijët dhe nipërit tanë do të paguajmë një kosto të rëndë të pasivitetit apo mungesës së bashkimit tonë.
Gazetari: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Prishtina. Faleminderit shumë.
Kryeministri Kurti: Faleminderit për ftesën.
Gazetari: Personaliteti më i rëndësishëm për temën më të rëndësishme këtu në emisionin „Këtu pyet shefi“ çdo javë të enjten në televizionin Blick TV. Mirupafshim javën e ardhshme.
Last modified: 17 Mars, 2022