Livadicë, Podujevë, 17 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila dhe kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vunë gurthemelin e Parkut Industrial në fshatin Livadicë të komunës së Podujevës, investim në vlerë 3.1 milionë euro.
Me këtë rast, kryeministri shprehu kënaqësinë që ndodhet në Podujevë për të shënuar fillimin e punimeve në Parkun Industrial të Livadicës.
“Synimi ynë si Qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër “Made in Kosova”, ashtu që jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri tha se parqet industriale janë të menduara për bizneset vendore, të cilat duan të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre, për qytetarët tanë nga diaspora që duan të sjellin kapitalin dhe përvojën e tyre në vendlindje, si dhe për investitorët e huaj që shohin mundësi për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Republikën e Kosovës
Kryeministri shtoi se nisja e këtij investimi në Podujevë është një hap konkret drejt këtij vizioni, duke krijuar një bazë të re për investime, prodhim dhe zhvillim ekonomik në këtë pjesë të Kosovës.
“Si Qeveri, do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e kushteve më të mira për investime dhe prodhim. Sepse, kjo nënkupton më shumë vende pune, më shumë të ardhura për familjet dhe gjithsesi më shumë mundësi për të rinjtë tanë”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, tha se është fakt i fortë se ekonomia e Kosovës që nga viti 2019 është dyfishuar, shërbimet tona kanë arritur eksportin deri në 4 miliardë euro, ndërsa ende kemi sfidë me deficitin tregtar të produkteve. Prandaj, për ne është tepër e rëndësishme që infrastrukturën industriale ta zhvillojmë, të ofrojmë mundësi të punës dhe prodhimit në Republikën e Kosovës dhe aktualisht ministria është duke u angazhuar në aktivizimin e 16 zonave industriale.
Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se është kënaqësi e veçantë, që sot po vihet gurthemeli i fillimit të punimeve në Parkun Industrial në Podujevë, një projekt ekonomik ky më i rëndësishmi për këtë komunë dhe i mirëpritur nga bizneset, për shkak se për shumë vite Podujevës i ka munguar një projekt i tillë.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuari z. Shpejtim Bulliqi, Kryetar i Komunës së Podujevës,
E nderuara Ministre Kusari-Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
Të dashur qytetarë të Podujevës,
Kam kënaqësinë që të jem sot me ju këtu në Podujevë për të shënuar fillimin e punimeve në Parkun Industrial të Livadicës.
Synimi ynë si Qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër “Made in Kosova”, ashtu që jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.
Parqet industriale janë të menduara për bizneset vendore të cilat duan të zgjerohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre, për qytetarët tanë nga diaspora që duan të sjellin kapitalin dhe përvojën e tyre në vendlindje, si dhe për investitorët e huaj që shohin mundësi për të zhvendosur një pjesë të prodhimit të tyre në Republikën e Kosovës.
Kosova ofron një sërë përparësish për investitorët, duke filluar nga fuqia punëtore e re, e kualifikuar dhe konkurruese, afërsia me tregun e Bashkimit Evropian, kostot konkurruese të operimit, si dhe një politikë fiskale e favorshme.
Prandaj, nisja e këtij investimi në Podujevë është një hap konkret drejt këtij vizioni, duke krijuar një bazë të re për investime, prodhim dhe zhvillim ekonomik në këtë pjesë të Kosovës.
Dua të falënderoj Kryetarin e Komunës për bashkëpunimin dhe punën e mirë që është bërë së bashku me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Projekte si ky kërkojnë koordinim të mirë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, dhe projekti që po nisim sot dëshmon se ky bashkëpunim mund të sjellë rezultate konkrete.
Si Qeveri, do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e sektorit privat dhe krijimin e kushteve më të mira për investime dhe prodhim. Sepse kjo nënkupton më shumë vende pune, më shumë të ardhura për familjet dhe gjithsesi më shumë mundësi për të rinjtë tanë.
Sot po fillojmë me punimet, ndërsa së shpejti pres që ky park të bëhet shtëpi e madhe e re për bizneset.












