Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se shpreson për një marrëveshje me Serbinë brenda mandatit të qeverisë së tij, që përkon me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij të Komisionit aktual evropian. Në intervistën e fundvitit me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Kurti foli edhe për krizën energjetike që ka përfshirë vendin si dhe marrëdhëniet rajonale.
Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, Kosova po përballet me krizë energjetike që ka kushtëzuar shkurtime të furnizimit të qytetarëve. Cila është rrugëdalja prej saj?
Albin Kurti: Kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë dhe rajon, është në gjithë Evropën. Por, neve na ka goditur si një popullsi e varfër që jemi. Dhe me këtë rast, ne po përpiqemi që nëpërmjet subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 të termoelektranave në anën tjetër, sadopak ta zbusim këtë situatë e cila nuk do të mund të përfundojë shpejt, meqenëse këto ditë ngarkesa bazë është diku rreth 900 megavat, ndërkaq që shpenzimi arrin edhe 1.4 gigavat, kurse i gjithë kapaciteti prodhues, sikur të punonte edhe blloku B2, nuk do të ishte më shumë se 900 megavat. Në këtë situatë ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë po e bëjmë me çmime bukur të shtrenjta, për shkak se bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet gjithnjë e më të larta të gazit. Pra, në njërën anë subvencionojmë konsumin, do të ndihmojmë edhe familjet që janë më të varfra, por në anën tjetër, gjithashtu u kemi bërë thirrje qytetarëve që sa më shumë që të munden, ta racionalizojnë shpenzimin dhe u jemi mirënjohës për përgjigjen pozitive.
Zëri i Amerikës: Opozita i ka cilësuar të vonuara veprimet tuaja përballë një krize të paralajmëruar. Vendet e rajonit ka muaj që e kanë shpallur emergjencën energjetike. Përse ju nuk e bëtë një gjë të tillë?
Albin Kurti: Kosova i ka dy termoelektrana. Njëra, Kosova A është e vjetër 60 vjet, tjetra, Kosova B është 40 vjet. Por, teknologjia brenda tyre është edhe më shumë se kaq, sepse vjetërsinë që e përmenda është vetëm vjetërsi e ndërtesave, ndërkaq stabilimentet aty janë edhe së paku edhe një dekadë më të vjetër se kaq. Është situatë me pajisje, teknologji dhe rrjet të amortizuar dhe gjatë këtyre dy dekadave të pasluftës kemi pasur përgjithësisht projekte sporadike e të dështuara, pa një strategji të mirëfilltë. Për herë të parë sivjet, me një strategji që i paraprinë analiza dhe studimi, do ta kemi vitin e ardhshëm për politikat energjetike dhe sektorin e energjisë në përgjithësi dhe më pastat do të mund të kemi projektet se si Kosova në këtë dekadën e tretë të këtij shekulli t’ia dalë sa i përket krizës energjetike. Jemi kritikuar që është dashur të blejmë energji elektrike më herët, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur. Meqenëse nuk mund të blesh energji elektrike dhe ta konservosh në frigorifer. Je shumë i ekspozuar ndaj çmimeve të bursës dhe nuk ka asnjë vend tashmë në rajonin tonë të afërt që është vend eksportues, të gjithë janë duke importuar. Ne jemi goditur rëndë për shkak se jemi vend më i varfër se sa të tjerët dhe ne anën tjetër, jemi goditur rëndë, meqenëse përafërsisht shtatë herë më shumë shpenzon energji elektrike amvisnia në raport më industrinë.
Zëri i Amerikës: Në ndërlidhje me këtë krizë, jeni kritikuar shumë për refuzimin e projektit të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit për ndërtimin e strukturës së gazsjellësit. Debati rreth gazsjellësit u shoqërua nga diskutime rreth marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, të cilat në kohen e qeverisë suaj të parë ishin të ftohura. Po tani?
Albin Kurti: Ne nuk e kemi përjashtuar mundësinë e furnizimit me gaz dhe përdorimit të gazit dhe të një termoelektrane në të ardhmen edhe nëpërmjet gazit dhe këtë mund ta bëjmë më vonë. Mirëpo, tani, kur nuk e kemi strategji, të hyjmë në projekte për të cilat nuk e kemi as infrastrukturën dhe as ekspertizën, na është dukur nxitim i pavend. Gjithçka kemi bërë në diskutim me partnerët amerikanë, përkatësisht me MCC-në dhe me programin e tyre ‘compact’, fondet për të cilin nuk do të shkojnë dëm, por do të riorientohen deri atëherë kur ne ta kemi strategjinë dhe të shohim se si do të ecim përpara. Pra, për asnjë moment, nuk ka pasur as lëkundje se lëre më dëmtim të bashkëpunimit tonë me SHBA-në.
Zëri i Amerikës: Edhe për faktin që gazsjellësi është një projekt rajonal sepse përfshinë Maqedoninë e Veriut dhe lidhet edhe me Greqinë, pra kur Kosova ka nevojë për zgjerim të këtij bashkëpunimi rajonal?
Albin Kurti: Padyshim që bashkëpunimin rajonal ne e kemi prioritet dhe tashmë kemi mbajtur mbledhje të përbashkëta të dy qeverive edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe me Republikën e Shqipërisë. Kemi pasur vizita të ndërsjella me Greqinë, por nuk mendoj që projekte e tilla, që edhe ashtu nuk do të mund të fillonin para shumë vjetëve, diku nga fundi i kësaj dekade, do të mund ta cenojnë bashkëpunimin e mirë që kemi me të gjitha vendet e rajonit, mbase me përjashtim të fqinjit tonë verior.
Zëri i Amerikës: I përmendët mbledhjet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të dyja janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur që e keni refuzuar deri tani Ka ndonjë gjasë që Kosova të ndryshojë qëndrimin ndaj kësaj nisme e cila po merr formë?
Albin Kurti: Së pari, Ballkani nuk është vetëm tri shtete, Ballkani nuk është as gjashtë shtete sa është hapësira e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruar në BE. Ballkani është së paku 12 shtete…
Zëri i Amerikës: Por të tjerat janë ne BE, tashmë janë të rregulluar…?
Albin Kurti: Por, nëse e quajmë Ballkan dhe Ballkan i Hapur, besoj se testi i së vërtetës është hapja e Serbisë ndaj Kosovës. Ata nuk i pranojë as dokumentet tona të udhëtimit, kartat e identitetit, nuk i pranojnë as vulat, certifikatat dhe diplomat tona, prandaj me një Serbi të mbyllur për Kosovën, nuk e di se si mund te kemi Ballkan të Hapur. Ndërkaq, në një rrafsh edhe më individual do të thosha, besoj që kështu ndjehen shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës sonë. As si përcaktim politik as si ndjeshmëri kulturore, unë nuk u përkas atyre që besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Unë jam i bindur që Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë vendin e tyre në NATO dhe BE.
Zëri i Amerikës: Por, a nuk e dëmton Kosovën një farë vetizolimi nga kjo nismë ndërsa ajo ka nevojë për thyerjen e pengesave dhe për qasje më të gjerë në një treg më të madh dhe për sigurimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitalit?
Albin Kurti: Kurrë nuk ka pasur Republika e Kosovës më shumë vizita të zyrtarëve të lartë politik e diplomatik të perëndimit sikurse në vitin 2021. Dhe gjithashtu, kurrë nuk ka pasur pritje më të larta për zyrtarët tanë sikurse në këtë vit. Mbase vetëm viti 1999 pas çlirimit do të mund të ketë pasur më shumë vizita nga jashtë në vendin tonë. Në anën tjetër ne marrim pjesë në procesin e Berlinit. Për tregun e përbashkët rajonal kemi shprehur gatishmërinë tonë dhe interesimin tonë. Gjithashtu, theksojmë se investimet janë shumë të rëndësishme në rajon. Por, këto duhet të bëhen duke pasur respekt të ndërsjellë dhe barazi të të gjithëve. Iniciativat që vijnë nga Beogradi, unë e kam përshtypjen e fuqishme se dëshirojnë që të krijojnë një platformë pa BE-në. Ne dëshirojmë që BE-ja të jetë në çdo iniciativë rajonale edhe si mekanizëm, por njëkohësisht edhe si vlerë. Nuk preferojmë që edhe më tej në Ballkanin Perëndimor të ketë fonde të BE-së pa vlera evropiane.
Zëri i Amerikës: BE-ja mbështeti nismën përmes komisionarit për zgjerim, ndërsa nisma është mbështetur nga diplomacia amerikane dhe vet zoti Gabriel Escobar ka theksuar se mbështet nismën që nuk e zëvendëson BE-në. A nuk janë garanci të mjaftueshme që Kosova ta tejkalojë do thosha njëfarë vetizolimi të saj?
Albin Kurti: Unë jam i bindur që mbështetja që vjen nga perëndim për Ballkanin e Hapur, është më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti si i tillë. Pra, nuk duan ta kundërshtojnë idenë, por nuk është se aktivisht po marrin pjesë pastaj në projektin e tillë. Dhe të mos harrojmë që tek këto tri shtete që po marrin pjesë në iniciativën e Ballkanit të Hapur, vetëm njëri shtet e ka pajtimin edhe të presidentit edhe të kryeministrit; Serbia.
Zëri i Amerikës: Kundërshtimi i nismës sikur shkaktoi çarje në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Përse një nismë që synon afrim mes vendeve të Ballkanit po thellon ndarjet në mes të dy vendeve që marrëdhëniet e tyre i kanë cilësuar vëllazërore?
Albin Kurti: Besoj që mospajtimi ynë rreth iniciativës për Ballkanin e Hapur, që në fakt e ka origjinën në Novi Sad, është dëmtim i raporteve tona që vlen për t’u përmendur. Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Tiranës janë ndër ë të mirat në Kosovën e pasluftës…
Zëri i Amerikës: Edhe midis kryeministrave?
Albin Kurti: Padyshim. Por ne kemi mospajtime edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe brenda partive politike nganjëherë kemi mospajtime edhe brenda kabineteve qeveritare e lëre më midis dy kryeministrave. Por, me vet faktin që përmendet kaq shumë ky mospajtim, besoj që kjo tregon se në fakt, ka fare pak ose aspak mospajtime të tilla.
Zëri i Amerikës: Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë shfaqen përgjatë gjithë zhvillimeve në Ballkan. Aktualisht procesi i bisedimeve është në rrugë pa krye. Çfarë mund të zhbllokojë këtë proces dhe cilat janë pritjet tuaja?
Albin Kurti: Edhe kryenegociatorja e dikurshme e Kosovës, zonja (Edita) Tahiri, e pat përmendur para disa viteve që bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë praktikisht janë ndalur kur është hedhur në tryezë projekti i shkëmbimit të territoreve. Pra, nuk është se ne ndaluam dialogun, përkundrazi, ne i patëm dy takime në Bruksel dhe patëm një marrëveshje për reciprocitetin e targave, e cila po zbatohet edhe derisa po e zhvillojmë këtë intervistë. Ndërkaq ,dialogu besoj që ngadalë, por sigurt, po vendoset ne binarët e duhur, e ato janë binarët e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, sipas vlerave evropiane me qytetarët si përfitues të mbramë dhe në qendër ta ketë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë se aktualisht realiteti është ai i një mosnjohjeje reciproke.
Zëri i Amerikës: A keni ndonjë pritje edhe në afate kohore? Brenda mandatit tuaj? Më vonë?
Albin Kurti: Unë besoj që dialogu, bisedimet dhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte brenda të mandatit të qeverisë së Republikës së Kosovës e që koincidon, që përputhet edhe me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atë të Komisionit aktual Evropian të udhëhequr nga zonja Ursula von der Leyen dhe me zëvendësin e saj, përfaqësuesin e lartë për politikën e Jashtme dhe atë të sigurisë, zotin Josep Borrell.
Zëri i Amerikës: Herën e fundit kur u takuat me zotin Borrell, doli në pah mospajtimi juaj i thellë rreth çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si do ta tejkaloni këtë çështje?
Albin Kurti: Unë i kam theksuar çdo herë në Bruksel parimet që duhet t’i ketë dialogu dhe bisedimet, e ato janë në fakt vlerat evropiane, demokratizimi, sundimi i ligjit, ballafaqimi me të kaluarën dhe njëkohësisht një lloj simetrie apo reciprociteti i të drejtave të pakicave kombëtare, sepse pa një lloj simetrie të tillë nuk do të mund të kemi paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë. Tash Asociacioni i komunave serbe është një kërkesë e Beogradit si një instancë e lartë shtetërore
Zëri i Amerikës: Kërkesë e Beogradit por e sanksionuar në një marrëveshje ndërkombëtare?.
Albin Kurti: Nuk është marrëveshje ndërkombëtare meqenëse nuk është ratifikuar asnjëherë në Serbi, njëra palë nuk e pranon si marrëveshje ndërkombëtare dhe le të mos harrojmë që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Në vitin 2013 njëmend janë vendosur parimet e atij asociacioni, mirëpo substanca ka ardhur në vitin 2015 dhe ajo praktikisht u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese. Bindja ime është se Serbia synon të krijojë brenda Kosovës një ngrehinë që do të ishte edhe më legjitime ndërkombëtarisht se sa shteti i Kosovës, sepse paramendojeni një Asociacion të komunave me shumicë serbe të instaluar në Kosovë ashtu siç e ka dashur Serbia, ai do të njihej edhe nga Kosova edhe nga Serbia ndërkohë që Republika e Kosovës do të vazhdonte të mos njihet nga Serbia, mbase edhe shtetet tjera në BE edhe më tej e sidomos nga dy superfuqitë të cilat janë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pra, ka një synim të mbrapshtë që brenda Kosovës të krijohet një ngrehinë legale e juridike e cila jo vetëm që është në shërbim të Beogradit, por edhe bëhet ndërkombëtarisht me legjitimitet edhe më të lartë se sa vet shteti i pavarur i Kosovës.
Zëri i Amerikës: Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje brenda marrëveshjes por në tekstin e saj përafërsisht thuhet se Asociacioni duhet të formohet në bazë të marrëveshjes së vitit 2013. Do ta pranoni një gjë të tillë?
Albin Kurti: Unë besoj se Gjykata Kushtetuese thotë kështu meqenëse e kemi pasur një ratifikim të atyre parimeve të marrëveshjes me 26 qershor të vitit 2013 për marrëveshjen e 19 prillit të atij viti dhe është interesante se si Serbisë menjëherë, një apo dy ditë pasi që ratifikohet në Kuvendin e Republikës marrëveshja e parë e parimeve, i çelen negociatat për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ne pësojmë dëme në funksionimin e brendshëm ndërkaq Serbia avancon së jashtmi. Gjykata Kushtetuese e kufizuar nga një ratifikim i tillë në Kuvendin e Republikës më duket që është ndjerë në një çikë sikleti dhe ka thënë se nuk e kundërshton në parim idenë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por pastaj thotë se asnjëri prej shtatë kapitujve të atij asociacioni nuk është në përputhje me Kushtetutën e cila lëndohet në plot 23 nene, jo në dy apo tri nene, por në 23 nene.
Zëri i Amerikës: Por si do ta kaloj kryeministri Kurti ‘sikletin’ e trysnisë që ushtrohet mbi të për themelimin e Asociacionit?
Albin Kurti: Me durim dhe punë. Unë jam zgjedhur si kryeministër i Republikës së Kosovës pas 14 shkurtit që ishte një fitore plebishitare, që ishte një fitore e paparë në Kosovën e pasluftës dhe zotimet tona kanë qenë për punësim dhe drejtësi, këto janë prioritetet tona gjithashtu, është e pandemia të cilën po e menaxhojmë mjaft mirë dhe nuk e përjashtojmë dialogun, jemi të gatshëm dhe të hapur për diskutime e bisedime, mirëpo ato duhet të jenë vetëm bisedime për statusin e marrëdhënieve të raportit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo për statusin e Kosovës. Pra, nuk bisedojmë për statusin e Kosovës i cili jo vetëm që është ai i një shteti të pavarur, por i një pavarësie që në katër vitet e para ishte e mbikëqyrur ndërkombëtarisht dhe në fund ishin vetë faktorët ndërkombëtarë që na e hoqën mbikëqyrjen në vitin 2012, na thanë mjaft me mbikëqyrjen tash pavarësia juaj do të jetë e plotë. Nuk mund të kthehemi as para vitit 2012 as para vitit 2008.
Zëri i Amerikës: E përmendët më herët mundësinë e një asimetrie ndërmjet dyja vendeve duke pasur parasysh gjendjen e pakicave. A po kërkoni kësisoj një status të ngjashëm me serbët në Kosovë për shqiptarët në Luginën e Preshevës?
