Prishtinë, 24 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e raportit përmbledhës të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur për gërmimet katër-javore në Komunën e Zubin Potokut.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se gërmimet në tri lokacione rezultuan me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore, që vlerësohet se u përkasin së paku 23 personave, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Edhe pse numri përkon me atë që njihet si “Grupi i intelektualëve”, kryeministri Kurti tha se “procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë se për kë bëhet fjalë dhe, bashkë me familjet, t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër”.
Teksa tha se është papërshkrueshëm e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë, kryeministri theksoi se qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por edhe drejtësi.
“Të dyja, zbardhja e fatit sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po u mohohen nga Serbia, që duke fshehur e duke mos i pranuar krimet, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t’i ikë përgjegjësisë. E nuk mjaftohet me këtë, Serbia arreston e përndjekë edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare”, tha ai.
Kryeministri Kurti përsëriti thirrjen që faktorët ndërkombëtarë ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior, që të zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Doemos më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra, posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera. Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund dënohen me pritje, ankth e dhimbje, edhe për 18 vjet të tjera. Andaj trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces. Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet, në vitin 2026, e jo në vitin 2044”, theksoi kryeministri.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,
Jemi bashkë me kryesuesin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limanin, dhe udhëheqësin e njësisë në këtë Komision, Kushtrim Gara, këtu bashkë para juve, për të prezantuar raportin përmbledhës për gërmimet në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, të komunës së Zubin Potokut.
Gërmimet katër-javore rezultuan me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore, që vlerësohet se u përkasin së paku 23 personave, të cilët dyshohet të jenë viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në lokacionin e parë, në varrin masiv ndërmjet Kalludrës së Madhe dhe të Vogël, sipas vlerësimeve të ekspertëve, mbetjet mortore të gjetura dhe zhvarrosura u përkasin së paku 13 personave. Në varrin masiv në Jabukë, përkatësisht në lokacionin e dytë, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 4 personave. Dhe, në lokacionin e tretë, përkatësisht varrin tjetër masiv në Kalludër, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore të së paku 6 personave.
Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të identifikimit, pasi veçse janë marrë dhe dërguar për analizë të ADN-së mostrat e mbetjeve që dyshohet se u përkasin katër personave, të gjetur në fshatin Jabukë. Ndërsa, për të tjerët po vazhdon procesi paraprak i ekzaminimeve në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës, të enjten e javës së kaluar prezantoi një sasi të madhe të armatimit të gjetur ndërmjet këtyre lokacioneve, armë këto që po ashtu janë nisur për ekzaminim dhe analizë për lidhjen potenciale të tyre me krimin dhe masakrat në këto tre lokacione.
Të dashur qytetarë,
Numri 23 përkon me atë që njihet si “Grupi i intelektualëve”, të cilët më 19 prill të vitit 1999, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë, që u përpoqën të fshehin dhe të zhdukin gjurmët e këtij krimi gjenocidal.
Por, procesi i identifikimit në tërësi mund të marrë edhe disa muaj kohë, andaj vetëm atëherë do të mund të flasim me saktësi të plotë së për kë bëhet fjalë dhe, bashkë me familjet, t’u japim një lamtumirë dinjitoze dhe nga një varr me emër e mbiemër.
Është papërshkrueshëm e dhimbshme pritja kaq e gjatë dhe ankthi i përjetuar nga familjarët e të zhdukurve me dhunë. Secili gërmim e secila informatë për një të tillë të mundshëm. Secili lokacion e secili emër. Qindra familje kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, por kërkojnë edhe drejtësi.
Të dyja, zbardhja e fatit sikurse edhe drejtësia, u janë mohuar dhe po u mohohen nga Serbia, që duke fshehur e duke mos i pranuar krimet, si dhe duke refuzuar të hapë arkivat e duke i klasifikuar ato, synon të tjetërsojë të vërtetën dhe t’i ikë përgjegjësisë. E nuk mjaftohet me këtë, Serbia arreston e përndjekë edhe ata pak serbë që kanë guxuar të dëshmojnë tek institucionet ndërkombëtare.
Andaj, më shumë se kurdo tjetër, në momente si ky, faktorët ndërkombëtarë duhet ta shtojnë trysninë ndaj fqinjit tonë verior, që të zbatojë Deklaratën për Personat e Zhdukur me Dhunë të dakorduar në Bruksel më 2 maj 2023, duke hapur dhe vënë në dispozicion arkivat shtetërore, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Doemos më duhet ta përsëris thirrjen për hapjen e arkivit të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila ka kryer masakra, posaçërisht në Drenicë, por edhe gjithandej Kosovës, dhe dosja e së cilës para 12 vjetësh është klasifikuar për 30 vjet. Pra, ajo mbetet e klasifikuar edhe 18 vjet të tjera.
Familjet që kanë pritur 27 dhe 28 vjet, nuk mund dënohen me pritje, ankth e dhimbje, edhe për 18 vjet të tjera. Andaj trysnia ndërkombëtare është jetike në këtë proces.
Dosjet e arkivuara dhe të klasifikuara të Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë së Jugosllavisë, duhet të hapen tash nga shteti i Serbisë, pra sivjet, në vitin 2026, e jo në vitin 2044.
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur qytetarë,
Nga prezantimi i hollësishëm nga ana e Komisionit do të shohim se gërmimet në veri të vendit kanë qenë të pakta dhe të kryera në rrethana të vështira, e shpeshherë të nxituara për shkaqe pasigurie, çka dëshmon se luftimi i bandave kriminale, shtrirja e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit tonë, kanë qenë parakusht që hetimet, gjurmimet e gërmimet të kenë sukses dhe ato të bëhen në mënyrë të papenguar.
Krahas Komisionit, dua të falënderoj Sektorin për Persona të Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe njësi tjera përkatëse të Policisë, që për një kohë të gjatë dhe intensivisht kanë hetuar dhe hulumtuar për këto lokacione, pastaj shpreh mirënjohjen time për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe institucionet tona të sigurisë e drejtësisë në përgjithësi. E, po ashtu, edhe ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) dhe ato mjekoligjore të EULEX-it, të angazhuara në kuadër të IML-së.
Faleminderit për vëmendjen. E tash po ia kaloj fjalën kryesuesit të Komisionit Agron Limani, para se të kalojmë te prezantimi i detajuar nga Kushtrim Gara.









