Prishtinë, 10 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbajti ligjëratën hapëse të diskutimit “The United States Semiquincentennial: 250 Years as a Beacon of Democracy for the World” (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 250 vjet si pishtar i demokracisë për botën), në kuadër të programit të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, bashkë-organizatore e së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës, profesor Arben Hajrullahu, dhe prorektorë,
E nderuara Zëvendësshefe e Misionit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Wylita Bell,
E nderuara Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesoreshë Justina Shiroka-Pula,
I nderuari z. Avni Spahiu, ish-ambasadori dhe ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar kolegë nga Qeveria dhe Kuvendi,
Përfaqësues të Këshillit Amerikan dhe Bordit Kosovar-Amerikan për Shkëmbime Arsimore,
Të nderuar profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës dhe të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë e veçantë të flas në hapjen e këtij aktiviteti unik, të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës po e bashkëorganizon për nder të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane, së bashku me Universitetin e Prishtinës dhe Bordin Kosovar-Amerikan për Shkëmbime Arsimore. Dua ta falënderoj posaçërisht rektorin Hajrullahu për mikpritjen e sotme. Po ashtu, u shpreh mirëseardhje të ngrohtë pjesëmarrësve të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, disa prej të cilëve kanë ardhur nga mbarë bota për të qenë këtu, përfshirë 32 studentë dhe 7 profesorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të paktën që nga studimi i Alexis de Tocqueville-it mbi demokracinë në Amerikë, një diskutim serioz mbi idealin demokratik nuk mund të zhvillohet pa trajtuar fatin e tij në kontekstin amerikan. Fati i këtij ideali në epokën moderne është shfaqur në mënyrën më dramatike pikërisht në historinë e Shteteve të Bashkuara. Siç dihet mirë, etërit themelues amerikanë nuk kishin shumë simpati për fjalën “demokraci”; ata parapëlqenin termin republikë, republikanizëm e të ngjashme. Arsyeja ishte se demokracia për ta nënkuptonte një tip të caktuar, konkretisht demokracinë e Athinës së lashtë, të cilën e konsideronin të papërshtatshme për kushtet moderne. Megjithatë, pyetja se si të ruheshin tiparet më të mira të demokracisë athinase në rrethana moderne ishte ndër çështjet kryesore që i preokuponte etërit themelues amerikanë gjatë përpjekjeve për të përcaktuar formën politike që do të merrnin Shtetet e Bashkuara të sapopavarësuara.
Siç e dimë, vizioni i Madisonit për një “republikë të përbërë” mbizotëroi në masë të madhe; natyrisht, jo pa kontributin e të tjerëve dhe, mbi të gjitha, jo pa debate dhe kundërshtime të shumta gjatë dhe pas Konventës Kushtetuese në Filadelfia. Debati ndërmjet Federalistëve dhe Anti-Federalistëve përbën një kapitull më vete në historinë e teorisë moderne demokratike dhe vazhdon të ofrojë mësime të rëndësishme për të gjithë ata që interesohen për fatin e idealit demokratik në kohët moderne.
Për mua si social-demokrat, megjithatë, kapitulli i historisë amerikane dhe i mendimit politik amerikan që ka zgjuar gjithmonë interesin më të madh është e ashtuquajtura Epoka Progresive (1890–1920), kur eksperimenti i çmuar amerikan i vetëqeverisjes u përball me ngritjen e korporatave të mëdha me përgjegjësi të kufizuar dhe, krahas kësaj, me zgjerimin e vazhdueshëm të hendekut ndërmjet super të pasurve dhe pjesës tjetër të shoqërisë.
A mund të mbijetojë ideali demokratik përballë këtyre prirjeve? Sipas mendimit tim modest, një nga mendimtarët më të rëndësishëm amerikanë që u përball me problemet demokratike të kësaj periudhe ishte John Dewey, të cilin shumë komentues e kanë quajtur hegeliani i majtë amerikan – një përcaktim me të cilin unë pajtohem. Dewey e kuptoi se fati i idealit demokratik në kushtet e kapitalizmit të pakufizuar është seriozisht i rrezikuar dhe se duhen bërë përpjekje të mëdha për të ndalur erozionin e tij. Siç shkruan ai në esenë e tij “Nevoja për një Parti të Re”, të vitit 1931:
“Për aq kohë sa politika është hija që biznesi i madh hedh mbi shoqërinë, zbehja e hijes nuk do ta ndryshojë substancën. Ilaçi i vetëm është veprimi i ri politik i bazuar në interesat dhe realitetet shoqërore.” Se si të parandalohet që politika të shndërrohet në hijen që biznesi i madh hedh mbi shoqërinë është pikërisht problemi që vazhdon të na preokupojë ne social-demokratët edhe sot e kësaj dite dhe askush nuk e ka formuluar atë më mirë se Dewey.