Albin Kurti: Kjo u shtrua në takimin që kemi pasur në Bruksel me datë 15 qershor dhe në atë takim, meqenëse presidenti i Serbisë mundohej që të arsyetonte interesin e Serbisë si shtet i hidhëruar nga humbjet e së kaluarës, si përkujdesje për të drejtat e pakicave në Kosovë, unë thash le ta shohim se çfarë bën Serbia me pakicat në territorin e saj. Ata e kanë Këshillin Nacional të hungarezëve, të shqiptarëve dhe boshnjakëve, meqenëse ju besoni se jeni më të mirët le ta përdorim edhe në Kosovë këtë model. Pra unë e prezantoja kërkesën e tij si interes shtetëror të tij dhe e kundërshtova. Më pastaj ai (Aleksandër Vuçiç) e elaboroi kërkesën shtetërore si interes i pakicave dhe aty ishte shansi që unë të prezantoj se si Serbia e zgjidh çështjen e pakicave në territorin e saj, mirëpo natyrisht u hidhëruan edhe më shumë se sa ishin, meqenëse dëshironin të mbanin një lloj ofensive, një lloj hegjemonie ku ajo që vlen për vetën e tyre, nuk vlen edhe për ty dhe ajo që duhet të vlejë për ty nuk ka pse e zbatojnë te vetja e tyre. Nëse dëshiron që një kërkesë të jetë legjitime duhesh ta paramendosh kërkesën në formën e një parimi, mirëpo ata kanë vetëm kërkesa që refuzojnë që t’ua japin trajtën e një parimi, prandaj edhe simetria, balanci që e shtrova unë aty u refuzua me nervozizëm nga pala tjetër.
Zëri i Amerikës: Po ndërmjetësuesi, si reagoi?
Albin Kurti: Ndërmjetësuesi nuk reagoi meqenëse ishte më shumë i interesuar të kemi një rezultat se sa tek theksat e hollësive të atij diskutimi. Unë i konsideroj si ndërmjetësues por, fatkeqësisht, ata e konsiderojnë vetën vetëm si lehtësues dhe unë mendoj që kjo është një mënyrë se si Brukseli fatkeqësisht nuk po e zë vendin që e meriton dhe i cili na duhet të gjithëve. Fuqia e Brukselit mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, mbi Kosovën dhe Serbinë, është shumë më e madhe sidomos mbi Serbinë dhe një pjesë e madhe e kësaj fuqie që do të mund të mirë përdorej, fatkeqësisht nuk po ngjan.
Zëri i Amerikës: Për shumë kënd prania amerikane prandaj bëhet e domosdoshme. Nisur nga komunikimet tuaja, a ka gjasa, a ka mundësi për forcim të kësaj pranie?
Albin Kurti: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mirë të informuara dhe na njohin të gjithë neve tejet mirë, natyrisht që ne e mirëpresim gjithmonë rolin dhe kontributin amerikan, mirëpo për momentin intensitetin dhe formën e angazhimit të tyre ata e dinë vet më së miri.
Zëri i Amerikës: Integrimet evropiane lidhen me procesin e bisedimeve dhe nëse mund të them kësisoj, karota që u ofrohet palëve për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre është pikërisht ky integrim ndonëse Kosova është e fundit në rajon. Por. me një Bashkim Evropian të tillë që është sot i lodhur nga zgjerimi, i rezervuar nga zgjerimi, cila mund të ishte realisht karota për të nxitur palët për një marrëveshje?
Albin Kurti: Së pari prioritet i yni është normalizimi i Kosovës, nuk e mohoj rëndësinë e normalizimit të raporteve me Serbinë me njohjen reciproke në qendër mirëpo, mua më nevojitet që t’i dal zot qytetarit në përputhje me vullnetin e tij për normalizim të Kosovës dhe ne po e dëshmojmë që është e mundshme që ndonëse s’e kemi zgjidhur çështjen me Serbinë, megjithatë ne mund të funksionojmë si shtet i suksesshëm dhe të forcohemi. Ta zëmë investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë këtij 9 mujori të parë të vitit 2021 ishin 53 për qind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe 80 për qind më të larta se në vitin 2019. Kemi një qeveri që ka administruar 1 milionë e 600 mijë doza të vaksinave pa konsideruar asnjëherë Federatën ruse dhe Kinën si opsion, vetëm vaksinat e miratuara nga EMA dhe FDA pra evropiane dhe amerikane dhe në të njëjtën kohë nga 773 raste ditore brenda mesatares javore që i kishim para 9 muajve kur hymë në zyrë, kemi rënë vetëm në 9 raste. Popullsia mbi moshën 18 vjeçare është vaksinuar me së paku një dozë mbi dy të tretat dhe me dy doza mbi 60 për qind. Qytetarët mund të vaksinohen pa caktuar termin dhe madje pa qenë shtetas të Republikës sonë dhe unë i inkurajoj ata që nuk e kanë bërë që ta bëjnë e ata që tashmë e kanë bërë, ta marrin edhe dozën e tretë. Të hyrat tatimore janë rritur në Kosovë, i kishim mbi 588 milionë të hyra tatimore nga Administrata Tatimore sivjet ndërkaq nga Doganat e Kosovës, i kemi të hyrat 1 miliardë e 320 milionë euro sivjet. Të hyrat tatimore janë për 26 për qind më të larta se viti paraprak, 12 për qind më të larta se sa viti 2019 dhe 28 për qind më të larta se viti 2018. Doganat janë mbi një të tretat më të larta se viti i kaluar, për 17.5 për qind më të larta se viti 2019 dhe për 21 për qind më të larta se viti 2018. Pastaj kemi regjistruar diku rreth 10 mijë vende të reja pune, i kemi mbajtur 50 mbledhje si qeveri, me 458 vendime dhe gjithsej me 112 projektligje. Rritja ekonomike do të jetë dyshifrore, është interesant që tremujori i dytë i këtij viti kishte rritjen ekonomike 16.3 për qind ndërkaq tremujori i tretë i kishte 14.5 për qind. Eksportet janë rritur 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe madje 90 për qind krahasuar me vitin 2019 ndërkaq të hyrat buxhetore janë 30 për qind më të larta, që tregon se qytetarët kur e shohin një qeveri të pakorruptuar janë më shumë të gatshëm të paguajnë taksa dhe kontribute, ndërkaq kur kanë shpresë për të ardhmen po ashtu më shumë preferojnë të shpenzojnë se sa të kursejnë. Këto janë shifra të një shteti i cili po avancon nga një bazë e ulët, mirëpo po ecën përpara dhe në kontrast me rrëfimin e pavërtetë të Serbisë se Kosova është një shtet i dështuar, qeveria jonë po tregon që edhe vlerat demokratike evropiane por edhe progresi shoqëror dhe ekonomik në Kosovë, jo vetëm se janë të mundura por tashmë po ngjajnë.
Zëri i Amerikës: Pas këtyre të dhënave që ju i radhitet si suksese të qeverisë suaj ndryshe nga shkurti i vitit 2021 kur ju fituat me mbi 50 për qind, tetori dhe zgjedhjet lokale nuk e përsëritën një sukses të tillë. Si shpjegohet zoti kryeministër?
Albin Kurti: Është e vërtetë se në zgjedhjet lokale patëm një rezultat të pakënaqshëm për subjektin tonë politik, mirëpo Kosova tregoi një pjekuri demokratike të jashtëzakonshme. Ishin zgjedhjet e para që organizoheshin me mua si kryeministër. Edhe më 14 shkurt të vitit 2021 edhe më 17 tetor e 14 nëntor të këtij viti me zgjedhjet lokale, Kosova ka treguar se opozita mund të fitojë, që është kushti thelbësor për një situatë demokratike. Tash aq shumë është rritur mbështetja jonë në elektorat në fillim të këtij viti sa që në fund të këtij viti të preokupuar shumë me qeverisjen qendrore nuk kemi arritur as për së afërmi të krijojmë struktura të gjera dhe organizatë të madhe për ta përthekuar atë mbështetje dhe kjo besoj që na u shfaq në rezultatin jo të kënaqshëm. Më pastaj, faktor tjetër besoj se ka qenë edhe pandemia, ku subjekti ynë politik që është i njohur për tubime të mëdha, në kushte të pandemisë ne mund të mbanin vetëm tubime të vogla ndërkohë që për tubime të mëdha nuk kemi gjetur si organizatë ende zëvendësim. Pra, me aq sa dimë po i nxjerrim mësimet e duhura dhe do të bashkëpunojmë me komunat e Kosovës për zhvillimin dhe përparimin e të gjithëve, duke mos lënë mbrapa askënd.
Last modified: 31 Dhjetor, 2021