Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në takimin me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim

Prishtinë, 31 gusht 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në takimin me Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, që u organizua nga Zyra e Zëvendëskryeministrit të tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim.

Duke vlerësuar këtë takim si një mundësi për të diskutuar rolin e institucioneve në zbatim të të drejtave të komuniteteve, sfidat që shfaqen në nivel lokal dhe nevojën e forcimit të koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, kryeministri në detyrë Kurti tha se Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, andaj edhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve nuk duhet të kuptohet vetëm përmes zbatimit të kornizës ekzistuese ligjore dhe institucionale, por edhe përmes përfitimeve që i kanë të gjithë qytetarët pa dallim.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti përmendi fushat ku nevojitet koordinim i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe komunitete, siç janë arsimi, punësimi, qasja në shërbimet publike, të drejtat gjuhësore, shëndetësia, mbrojtja sociale, banimi, infrastruktura dhe pjesëmarrja në vendimmarrje.

“Zyrat mund dhe duhet të kenë një rol të rëndësishëm në këtë proces, nga identifikimi i problemit, te adresimi i tij, përcjellja e trajtimit dhe raportimi për rezultatet.
Na nevojiten të drejtat e normuara që tashmë i kemi me kushtetutshmëri dhe ligj, na nevojitet zbatimi i tyre, por na nevojitet edhe raportimi mbi dobinë nga ky zbatim që kanë qytetarët në shërbim të të cilëve jemi të gjithë bashkë”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Zëvendëskryeministri i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, tha se çështjet që i prekin komunitetet janë të shumta: arsimi, shëndetësia, shërbimet sociale, punësimi, të drejtat gjyqësore, infrastruktura dhe qasja në shërbimet publike.

“Qëllimi ynë sot është që së bashku me ju përfaqësuesit e Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim, të dëgjojmë përvojën tuaj nga terreni dhe ta shqyrtojmë se si mund të fuqizojmë bashkëpunimin ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror”, tha zëvendëskryeministri në detyrë Damka.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

I nderuari zëvendëskryeministër Fikrim Damka,
Të nderuar ministra, të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore, në veçanti të nderuar zyrtarë të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Mirëmëngjes, Dobro jutro, Günaydın, Lashi diteara,

Më lejoni që në fillim t’ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe angazhimin tuaj në temën për të cilën do të diskutojmë së bashku.

Ky takim është një mundësi për të diskutuar më konkretisht për rolin e institucioneve në zbatim të të drejtave të komuniteteve, për sfidat që shfaqen në nivel lokal dhe për nevojën e forcimit të koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

Republika e Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve nuk duhet të kuptohet vetëm përmes zbatimit të kornizës ekzistuese ligjore dhe institucionale, por edhe përmes përfitimeve që i kanë të gjithë qytetarët pa dallim.

Pikërisht këtu qëndron një nga çështjet më të rëndësishme që është evidentuar edhe gjatë diskutimeve me komunitetet, në shumë raste, sfida nuk lidhet me mungesën e të drejtave të garantuara, por me zbatimin e tyre në nivel praktik dhe lokal dhe rrjedhimisht me dobinë që duhet ta kenë qytetarët.

Në këtë drejtim, Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim kanë një rol të rëndësishëm institucional.

Ato janë pjesë përbërëse e administratës komunale dhe kanë mandat të identifikojnë, të promovojnë, të mbështesin, të zbatojnë dhe të mbikëqyrin politikat dhe aktivitetet që lidhen me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve. Ato kanë gjithashtu rol në lehtësimin e qasjes së barabartë në shërbimet publike dhe në identifikimin e nevojave në nivel lokal.

Andaj, roli i tyre nuk duhet të kufizohet vetëm në përcjelljen e informatave, por në zbatimin e aktiviteteve të veçuara.

Zyrat duhet të kenë një rol aktiv në mbajtjen e kontakteve të rregullta me komunitetet, në identifikimin e problemeve, adresimin e tyre tek institucionet përgjegjëse, përcjelljen e trajtimit të rasteve dhe raportimin e rregullt për zhvillimet në nivelin lokal.

Kjo posaçërisht është e rëndësishme sepse një pjesë e madhe e çështjeve që lidhen me komunitetet shfaqen pikërisht në nivelin lokal.

Arsimi, punësimi, qasja në shërbimet publike, të drejtat gjuhësore, shëndetësia, mbrojtja sociale, banimi, infrastruktura dhe pjesëmarrja në vendimmarrje, janë fusha ku nevojitet koordinim i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve dhe komuniteteve. Natyra dhe intensiteti i këtyre sfidave ndryshojnë nga një komunitet te tjetri dhe nga një komunë te tjetra.

