Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në pritjen për shënimin e 35-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Ukrainës

Prishtinë, 24 gusht 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenca për shënimin e 35-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Ukrainës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se në vitin 1991 parlamenti ukrainas votoi aktin që ia ktheu popullit të vet të drejtën për të vendosur vetë ai për fatin e tij. Ai shtoi se për më se katër vjet, Ukraina është detyruar ta mbrojë të drejtën e saj me armë në dorë, sepse Federata Ruse, e ndërtuar mbi logjikën e luftës së përhershme për zgjerim territorial, vendosi ta zhbëjë me forcë.

Kryeministri Kurti tha se qëndrimi i Republikës së Kosovës ka qenë i njëjtë që nga dita e parë dhe se solidariteti ynë me Ukrainën nuk ka qenë kurrë transaksion.

“Ne jemi të vetëdijshëm se Kievi ende nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ky qëndrim u përsërit para dy javësh. Ne besojmë se ai qëndrim nuk qëndron as para fakteve historike, as para të drejtës ndërkombëtare dhe do ta themi këtë sa herë të jetë nevoja, njëjtë siç e mirëpresim njohjen e pavarësisë nga Ukraina dhe çdo shtet tjetër liridashës e paqedashës që ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Kosova dhe populli shqiptar qëndrojnë jo vetëm në vendin e tyre, por edhe në të drejtën e tyre historike” theksoi kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara znj. Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës,
Të dashur ukrainas,
Të nderuar përfaqësues të organizatave të ndërkombëtare,
Zonja dhe zotërinj,

Ukraina sot shënon tridhjetepesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në vitin 1991 parlamenti ukrainas votoi aktin që ia ktheu popullit të vet të drejtën për të vendosur vetë ai për fatin e tij.

Katër vjet e gjysmë nga këto tridhjetë e pesë, Ukraina është detyruar ta mbrojë atë të drejtë me armë në dorë, sepse Federata Ruse, e ndërtuar mbi logjikën e luftës së përhershme për zgjerim territorial, vendosi ta zhbëjë me forcë.
Mirëpo, sivjet janë mbushë edhe 12 vjet nga agresioni i Rusisë, kur ajo në vitin 2014 sulmoi dhe okupoi Krimenë dhe rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.

Kjo luftë nuk ka asnjë justifikim. Nuk e nisi Ukraina dhe nuk mund ta ndalë Ukraina, duke u tërhequr apo duke u dorëzuar. Rusia e ka sulmuar Ukrainën me qëllimin që ta shuajë si komb dhe si shtet.

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka verifikuar mbi gjashtëmbëdhjetë mijë civilë të vrarë dhe mbi dyzet e tetë mijë të plagosur që nga 24 shkurti i vitit 2022, duke theksuar se shifrat reale janë më të larta se kaq. Ky numër vazhdon të rritet. Korriku i këtij viti ishte muaji me më shumë civilë të vrarë që nga maji i vitit 2022. Tre milionë e shtatëqind mijë njerëz janë zhvendosur brenda vendit dhe pothuajse gjashtë milionë janë refugjatë jashtë tij.
Platforma shtetërore ukrainase “Fëmijët e Luftës” numëron shtatëqind e tridhjetekatër fëmijë të vrarë, mbi dy mijë e tetëqind të plagosur dhe mbi njëzet mijë fëmijë të deportuar ose të zhvendosur me dhunë. Prej tyre janë kthyer në shtëpi vetëm dy mijë e pesëqind.

Vrasja, vjedhja e zhdukja e fëmijëve, tregon se çfarë niveli çnjerëzor e barbar të Rusisë kemi sot në Ukrainë, por gjithashtu është dëshmi edhe për qëllimin përfundimtar të saj, atë të zhdukjes së kombit ukrainas.

Qëndrimi i Republikës së Kosovës ka qenë i njëjtë që nga dita e parë. E kemi dënuar ashpër agresionin dhe jemi rreshtuar plotësisht me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Kemi strehuar gazetarë ukrainas në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave, Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës. Instruktorët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë pjesë e Operacionit Interflex për trajnimin e ushtarëve ukrainas, si dhe kemi dërguar ndihmë ushtarake, automjete dhe municion.

Si anëtar i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ne marrim pjesë aktive së bashku me partnerët tanë në koordinimin e mbështetjes dhe në përgjigjen ndaj nevojave mbrojtëse të Ukrainës. Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës përmes ndihmës së koordinuar politike, humanitare, ekonomike dhe të sigurisë, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.

Këto nuk janë vetëm gjeste simbolike, janë shprehje konkrete e solidaritetit tonë me popullin ukrainas, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, dhe luftës së drejtë çlirimtare dhe antikolonialiste për liri e demokraci.

Ne e kuptojmë që rreziku nga Rusia nuk ndalet në kufijtë e Ukrainës. Dronët që bien në territorin e vendeve anëtare të NATO-s, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe fushatat e dezinformimit e prekin tërë kontinentin tone evropian. Sulmet e vazhduara të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmuan me agresionin dhe sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, tregojnë qartë rrezikun që paraqesin për rajonin tonë shtetet dhe individët e grupet kriminale të lidhura me Federatën Ruse.

Është e rëndësishme për mbarë kontinentin dhe globin që Ukraina ta fitojë këtë luftë. Është jetike për brezin tonë dhe brezat e ardhshëm që Ukraina të dalë ngadhënjimtare. Një paqe që e shpërblen agresorin, nuk është paqe e drejtë dhe as paqe e afatgjate, është ftesë për agresionin e radhës.

Të nderuar të pranishëm,

Ne jemi të vetëdijshëm se Kievi ende nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ky qëndrim u përsërit para dy javësh. Ne besojmë se ai qëndrim nuk qëndron as para fakteve historike, as para të drejtës ndërkombëtare dhe do ta themi këtë sa herë të jetë nevoja, njëjtë siç e mirëpresim njohjen e pavarësisë nga Ukraina dhe çdo shtet tjetër liridashës e paqedashës që ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Kosova dhe populli shqiptar qëndrojnë jo vetëm në vendin e tyre, por edhe në të drejtën e tyre historike.

Por, solidariteti ynë me Ukrainën nuk ka qenë kurrë transaksion. Kosova e mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës sot njësoj si dje, sepse jemi solidar me një popull që mbron lirinë e vet dhe të drejtën e vetë për të ekzistuar si shtet.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Slava Ukraini!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors