Prishtinë, 4 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pranoi nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Dirk Schuebel, Raportin e sivjetmë për Vendin të Komisionit Evropian.
Pas pranimit të Raportit dhe takimit bilateral, kryeministri Kurti dhe ambasadori Schuebel mbajtën një konferencë e përbashkët për media.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në konferencën për media:
Thank you, Ambassador Schuebel.
Para pak orësh Komisioni Evropian e publikoi Raportin vjetor për Kosovën, si pjesë e Pakos së Zgjerimit. Raportin për Kosovën, unë e pranova në takimin që patëm para se të vij në këtë konferencë për medie, nga Ambasadori, në zyrën time, për çfarë e falënderoj.
Pas një periudhe të ngërçit politik, i cili përkon me pjesën më të madhe të periudhës kohore që e mbulon ky raport, më 6 tetor zgjodhëm Presidenten e Republikës, siç e dini të gjithë, duke i dhënë kësisoj fund përsëritjes së zgjedhjeve të panevojshme e të kushtueshme. Tani që kemi institucione plotësisht stabile dhe funksionim demokratik, kemi përshpejtuar dinamikën e reformave për integrim në Bashkimin Evropian, në veçanti të reformave prioritare të Planit të Rritjes.
Më lejoni të ritheksoj përkushtimin tonë si Qeveri dhe si shoqëri për anëtarësim të plotë të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Integrimi në BE mbetet prioritet yni strategjik afatgjatë, siç edhe nënvizohet në Raport. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë dhe të qëndrueshme të popullsisë dhe gëzon konsensus të gjerë ndërpartiak.
Megjithëkëtë, nuk mund të lëmë pa e thënë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë. Siç e kemi nënvizuar në të gjitha takimet dhe vizitat, në të gjitha nivelet dhe rastet ku na është dhënë mundësia – në veçanti me Presidentin Costa, pastaj Presidenten Von der Leyen, Komisioneren Kos, Kancelarin Merz, Presidentin Macron dhe shumë udhëheqës të tjerë të shteteve anëtare – Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur. Pas një muaji bëhen katër vjet që nga koha kur kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë të Republikës Çeke. Përkundër kësaj, Kosova edhe më tej mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, dhe përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e Bashkimit Evropian për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces. Prandaj, Ambasador, më lejoni ta ri-përsëris kërkesën tonë për dorëzimin sa më parë të pyetësorit rreth aplikimit tonë, ashtu që të hapet rruga për statusin kandidat dhe çeljen e negociatave.
Në këtë dekadë Kosova ka bërë progres të matshëm, dhe këtë e tregojnë edhe indekset ndërkombëtare. Gallup na rendit të parët në Evropë për sigurinë dhe besimin e qytetarëve në rend dhe ligj. Në indeksin e sundimit të ligjit të World Justice Project jemi para shumicës së vendeve të rajonit. Edhe në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij u ngritëm 15 vende këtë vit.
Raporti i Komisionit, të nderuar gazetarë, e vlerëson secilën fushë në dy mënyra. E para është niveli i përgatitjes, pra sa afër standardeve të Bashkimit Evropian janë ligjet dhe institucionet tona. E dyta është progresi gjatë periudhës njëvjeçare, pra sa kemi ecur në këta 12 muajt e fundit. Në raportin e këtij viti niveli i përgatitjes nuk ka rënë në asnjë fushë dhe Komisioni nuk konstaton kthim prapa askund.
Në luftën kundër krimit të organizuar niveli ynë është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në reformën e administratës publike, në drejtësi, liri dhe siguri, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në statistika, në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe në lirinë e shprehjes.
Gjatë periudhës raportuese, këta 12 muajt e fundit, i kemi mbajtur tri palë zgjedhje, komunale në tetor të vitit 2025, dhe parlamentare në dhjetor të vitit 2025 e në qershor të vitit 2026. Komisioni i vlerëson të gjitha si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë. Përfaqësimi i grave në Kuvend arriti 34 për qind. Mbi kuotën ligjore. Dhe, gratë udhëheqin Kuvendin dhe shtatë nga gjashtëmbëdhjetë komisionet parlamentare.
Kemi shënuar progres në siguri. Komisioni vlerëson se Policia e Kosovës ka kapacitet të mirë operacional dhe hetimor. Strukturat e inteligjencës në polici janë dyfishuar dhe kemi shtuar oficerët e lagjes, përfshirë ata në veriun e vendit tonë. Bashkëpunimi me policitë evropiane është përmirësuar ndjeshëm, dhe Policia e Kosovës sot bashkëudhëheq aksione evropiane kundër krimit kibernetik dhe kontrabandës së migrantëve. Vitin e kaluar u diplomuan 742 kadetë të rinj, përfshirë këtu 90 serbë, ndërsa Komisioni e vlerëson luftën kundër terrorizmit si përgjithësisht të kënaqshme.
