Prishtinë, 3 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion të Vespa Fanatics Prishtina, të prirë nga kryetari i klubit Enis Berkolli, njëherësh kryetar i Vespa Club Kosova.
Duke u ofruar mbështetje, kryeministri Kurti i falënderoi për përfaqësimin që po i bëjnë Kosovës në organizimet ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit.
Në takim u diskutua për përgatitjet për organizimin e “Vespa Festival Prishtina 2026”, në kryeqytet, më 5 dhe 6 shtator.
Përfaqësuesit e klubit treguan se në këtë festival pritet të ketë klube pjesëmarrëse nga më shumë se dhjetë shtete, përshirë: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Turqinë, Greqinë, Italinë, Zvicrën, Gjermaninë, Belgjikën, Spanjën dhe Meksikën.
E po ashtu, personalitete si: Mauro Calestrini, president i Vespa World Club; Marco Manzoli, sekretar i Piaggio Group dhe sekretar i Vespa World Club; Rossella Fugaro, përfaqësuese e Vespa Trophy; dhe, përfaqësues të tjerë të Vespa Club Europa.
Pjesë e rëndësishme bisedës ishte aplikimi dhe përgatitja për organizimin e festivalit “European Vespisti Week 2028”, në Kosovë.
Klubi Vespa Fanatics Prishtina ka rreth 120 anëtarë, prej të cilëve më shumë se 30 janë gra. Muajin e kaluar klubi mori pjesë në “European Vespisti Week 2026”, në Ostend, Belgjikë, dhe “Vespa World Days 2026” në Romë, Itali.







