Shkup, 26 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të ditëlindjes së 116-të të Nënës Terezë, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, në Shkup.
Në fjalën e tij kryeministri theksoi se “jemi mbledhur në Shkup për të kujtuar një prej figurave më të njohura shqiptare të shekullit XX”.
“Ajo lindi në Shkup. Rrënjët e saj familjare e lidhnin me Prizrenin dhe Gjakovën. Në Letnicë e ndjeu thirrjen. Në Irlandë nisi përgatitjen për rrugën e saj misionare. Në Indi e shndërroi atë thirrje në një jetë të tërë shërbimi”, tha kryeministri
Pasi tha se ajo nuk i shërbeu vetëm një kombi, një feje apo një vendi, kryeministri Kurti theksoi se universaliteti i Nënë Terezës nuk ishte mohim i prejardhjes, por zgjerim i saj.
“Në vitin 1979, ajo u laureua me Çmimin Nobel për Paqe. Dhe kur e pranoi këtë çmim, ajo foli për paqen jo si një nocion i largët, por si diçka që fillon te njeriu, te kujdesi për tjetrin dhe te dinjiteti i gjithsecilit. Por ajo që e bëri Nënën Terezë universale nuk ishte vetëm Çmimi Nobel dhe as vetëm njohja ndërkombëtare. Ajo u bë universale duke iu afruar njeriut konkret. Bota shihte miliona; ajo shihte një njeri. Bota fliste për varfërinë; ajo i afrohej të varfrit. Dhe në këtë afërsi me njeriun, ajo ndërtoi një vepër që kapërceu kufijtë e racës, fesë, kombësisë dhe të vendit”, shtoi ai.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi,
I nderuari Zëvendëskryeministër i Parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i Ngarkuar për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali,
Të nderuar kryetar të komunave të Çairit, Tetovës, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami,
I nderuari profesor Skender Asani, autor i veprës,
I nderuari Don Lush Gjergji, recensentë,
I nderuari deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Bekim Çoku,
I nderuari Rektor i Universitetit të Tetovës, profesor Kushtrim Ahmeti,
I nderuari Rektor i Universitetit Shtetëror “Nëna Terezë”, Bekim Fetai,
I nderuari Reisul Ulema, Shaqir Fetai,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, më 26 gusht, në ditën e lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, jemi mbledhur në Shkup për të kujtuar një prej figurave më të njohura shqiptare të shekullit XX. Një grua e cila nga ky qytet do të nisej drejt një rrugëtimi që do ta çonte shumë përtej vendlindjes së saj dhe do ta bënte të njohur në mbarë botën për humanizmin dhe përkushtimin ndaj njeriut.
116 vite më parë, këtu në Shkup, atëbotë kryeqendër e Vilajetit të Kosovës nën Perandorinë Osmane, në vitet e fundit të ekzistencës së saj, që ishte atëbotë, në një familje shqiptare, nga prindërit Nikollë Bojaxhiu prej Prizreni dhe Drane Barnaj prej Novosellës së Gjakovës, lindi vajza që bota do ta njihte më pas si Nëna Terezë.
Dhe në një tjetër pikë të rëndësishme të këtij rrugëtimi, në Letnicë, në Komunën e Vitisë, jo shumë larg prej këtu, do të përjetohej një nga momentet që do ta përcaktonte jetën e saj.
Në këmbët e Zojës së Letnicës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e ndjeu thirrjen hyjnore për t’iu përkushtuar tërësisht Zotit. Në kujtimet e saj, ajo e përshkruan këtë si një çast në të cilin e ndjeu zërin që e ftonte për t’iu kushtuar shërbimit.
Ajo lindi në Shkup. Rrënjët e saj familjare e lidhnin me Prizrenin dhe Gjakovën. Në Letnicë e ndjeu thirrjen. Në Irlandë nisi përgatitjen për rrugën e saj misionare. Në Indi e shndërroi atë thirrje në një jetë të tërë shërbimi.
Atje, duke iu përkushtuar më të varfërve ndër më të varfrit, ajo ndërtoi një vepër që do të kapërcente kufijtë e vendit, të fesë dhe të kombit.
Ajo nuk e jetoi jetën e saj për t’u bërë e famshme. Por, duke iu përkushtuar atyre që kishin më së paku, u bë një prej figurave më të njohura të kohës së saj.
Kësisoj, vajza shqiptare nga Shkupi u bë Nëna Terezë e Kalkutës dhe, më pas, një figurë e njohur në mbarë botën.
Në vitin 1979, ajo u laureua me Çmimin Nobel për Paqe. Dhe kur e pranoi këtë çmim, ajo foli për paqen jo si një nocion i largët, por si diçka që fillon te njeriu, te kujdesi për tjetrin dhe te dinjiteti i gjithsecilit.
Por ajo që e bëri Nënën Terezë universale nuk ishte vetëm Çmimi Nobel dhe as vetëm njohja ndërkombëtare.
Ajo u bë universale duke iu afruar njeriut konkret.
Bota shihte miliona; ajo shihte një njeri. Bota fliste për varfërinë; ajo i afrohej të varfrit. Dhe në këtë afërsi me njeriun, ajo ndërtoi një vepër që kapërceu kufijtë e racës, fesë, kombësisë dhe të vendit.
Kur, disa vite më vonë, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithshëm asokohe, Javier Pérez de Cuéllar e prezantoi Nënën Terezë, ai e quajti atë “gruan më të fuqishme të botës”.
Ishte një përkufizim i jashtëzakonshëm për një grua që nuk kishte ushtri, nuk drejtonte një shtet dhe nuk mbante post.
Por ajo kishte një fuqi tjetër. Fuqinë e shërbimit. Fuqinë e mirësisë. Fuqinë që buron nga një jetë e tërë kushtuar njeriut tjetër.
Ajo nuk i shërbeu vetëm një kombi, një feje apo një vendi. Ajo u përkujdes për njeriun, pavarësisht se kush ishte, nga vinte apo në çfarë rrethanash jetonte.
Universaliteti i Nënë Terezës nuk ishte mohim i prejardhjes. Ishte zgjerim i saj.
Ajo mbeti shqiptarja Anjezë Gonxhe Bojaxhiu nga Shkupi.
Dhe kjo është ndoshta një prej gjërave më të bukura që na mëson jeta e saj: rrënjët nuk janë kufij. Rrënjët janë pikënisje.
Prandaj, kur flasim për Nënën Terezë si shqiptare, nuk po përpiqemi ta kufizojmë një figurë universale brenda një identiteti partikular. Po kujtojmë se edhe universalja ka rrënjë të qarta: një vendlindje, një familje, një gjuhë dhe një histori.
Dhe në rastin e saj, këto rrënjë na lidhin drejtpërdrejt me këtë qytet dhe me Kosovën.
Shkupi është qyteti ku lindi. Letnica është vendi ku, sipas kujtimeve të saj, ajo e ndjeu thirrjen për devocion. India është vendi ku ajo ia kushtoi jetën shërbimit ndaj më të varfërve ndër më të varfrit. Ndërsa bota është vendi ku vepra e saj mori përmasën universale.
Vetëm pak ditë më parë, në Letnicë, mijëra pelegrinë u mblodhën përsëri te Zoja e Madhe. Në atë vend ku dikur një shqiptare e re ndjeu thirrjen për t’iu kushtuar shërbimit ndaj të tjerëve, njerëzit vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mblidhen, të luten dhe të kërkojnë paqe.
Kjo vazhdimësi është domethënëse.
Sepse trashëgimia e Nënës Terezë nuk qëndron vetëm në monumentet, në librat apo në kujtesën tonë për të. Ajo qëndron edhe në mënyrën se si ne e trajtojmë tjetrin, sidomos atë që ka më së shumti nevojë për kujdes, për dinjitet dhe për dorën e tjetrit; në mënyrën se si e ndërtojmë shoqërinë tonë dhe në vlerat që ua përcjellim brezave që vijnë.
Nëna Terezë na la një shembull të madh: se një jetë e vetme, kur i kushtohet tërësisht një ideali njerëzor, mund të prekë miliona e miliona njerëz.
Sot, 116 vite pas lindjes së saj në këtë qytet, emri i Anjezë Gonxhe Bojaxhiut vazhdon të na kujtojë se një vend mund të jetë zanafilla e një historie botërore, se një identitet mund të jetë rrënjë e jo kufi dhe se shërbimi ndaj njeriut mund të jetë një nga format më të larta të paqes.
Prandaj sot, në Shkup, nuk kujtojmë vetëm vendin ku lindi Nëna Terezë, kujtojmë pikën prej nga një vajzë shqiptare u nis drejt botës dhe, duke mos i harruar kurrë rrënjët e saj, arriti t’i përkiste gjithë njerëzimit.
Ju faleminderit për ftesën, pjesëmarrjen dhe vëmendjen!




