Por, përveç formulimit të problemit, Dewey na dha edhe një ide se ku duhet kërkuar zgjidhja. Ai mendonte se kjo zgjidhje duhej të merrte formën e një lloj demokracie sociale, të cilën ai e përshkruante si vijon:
“Demokracia sociale nënkupton, më së dukshmi, një gjendje të jetës shoqërore ku ekziston një shpërndarje e gjerë dhe e larmishme e mundësive; ku ekziston mobilitet shoqëror ose mundësi për ndryshim të pozitës dhe statusit; ku ekziston qarkullim i lirë i përvojave dhe ideve, duke mundësuar njohjen e gjerë të interesave dhe qëllimeve të përbashkëta; dhe ku dobia e organizimit shoqëror dhe politik për anëtarët e tij është aq e dukshme sa të sigurojë mbështetjen e tyre të ngrohtë dhe të vazhdueshme. Pa lehtësinë e ndryshimit, shoqëria shtresohet në klasa dhe këto klasa pengojnë çdo shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të mundësive për të gjithë… Rëndësia e këtyre cilësive është arsyeja pse ne guxojmë ta quajmë demokracinë sociale një demokraci morale.” John Dewey, “Nevoja për Arsimin Industrial në një Demokraci Industriale”
Është krejtësisht e përshtatshme që një vizion kaq libertarian, pra anti-autoritar, i demokracisë sociale të jetë artikuluar pikërisht nga një hegelian i majtë amerikan. Dewey i dha traditës së majtë hegeliane pikërisht atë që i kishte munguar në variantin e saj evropian: interpretimin libertarian dhe demokratik të idealit socialist.
Mendimi social-demokrat i Dewey-t ka qenë frymëzim për mua, si në kohën kur isha aktivist në opozitë, ashtu edhe tani si Kryeministër i Kosovës dhe udhëheqës i partisë në pushtet. Teksa përballemi me ngritjen e bizneseve të mëdha dhe të fuqishme në vendin tonë, besoj se paralajmërimi i Dewey-t për rrezikun që politika të shndërrohet në hijen e biznesit të madh mbetet po aq aktual sa ka qenë ndonjëherë.
Shumë më i njohur se rëndësia e Dewey-t për mua si aktivist dhe politikan shqiptar i Kosovës është, natyrisht, kontributi amerikan në ndërtimin e shtetit tonë dhe forcimin e demokracisë sonë. Nga ndihma e ekspertëve juridikë amerikanë gjatë hartimit të Kushtetutës sonë, te ekspertiza dhe mbështetja financiare amerikane për forcimin e kapaciteteve tona në hartimin dhe zbatimin e politikave publike, e deri te kontributi vendimtar amerikan për ruajtjen e një shoqërie civile dinamike, Kosova e sotme i detyrohet shumë miqve tanë amerikanë. Edhe pse, si përqindje e buxhetit federal amerikan, një ndihmë e tillë e jashtme mund të duket e vogël, për demokracinë tonë ajo ka bërë gjithë ndryshimin që ka rëndësi.
Përveç këtyre kontributeve konkrete në përparimin e Kosovës, një tjetër aspekt që admiroj shumë tek Shtetet e Bashkuara është përkushtimi i tyre i vazhdueshëm ndaj debatit demokratik energjik. Fryma kritike që karakterizoi debatet e mëdha gjatë themelimit të Amerikës vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ky përkushtim pasqyrohet si në institucionet qeveritare amerikane, ashtu edhe në publikun e gjerë dhe me të drejtë shërben si model për vendet e tjera.
Ndoshta nuk është rastësi që demokracia e parë masive në botë ka nxjerrë atë që shpesh quhet “organi më i madh deliberativ në botë”. Këtu i referohem Senatit të SHBA-së, i cili ka nxjerrë figura të shquara si Daniel Webster, Henry Clay, Edward Kennedy dhe Robert Dole, emri i të cilit mban Instituti Dole dhe i cili ishte një mbështetës i palodhshëm i popullit të Kosovës gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar.
Por unë dua të sugjeroj se Gjykata Supreme e SHBA-së mund të jetë po aq e rëndësishme sa Senati si model i deliberimit demokratik. Kjo mund të tingëllojë si një pohim befasues për disa prej jush. Gjyqtarët e Gjykatës Supreme nuk zgjidhen në mënyrë demokratike dhe Gjykata njihet kryesisht për vendimet e saj dhe jo për procesin deliberativ që i paraprin atyre.
Megjithatë, siç ka vërejtur gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Ketanji Brown Jackson:
“Gjyqtarët janë i vetmi pushtet i qeverisë që është i detyruar të shkruajë opinionet e veta, të shpjegojë vendimet e veta.”
Pikërisht kjo e shtyu filozofin politik amerikan të shekullit XX, John Rawls, të thoshte se Gjykata Supreme duhet të shërbejë si një “shembull i arsyes publike”. Shembull i arsyes publike; edhe këtu mund të vërehet ndikimi i filozofisë kantiane te John Rawls.
Në të vërtetë, përkushtimi amerikan ndaj debatit energjik është i dukshëm në opinionet e Gjykatës Supreme. Edhe kur Gjykata merr një vendim përfundimtar, gjyqtarët kundërshtues nuk hezitojnë të shpjegojnë saktësisht pse mendojnë se ai vendim është i gabuar. Kjo mospajtim i hapur, por i arsyetuar, shërben si model për diskursin demokratik. Në këtë mënyrë, një vendim i Gjykatës Supreme shpesh shënon fillimin e debatit publik mbi çështje të rëndësishme kushtetuese dhe jo fundin e tij.
Nuk ekziston konflikt ndërmjet këtij përkushtimi ndaj kritikës së hapur dhe një përkushtimi po aq të fortë ndaj sundimit të ligjit. Abraham Lincoln e demonstroi këtë më së miri në reagimin e tij ndaj vendimit të Gjykatës Supreme në rastin Dred Scott kundër Sanford, i cili në mënyrë famëkeqe ua mohonte afrikano-amerikanëve shtetësinë amerikane. Lincoln e kritikoi ashpër vendimin dhe shprehu hapur shpresën se Gjykata do ta ndryshonte mendimin në të ardhmen. Por ai pranoi gjithashtu se, të paktën për rastin konkret, vendimi i Gjykatës ishte detyrues.
Si Kryeministër, jam përpjekur të ndjek këtë qasje të balancuar ndaj vendimeve gjyqësore. Gjykatat janë autoritative në rastet që shqyrtojnë. Por unë nuk kam hezituar të them kur mendoj se ato kanë vendosur gabimisht. Dhe edhe unë shpresoj që në të ardhmen ato të ndryshojnë disa prej vendimeve të tyre. Për të arritur deri aty, kritika publike e hapur është thelbësore. Pa një kritikë të tillë, gjykatat nuk do të kishin rastin të korrigjonin gabimet e tyre, të evoluonin dhe të zhvillonin jurisprudencën e tyre kushtetuese.
Përtej çështjeve të së drejtës kushtetuese, kjo frymë evolucioni dhe zhvillimi është e dukshme në lëvizjet e mëdha shoqërore të Shteteve të Bashkuara gjatë 250 viteve të fundit. Nga Frederick Douglass dhe Susan B. Anthony në shekullin XIX, deri te Martin Luther King Jr. dhe Dolores Huerta në shekullin XX, demokracia amerikane është dëshmuar si një motor i fuqishëm i përparimit njerëzor.
Në vitin 1787, njëmbëdhjetë vjet pas Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetuta e SHBA-së fillonte me fjalët e pavdekshme:
“Ne, populli i Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të formojmë një bashkim më të përsosur…”
Është interesante se koncepti i “përsosmërisë” ka dy kuptime të dallueshme, por të lidhura me njëra-tjetrën. Ai mund t’i referohet një gjendjeje të të qenit, pra gjendjes së të qenit pa të meta. Ose mund t’i referohet një procesi, pra procesit të përmirësimit të vetes apo të diçkaje tjetër. Asnjë shoqëri nuk mund të arrijë përsosmërinë në kuptimin e parë, por mund të jetë model i përsosmërisë në kuptimin e dytë.
Pikërisht në këtë kuptim Shtetet e Bashkuara kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si një pishtar i demokracisë, si frymëzim dhe udhërrëfyes për Kosovën dhe botën. Është një vend që vazhdimisht reflekton, rritet dhe evoluon – një komb që nuk do të ndalojë kurrë procesin e përmirësimit të vetvetes, për të gjithë ata që jetojnë sot dhe për të gjitha brezat që do të vijnë.
Ju faleminderit shumë!



















