Ferizaj, 14 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi, vizitoi sot teatrin “Adriana” në Ferizaj, për të parë nga afër punimet për restaurimin e përgjithshëm të këtij teatri.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, tha se ky teatër është një ikonë e qytetit dhe njëkohësisht aset i trashëgimisë kulturore. Sepse, siç tha ai, në këtë teatër është zhvilluar edhe Festivali i Teatrove, Festivali i Filmit, ai i muzikës e i këngës “Kosovarja Këndon” si dhe Festivali i Këngëve për Fëmijë.
Vlera e gjithmbarshme e këtij investimi nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, është afër 1 milionë e 163 mijë euro dhe pritet të përfundojë brenda dy vjetësh.
Prononcimi i kryeministrit në detyrë Kurti:
Të nderuar të pranishëm,
Jemi këtu bashkë me Ministren e Kulturës dhe të Turizmit, Saranda Bogujevcin, me zëvendësen e saj, Nora Arapi Krasniqi dhe me operatorin ekonomik, për të parë fillimin e punimeve në Teatrin “Adriana” këtu në Ferizaj, pra një teatër, i cili mban emrin e aktores së këtij qyteti, që u vra mizorisht nga një sulm terrorist dy ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s në pranverën e vitit 1999 nga forcat armike serbe dhe për nder të saj, ky teatër tash mban emrin “Adriana”.
Këtu, siç e dimë të gjithë, sepse kemi ardhur shumë shpesh, është zhvilluar edhe Festivali i Teatrove, pastaj edhe Festivali i Filmit, por edhe i muzikës e i këngës “Kosovarja Këndon” e gjithashtu edhe Festivali i Këngëve për Fëmijë, prandaj, është një ikonë e qytetit dhe njëkohësisht aset i trashëgimisë kulturore.
Mua më vjen mirë që kanë nisur puna me dinamikë të madhe dhe që do të kemi restaurim edhe të brendshëm edhe të jashtëm edhe të kulmit edhe të sallës kryesore edhe të oborrit, meqenëse edhe oborri ka nevojë për ndërhyrje të shumta, ashtu që të jetë pritja e shikuesve sa më e përzemërt e dinjitoze dhe, e gjithë kjo kap një shumë të gjithmbarshme prej afër 1 milion e 163 mijë euro, ndërkaq punimet do të kryhen në baze të kontratës për maksimum për 2 vjet e do të përpiqemi, siç na tha operatori ekonomik, që kjo të bëhet edhe më shpejt se kaq.
Ky është një njoftim shumë i mirë për qytetarët e Ferizajt, por edhe në përgjithësi për artdashësit, por posaçërisht ata të teatrit.
Ju falënderoj të gjithëve për këtë angazhim që po bëni dhe do të na kemi edhe neve pranë edhe me mbështetje edhe me mbikëqyrje.