Për këtë arsye, nuk mund të ketë një qasje të njëjtë për të gjitha komunitetet dhe për të gjitha komunat.

Nevojiten masa të përgjithshme për problemet që përsëriten në disa komunitete, por njëkohësisht nevojiten edhe ndërhyrje të përshtatura sipas nevojave gjuhësore, socio-ekonomike, gjeografike dhe kulturore të komuniteteve.

Kjo kërkon që institucionet të kenë informata më të sakta për nevojat në terren dhe të krijojnë mekanizma më të mirë për përcjelljen e zbatimit të politikave dhe të shërbimeve.

Të nderuar të pranishëm,

Një nga sfidat që duhet ta adresojmë është koordinimi ndërinstitucional.

Çështjet që identifikohen në nivel lokal shpesh kërkojnë angazhimin e më shumë se një institucioni. Për këtë arsye, është e rëndësishme që informacioni të mos ndalet në një nivel institucional, por të ekzistojë një rrjedhë e vazhdueshme ndërmjet komunave, institucioneve qendrore dhe mekanizmave të tjerë përgjegjës.

Zyrat mund dhe duhet të kenë një rol të rëndësishëm në këtë proces, nga identifikimi i problemit, te adresimi i tij, përcjellja e trajtimit dhe raportimi për rezultatet.
Na nevojiten të drejtat e normuara që tashmë i kemi me kushtetutshmëri dhe ligj, na nevojitet zbatimi i tyre, por na nevojitet edhe raportimi mbi dobinë nga ky zbatim që kanë qytetarët në shërbim të të cilëve jemi të gjithë bashkë.

Që kjo të funksionojë, nevojiten përgjegjësi të qarta, koordinim i rregullt, persona kontaktues dhe mekanizma të përshtatshëm për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave.

Monitorimi duhet të na ndihmojë të kuptojmë jo vetëm se çfarë aktivitetesh janë realizuar, por edhe nëse qytetarët dhe komunitetet kanë përfituar realisht nga politikat dhe shërbimet publike. Me fjalë të tjera nuk duhet të jemi të kënaqur vetëm ne si zyrtarë shteti a komune, por duhet të jenë të kënaqur qytetarët me shërbimet që i marrin duke na falënderuar edhe neve si zyrtarë shteti apo komune.

Në këtë kuptim, pjesëmarrja e komuniteteve është po aq e rëndësishme sa edhe angazhimi institucional.

Komunitetet nuk mund të jenë vetëm palë të konsultuara apo përfituese të politikave. Ato duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në identifikimin e prioriteteve, në diskutimin e zgjidhjeve dhe në monitorimin e zbatimit të tyre.
Qytetarët e Republikës, banorët e komunave, nuk janë konsumatorë të shërbimeve, por janë njerëz me të drejta të cilët duhet të kenë pjesëmarrje dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Për t’ju shërbyer siç duhet dhe sa duhet qytetarëve ne duhet që ata t’i bëjmë pjesë të ndërmarrjes së përbashkët shtetërore e demokratike. Pra, me fjalë të tjera qytetari nuk përfiton në fund, por ai është pjesëmarrës që nga fillimi.

Të nderuar zyrtarë të Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim,

Puna juaj është e rëndësishme pikërisht sepse ju jeni ndër mekanizmat institucionalë që e njihni nga afër gjendjen dhe nevojat në nivel lokal.

Sot duam të dëgjojmë nga ju për përvojat dhe sfidat që hasni në punën tuaj.

Cilat janë çështjet që përsëriten më shpesh?

Ku ekzistojnë pengesa në koordinimin ndërmjet institucioneve?

Ku nevojiten kapacitete shtesë?

Cilat çështje mund të adresohen në nivel komunal dhe cilat kërkojnë angazhimin e institucioneve qendrore?

Këto janë pyetje që duhet të na ndihmojnë të kalojmë nga identifikimi i përgjithshëm i problemeve drejt përcaktimit të veprimeve konkrete.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për forcimin e zbatimit të të drejtave të komuniteteve dhe për përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.

Qëllimi ynë duhet të jetë që përgjegjësitë institucionale të jenë të qarta, ndërhyrjet të planifikohen në bazë të nevojave konkrete, ndërsa rezultatet të monitorohen në mënyrë të rregullt.

Ngase një shtet nuk është një koleksion institucionesh.

Shteti është gjithmonë në shërbim të qytetarit dhe këtë e mendojë për secilën komunë e çdo komunitet.

Ju faleminderit për punën, angazhimin, rolin e kontributin tuaj dhe sot për pjesëmarrjen dhe vëmendjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors