Viti, 2 shtator 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, morën pjesë në përurimin e investimeve në efiçiencë të energjisë në Qendrën për Punë Sociale në komunën e Vitisë.
Me investimin në vlerë të gjithmbarshme në vlerë 139 mijë euro, kryeministri tha se arrihet që konsumi vjetor i energjisë në këtë Qendër të ulet për rreth 74 për qind.
“Kemi një skemë kthyese, ku Qeveria e financon investimin, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë e zbaton, ndërsa komuna e kthen shumën gradualisht nga kursimet e faturave të energjisë. Kësisoj, buxheti komunal nuk ngarkohet me kosto shtesë dhe mjetet e kthyera përdoren përsëri për rinovimin e objekteve të tjera”, tha kryeministri Kurti.
Duke vlerësuar rëndësinë që kanë Qendrat për Punë Sociale, ai tha se investimi në to është pjesë e vizionit për të shkuar përtej skemave tradicionale të politikave sociale.
Deklarimi i plotë i Kryeministrit në detyrë Kurti:
Jemi këtu bashkë tek Qendra për Punë Sociale në Viti me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, por edhe me drejtorin e Qendrës për Punë Sociale, Sylë Salihu, me drejtoren e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxhën dhe me stafin e kësaj qendre, të cilët punojnë pa u ndaluar në shërbim të qytetarëve të Vitisë.
Qendra për Punë Sociale është vendi ku takohet qytetari me shtetin dhe ku një fëmijë duhet mbrojtur, një i moshuar apo një person në nevoja të veçanta nuk mund t’ia dalë i vetëm dhe ka nevojë për ndihmë, apo kur edhe një familje e tërë ka nevojë për përkrahje.
Cilësia e shërbimeve natyrisht që varet edhe nga kushtet e punës në të cilën punojnë njerëzit e kësaj qendre. Andaj ne kujdesemi që t’i mbështesim për efiçiencë të energjisë. E kanë kaldanë e re prej 90 kilovatëve tash, por gjithashtu janë ndryshuar edhe kushtet sa i përket ndriçimit, pastërtisë së ajrit dhe temperaturës së përshtatshme me ndërrimin e dritareve dhe të fasadës.
Kjo është edhe në kuadër të vizionit tonë për të shkuar përtej skemave tradicionale të politikave sociale. Siç e dini mbështetja për 400 mijë fëmijë dhe 80 mijë nëna të reja, pra lehona, e deri tek rritja e pensioneve bazike prej 90 euro në 150 euro, që ka prekur rreth 200 mijë të moshuar, janë dëshmi për këtë qasje tonë të re, ku politika sociale konsiderohet drejtësi për të cilën shteti ka përgjegjësi e popullsia ka përfitim.
Në këtë investim në Qendrën për Punë Sociale arrihet që konsumi vjetor i energjisë të ulet përafërsisht 74 për qind, ndërkaq vlera e gjithmbarshme e investimit në renovimin e ndërtesës është 139 mijë euro.
Pra, kemi një skemë kthyese, ku Qeveria e financon investimin, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë e zbaton, ndërsa komuna e kthen shumën gradualisht nga kursimet e faturave të energjisë. Kësisoj, buxheti komunal nuk ngarkohet me kosto shtesë dhe mjetet e kthyera përdoren përsëri për rinovimin e objekteve të tjera.
Unë i falënderoj të gjithë punonjësit, drejtorin Sylë Salihu dhe natyrisht ju dëshiroj punë të mbarë në angazhimet e tyre në shërbim të qytetarëve të Vitisë pa dallim.