Në politikën e jashtme dhe të sigurisë kemi arritur përafrim të plotë me Bashkimin Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Është e rëndësishme se nga ky vit do të vlerësohemi zyrtarisht edhe në kapitullin 31, për politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes. Me këtë Bashkimi Evropian pasqyron në mënyrë më të drejtë dhe më të plotë dhe njeh përbrendësimin nga ne si shtet dhe shoqëri të vlerave themelore evropiane, si dhe punën tonë të vazhdueshme për harmonizimin e plotë të politikës sonë të jashtme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, në këtë periudhë kritike për kontinentin tonë. Kjo gjithashtu përbën njohje nga të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian të një elementi të rëndësishëm të sovranitetit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet politike me të.
Kemi pasur rezultate edhe kundër krimit të organizuar. Komisioni e ka ngritur vlerësimin e Kosovës në këtë fushë dhe konstaton se dënimet përfundimtare për krimin e organizuar janë rritur ndjeshëm. Kuvendi miratoi ligjin e ri kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa Qeveria themeloi fondin e konfiskimit, që pasuria e fituar me krim t’iu kthehet qytetarëve dhe të investohet në siguri. Gjykata Supreme nxori udhëzime për gjykimin e rasteve të pastrimit të parave, dhe Policia ka tani kapacitetet për të sekuestruar edhe kriptoasete. Vitin e kaluar Policia shkatërroi rreth një ton e gjysmë narkotikë dhe konfiskoi mbi 1,900 armë. Në lëvizjen e lirë të kapitalit Komisioni vlerëson progres të mirë dhe konstaton se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar në masë të madhe.
Në luftën kundër korrupsionit, raporti konstaton se vendimet dhe dënimet përfundimtare për pesë raste që nuk janë të nivelit të lartë janë rritur ndjeshëm dhe se raportimet e sinjalizuesve tek Agjencia kundër Korrupsionit pothuajse janë dyfishuar. Gati të gjithë zyrtarët që obligohen nga ligji, e kanë deklaruar pasurinë, dhe shumica e institucioneve kanë miratuar plane integriteti. Raporti konstaton gjithashtu se në rastet e nivelit të lartë rezultatet nuk janë aty ku duhet të jenë, dhe këtë vërejtje e marrim seriozisht, por thotë: “dobësia kryesore qëndron te zbatimi dhe dënimi, jo te korniza ligjore”.
Qeveria do të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe do të forcojë me staf dhe buxhet Agjencinë kundër Korrupsionit dhe Njësinë Speciale Hetimore të Policisë. Gjykimi i rasteve është punë e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe ne do t’i mbështesim me burime pa ndërhyrë në punën e tyre. Pas katër vjetësh me ushtrues detyre, këtë vit u zgjodh Kryeprokurori i Shtetit, ndërsa Këshilli Prokurorial ka tani përbërje të plotë.
Kemi shënuar progres edhe në administratën publike dhe në shërbimet për qytetarët, me ç’rast unë po i theksoj kryesoret:
· Rekrutimi në shërbimin civil tani bëhet në mënyrë të centralizuar.
· Themeluam Gjykatën Administrative, që Komisioni e quan hap të rëndësishëm drejt një drejtësie administrative më të shpejtë dhe më të parashikueshme.
· Shërbimet në e-Kosova janë zgjeruar. Janë mbi 330 sosh tanimë.
· Me ligjin e ri për shtetësinë, procedurat janë më të shkurtra dhe bashkatdhetarët tanë në shtetet e Bashkimit Evropian e kanë më të lehtë ta rifitojnë shtetësinë e Kosovës.
· Raporti vlerëson gjithashtu avancimin e masave për uljen e barrës administrative dhe përmirësimin e shërbimeve publike, hapa që synojnë më pak procedura për qytetarët dhe bizneset.
Kemi shënuar progres edhe në ekonomi:
· Borxhi publik mbetet ndër më të ulëtit në Evropë, rreth 16 për qind e bruto produktit vendor dhe rregullat fiskale janë respektuar.
· Rritja ekonomike u përshpejtua në 5.4 për qind në fillim të këtij viti, përkatësisht në çerekun e parë, ndërsa agjencia Fitch Rating e konfirmoi vlerësimin tonë kreditor me perspektivë stabile.
· Të hyrat buxhetore janë rritur me 8.3 për qind. Komisioni evidenton përparim në përmirësimin e ambientit të biznesit dhe në reduktimin e ekonomisë informale.
· Dhe, doganat e kanë përfunduar kalimin në terminale publike, ku tarifat për zhdoganim janë hequr ose ulur në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, ndërsa që nga marsi ofrojnë edhe zhdoganimin para mbërritjes së mallit.
Punësimi dhe pjesëmarrja në tregun e punës janë rritur, edhe falë skemës SuperPuna, që sipas Komisionit ka sjellë rezultate shumë të mira. Kërkesat për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian ranë gati për gjysmë, gjë që tregon se liberalizimi i vizave ka pasur sukses dhe atë e kemi ruajtur me përgjegjësi.
Në politikat sociale, Inspektorati i Punës e dyfishoi numrin e inspektorëve, në 120 sosh.
Shtesat për fëmijë tani mbulojnë mbi 390 mijë fëmijë, ndërsa paga minimale u rrit në 500 euro nga 1 korriku sivjet.
Në arsim, regjistrimi i fëmijëve pesëvjeçarë në arsimin parafillor arriti 87 për qind, pas futjes së arsimit të detyrueshëm parafillor, ndërsa arsimi dual tani ofron 16 kualifikime apo profile të ndryshme. Buxheti për kërkime shkencore u rrit për 35 për qind, dhe studentët tanë fituan numrin më të madh të bursave Erasmus Mundus deri më tani.
Në energji, Komisioni vlerëson progres të mirë në masat e efiçiencës së energjisë për familjet dhe bizneset, ndërsa në prill nisën punimet për përmirësimin mjedisor të termocentralit Kosova B. Në mjedis, me vendosjen e Malit të Mokrës dhe Liqenit të Ujmanit nën mbrojtje paraprake, sipërfaqja e mbrojtur e Kosovës arriti në 12.4 për qind, ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor.
Në tregti, nën kryesimin tonë CEFTA miratoi 12 vendime, ratifikuam protokollet e reja të CEFTA-s, dhe finalizuam marrëveshjen e tregtisë së lirë me EFTA-n e cila tashmë ka hyrë në fuqi.
Në kuadër të Planit të Rritjes, Kuvendi ratifikoi marrëveshjet në shkurt, Komisioni liroi parafinancimin prej 61.8 milionë eurosh dhe në korrik e dorëzuam kërkesën e parë për pagesë për reformat e zbatuara.
Kosova merr pjesë në nëntë programe të Bashkimit Evropian. Gjatë vitit 2025, kontributi prej rreth 805 mijë eurosh ka mundësuar rreth 6.1 milionë euro financim nga këto programe për përfituesit në Kosovë. Ky është shembull konkret i përfitimeve që sjell pjesëmarrja në programet evropiane.
Në dialog Progresi i vetëm këtë vit lidhet me marrëveshjen e 14 marsit për të huajt që e kemi arritur me Bashkimin Evropian dhe që Bashkimi Evropian e ka vlerësuar, si dhe takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.
Ky vit i raportimit ka qenë sfidues, sepse bllokada institucionale e Kuvendit e ngadalësoi ritmin e reformave, siç e thotë edhe vetë Komisioni. Për shkak të saj u vonua ratifikimi i marrëveshjeve të Planit të Rritjes, u vonuan reformat në financat publike dhe shumë ligje mbetën në pritje. Prandaj në disa fusha progresi i këtij viti është më i ngadaltë se në vitin e kaluar. Nuk kemi rënë në nivel, por kemi ecur më ngadalë pasi kuvendi u mbajt i bllokuar.
Vërejtjet e Raportit ne i marrim seriozisht. Paketa e ligjeve për sistemin e drejtësisë do të miratohet. Do të miratojmë edhe ligjin e punës, pastaj ligjin për sigurinë në punë, ligjin për komunikimet elektronike dhe sigurinë kibernetike, ligjin e ri për prokurimin publik, ligjin për pagesat e vonuara në transksionet tregtare dhe ligjin për shëndetin e kafshëve.
Shumica e këtyre ligjeve janë edhe pjesë e Agjendës së Reformave, prandaj sa më shpejt t’i miratojmë, aq më shpejt e afrojmë Kosovën me standardet dhe me fondet evropiane.
Megjithatë, mendojmë se pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin të cilin e kemi bërë.
Gati katër vjet pas aplikimit, po e ritheksoj, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Kosova e ka treguar se demokracia, liritë dhe të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, janë pjesë e jetës sonë të përditshme, edhe në vitin më sfidues institucional. Kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë, me vlerat në qendër.
Ne nuk kërkojmë favorizime apo privilegje, kërkojmë vetëm vlerësime për atë që meritojmë dhe na takon. Prandaj, e theksoj kërkesën për dorëzimin sa më parë të pyetësorit për statusin kandidat dhe vendimin për hapjen e negociatave, që s’duhet të vonojë.
Ne do të vazhdojmë me reformat, sepse i bëjmë para së gjithash për qytetarët tanë ato, dhe e dimë se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kalon pikërisht nëpërmjet reformave.
E falënderoj edhe një herë Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme.
Ju faleminderit!













