Kryeministri në detyrë Kurti priti në takim drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAkt”, Zymberaj, dhe zëvendës-presidenten e Forumit Ndërkombëtar të Monodramës, Mazur

Prishtinë, 13 qershor 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin dhe themeluesin e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “MonoAkt”, aktorin dhe regjisorin Mentor Zymberaj, së bashku me artisten ukrainase Nina Mazur, Zëvendës-Presidente e Forumit Ndërkombëtar të Monodramës, e cila e hapi edicionin e 18-të të festivalit në Kosovë.

“MonoAkt tashmë është kthyer në një festival tradicional dhe një platformë të veçantë për kultivimin e monodramës në Kosovë dhe përtej saj. Përmes edicioneve të tij, festivali ka sjellë artistë, shfaqje, punëtori dhe shkëmbime profesionale nga vende të ndryshme, duke e pasuruar skenën tonë teatrore dhe duke e lidhur atë me rrjete ndërkombëtare të monodramës” theksoi kryeministri në detyrë Kurti.

Në takim u diskutua për programin e këtij edicioni, për zhvillimin e mëtejshëm të festivalit dhe për rëndësinë e hapësirave e ngjarjeve që krijojnë ura bashkëpunimi mes artistëve, publikut dhe kulturave të ndryshme.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se “ishte kënaqësi e veçantë të njihem më afër edhe me punën e Nina Mazur, e cila prej më shumë se dy dekadash jeton e vepron në Gjermani, një emër i rëndësishëm në fushën e monodramës, e angazhuar në rrjete ndërkombëtare teatrore dhe në promovimin e këtij zhanri në nivel global”.

Ai e përgëzoi Festivalin “MonoAkt” për këtë edicion të suksesshëm, me prurje të reja artistike dhe me vazhdimësi në zhvillimin e kësaj forme të rrallë teatrore në vendin tonë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors