Prizren, 11 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ishte në edicionin e 25-të jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar “DokuFest”.
Në mesin e shumë artistëve vendorë e ndërkombëtarë, kryeministri Kurti u takua me regjisorin, Mark Cousins.
“Shekulli XX është: tri luftëra botërore dhe kinemaja. Dy luftëra të nxehta e një e ftohtë, dhe filmat. Nëse shikimi i mendjes mbi shikimin e kamerës në shekullin e kaluar e kishte André Bazin, shekulli XXI e ka Mark Cousins”, ka shkruar kryeministri.
“15 epizodat e “The Story of Film: An Odyssey” janë një vështrim mbi historinë e filmit pas së cilit nuk do të mund t’i shikoni filmat më njësoj dhe do të detyroheni t’i shikoni disa sosh për të cilët nuk keni dëgjuar më parë. (E unë s’u përmbajta dot pa i thënë që më ka ngelur merak pse nuk e ka përfshirë filmin “Bagdad Cafe” (1987)). Ndërkaq “Here Be Dragons” është përsiatje unike e tij mbi Shqipërinë me përplot dhimbje e dashuri”, ka shkruar kryeministri Kurti, duke vënë në pah punën e regjisorit Cousins.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti ka shkruar se tash e 25 vjet, “DokuFest” është vendosur në një hartë më të gjerë të festivaleve evropiane, duke i dhënë një tjetër peshë industrisë së filmit në Kosovë dhe në rajon.
Pas anëtarësimit në European Youth Card Association para më shumë se një viti e gjysmë, kryeministri Kurti ka thënë se të rinjtë e kanë mundësinë që të marrin biletat me 30% zbritje.

















