Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, kryeministri në detyrë Kurti përsëriti thirrjen për hapjen e arkivave dhe deklasifikimin e dokumentacioneve nga Serbia

Prishtinë, 30 gusht 2026

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përfaqësues tjerë institucionalë dhe të shoqatave të familjeve, si dhe ambasadorë e diplomatë të tjerë të akredituar në vendin tonë, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te Memoriali i Personave të Zhdukur me Dhunë.

Deklarata e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

Bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës, znj. Albulena Haxhiu, me ministrin Xhelal Sveçla dhe me kolegë të tjerë nga institucionet e Republikës, por edhe me shoqatat e të pagjeturve, pra të zhdukurve me dhunë, vumë lule të freskëta dhe bëmë homazhe këtu tek memoriali, i cili përkujton, të gjithë qytetarët e Republikës, sidomos institucionet, se kemi familje për të cilat lufta nuk ka përfunduar ende.

Janë mbi 1500 të pagjetur, familjet e të cilëve jetojnë me ankth, pikëllim, me mundime, të cilat ne as s’i përshkruajmë as s’i kuptojmë taman dot, për shkak se nuk kanë një varr të dinjitetshëm për më të dashurit e tyre, të cilët nuk janë thjesht numra, nuk janë vetëm emra e mbiemra, por janë njerëz, të cilët sot do të ishin mjekë, inxhinierë, punëtorë e menaxherë, do të ishin arkitektë e profesorë dhe, të cilët do të kontribuonin në jetën ekonomike e shoqërore të vendit tonë. Por edhe do të gëzonin familjet e tyre dhe do të kishin edhe ata familjet e tyre. Andaj, ky është një krim shumë i rëndë, i cili duhet të zbardhet dhe për të cilin duhet të vihet në vend drejtësia.

Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve, sivjet, na gjen pesë javë pasi që u bënë gjetjet e para nga gërmimet në veri të Kosovës, përkatësisht në fshatin Kalludër, ku deri më tani janë zbuluar dy varreza masive. Njëra prej tyre është me 13 mbetje mortore, tjetra është me 6, si dhe kemi edhe një varrezë të tretë massive me së paku 4 mbetje mortore, në fshatin Jabukë, një kilometër larg Kalludrës në veri të vendit.

Mos të harrojmë edhe deklaratën e 2 majit të vitit 2023, me të cilën Serbia zotohet se do të bashkëpunojë për hapjen e arkivave, në mënyrë që të zbardhet e vërteta.

Më duhet ta ritheksoj, që një ndër dosjet më të rëndësishme që duhet të deklasifikohet, është ajo e Brigadës së Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë, posaçërisht në Drenicë. Nuk mund të presim deri në vitin 2044, që të hapen këto arkiva. Ato do të duhej që të hapeshin qysh dje, qysh pardje. Ndërkohë që janë klasifikuar pikërisht në vitin 2014, atëherë kur presidenti aktual i Serbisë, Vuçiq, ishte ministër i Mbrojtjes dhe ishte gjithashtu edhe koordinator i shërbimeve sekrete informative. Tash, merreni me mend, ky që tash është president i Serbisë, në vitin 2014, kur janë klasifikuar dosjet e Ushtrisë Jugosllave që kanë kryer krime në Kosovë, e në veçanti e Brigadës së Motorizuar 37, ka qenë ministër i Mbrojtjes dhe koordinator i shërbimeve invormative dhe sekrete të Serbisë.

Prandaj, tash që kanë kaluar 12 vjet nga klasifikimi i kësaj dosje, nuk mund të presim ne edhe 18 vjet të tjera, deri në vitin 2044, që ato të hapen. Duhet të hapen një ditë e më parë.

I falënderojmë edhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, që ishin të pranishëm sot këtu bashkë me ne për të bërë homazhe për të pagjeturit. Por, në të njëjtën kohë, kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet, dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra milionëshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve.

Neve si shtet po na kushton shumë, të bëjmë gërmime e gjurmime, të humbim shumë kohë. Informacionet na vinë jo të plota, pastaj na vinë jo të sakta, dhe është shumë frustruese edhe për organet e shtetit që të bëjmë gjithë këto gërmime, e të gjejnë megjithatë jo shumë trupa. Këto gërmime nuk do të kishte nevojë që t’i bëjmë kuturu, sikur ta kishim hapjen e dosjeve në Beograd. Prandaj, shtetit tonë po i kushton shumë, jo vetëm familjeve, por edhe shtetit po i kushton shumë fakti që në Beograd dosjet vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Prandaj, hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë, e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth, dhe, gjithashtu edhe për kontributin në paqen e përgjithshme në rajonin tonë.

Kurrë nuk ka pasur më shumë bashkërendim midis institucioneve që merren me çështjen e të zhdukurve me dhunë, sa tani.

Siç e përmendi edhe presidentja, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, sidomos Njësia për Hetimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prokuroria e Shtetit, Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, që të gjithë këta, janë duke bashkëvepruar ngushtë. Është duke u punuar shumë më shumë se përpara, dhe shumë më shumë se përpara jemi bashkë, teksa punojmë.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors