Prishtinë, 14 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada franceze për shënimin e Ditës Kombëtare të Republikës së Francës.
Kryeministri Kurti uroi ambasadorin Olivier Guérot për Ditën Kombëtare, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e Francës ndaj Kosovës dhe kujtuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve.
“E lindur nga lufta për çlirim dhe drejtësi, Kosova ka zgjedhur demokracinë dhe lirinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, jo si gjuhë formale, por si themele të shtetit. Për ne, Franca ka qenë mike dhe aleate në momente vendimtare. Ajo qëndroi pranë popullit tonë gjatë luftës, njohu pavarësinë e Kosovës një ditë pas shpalljes së saj dhe ka vazhduar të na mbështesë në forcimin e shtetit dhe demokracisë sonë”, theksoi kryeministri.
Me urimin që miqësia ndërmjet dy shteteve të rritet dhe të forcohet edhe më shumë, kryeministri Kurti tha se në këtë ditë nderojmë Francën, popullin francez, idealet e përbashkëta.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Shkëlqesia Juaj, Olivier Guérot, Ambasador i Francës në Republikën e Kosovës,
Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës sonë,
Të nderuar ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar drejtues të institucioneve shtetërore dhe kryetarë të komunave, udhëheqës fetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile,
Të dashur miq të Francës në Kosovë, mysafirë të nderuar, zonja dhe zotërinj,
Bonsoir à toutes et à tous,
Është kënaqësi të jem me ju këtë mbrëmje, teksa shënojmë Ditën Kombëtare të Republikës së Francës.
14 Korriku na kujton rënien e Bastijës në vitin 1789, një moment që erdhi të mishërojë refuzimin e autoritetit pa përgjegjësi, të një sistemi pa barazi dhe të pushtetit pa pëlqimin e qytetarëve. Kuptimi i tij do të udhëtonte shumë përtej kufijve të Francës, duke hapur një gjuhë të re politike: qytetarë të lirë në vend të nënshtetasve të bindur, të drejta të barabarta mbi privilegjin e trashëguar dhe sovranitet popullor mbi sundimin personal.
Që nga ai moment e tutje, shteti nuk ishte më pronë e monarkut, por e popullit. Ky ishte një kontribut origjinal francez që, me kalimin e kohës, u përhap në mbarë globin. Revolucioni nuk ishte vetëm një çështje franceze; komb pas kombi dhe popuj në mbarë botën e nëpër kohë vazhduan të dashuroheshin me këtë çështje franceze, duke treguar se bëhej fjalë për diçka shumë më të madhe.
Republika Franceze e ka formësuar botën jo vetëm përmes politikës, por edhe përmes letërsisë, filozofisë, shkencës, arteve dhe diplomacisë. Ajo u ka kujtuar brezave se idetë japin drejtim, kultura i jep thellësi jetës dhe parimet i japin kuptim asaj. Për Kosovën, ky ndikim nuk është abstrakt. Prandaj sonte, përtej parimeve që ky vend i ka dhënë botës, dëshiroj të flas për mbështetjen që i ka dhënë vendit tonë.
E lindur nga lufta për çlirim dhe drejtësi, Kosova ka zgjedhur demokracinë dhe lirinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, jo si gjuhë formale, por si themele të shtetit. Për ne, Franca ka qenë mike dhe aleate në momente vendimtare.
Ajo qëndroi pranë popullit tonë gjatë luftës, e njohu pavarësinë e Kosovës një ditë pas shpalljes së saj dhe ka vazhduar të na mbështesë në forcimin e shtetit dhe demokracisë sonë.
Sot, partneriteti ynë po bëhet gjithnjë e më konkret dhe më substancial. Ne e shohim atë përmes dialogut politik, bashkëpunimit institucional, angazhimit kulturor dhe shkëmbimeve arsimore. Ai nuk kufizohet në deklarata; ai shndërrohet në punë, ndërton besim dhe i shërben një qëllimi. Dhe për Kosovën, ky qëllim është gjithashtu evropian. Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian nuk është vetëm një proces anëtarësimi. Ajo është një zgjedhje demokratike, një disiplinë institucionale dhe vendi ynë i natyrshëm ndër shtetet e Evropës.
I nderuar Ambasador Guérot,
I dashur Olivier,
Kjo mbrëmje ka një rëndësi të veçantë, pasi shënon Ditën tuaj të fundit Kombëtare në Kosovë në cilësinë e Ambasadorit. Gjatë mandatit tuaj, ju e keni përfaqësuar vendin tuaj me dinjitet dhe jeni angazhuar me vendin tonë me çiltërsi dhe mirësjellje, duke i afruar edhe më shumë dy vendet tona.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju falënderoj për kontributin dhe partneritetin tuaj. Kudo që t’ju çojë misioni juaj i ardhshëm, Kosova do të mbetet gjithmonë një vend miqsh.
Dhjetë ditë më parë ne shënuam 250-vjetorin e Revolucionit Amerikan dhe pas trembëdhjetë vitesh do të bëjmë të njëjtën gjë për Revolucionin Francez. Deri atëherë, në vitin 2039, unë mund të kem mësuar mjaftueshëm gjuhën frënge për t’u bërë ambasador në Paris, ndërsa Franca mund të ketë ndërruar mjaft kryeministra sa që Olivier të bëhet Ministër i Punëve të Jashtme.
Zonja dhe zotërinj,
Në këtë Ditë Kombëtare, ne nderojmë Francën, popullin francez dhe idealet që janë përcjellë nëpër histori dhe që ndajnë mes tyre republikat.
Gëzuar 14 Korrikun! Uroj që Franca të vazhdojë të përparojë dhe që miqësia ndërmjet dy vendeve tona të bëhet gjithnjë e më e fortë.
Dhe tani do të bëhemi sërish përkrahës të Francës, të kombëtares franceze të futbollit, e cila këtë mbrëmje do të japë më të mirën për të kapërcyer pengesën e gjysmëfinales në ndeshjen e Kupës së Botës kundër Spanjës, në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Merci beaucoup!











