Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim ministrin e deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Haddad

Prishtinë, 27 korrik 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad, pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve dhe një deklarate synimi ndërmjet dy shteteve mëngjesin e së hënës.

Duke i uruar mirëseardhje në kryeqytetin e Republikës, në vizitën që vjen si vazhdimësi e drekës së punës me presidentin Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize dhe të angazhimit të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Haddad për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

Kryeministri Kurti tha se nënshkrimi i marrëveshjeve dhe deklaratës në fushën e sportit, drejtësisë dhe arsimit, është hap i rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve.

Pasi përmendi dobitë nga marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, kryeministri nënvizoi rëndësinë e mbështetjes nga Franca në zhvillimin e infrastrukturës dhe ofrimin e ekspertizës në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë. Ndërkaq, i vlerësoi tejet të rëndësishme për administrimin e drejtësisë dhe luftimin e krimit, marrëveshjet për ekstradim dhe për bashkëpunim të ndërsjellë juridik në çështjet penale.

Krahas diskutimeve për potencialin dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në sektorë të tjerë, kryeministri Kurti foli edhe për proceset integruese euro-atlantike dhe rëndësinë e mbështetjes nga Franca. Ndërkaq, përmendi rritjen e qëndrueshme ekonomike, sundimin e ligjit, liritë civile dhe të drejtat e njeriut dhe institucionet demokratike.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors