Prishtinë, 27 korrik 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar për darkë me ministrin e deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad, në rezidencën franceze në Prishtinë, pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve ndërmjet dy shteteve mëngjesin e së hënës.
“Përveçse shtëpi për shumë pjesëtarë të mërgatës sonë, Franca është partnere e rëndësishme dhe takimet e shtuara janë në shërbim të shqyrtimit të mundësive dhe potencialit për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh edhe në sektorë të tjerë, si ekonomia, siguria e mbrojtja. Por, edhe të rolit mbështetës të Parisit në proceset e integrimeve euro-atlantike”, shkroi mes tjerash kryeministri, pas darkës.
Në kuadër të vizitës së ministrit Haddad, si vazhdimësi e drekës së punës që kryeministri Albin Kurti pati me presidentin Emmanuel Macron në Pallatin Elize, më 17 mars, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës u nënshkruan pesë instrumente:
• Marrëveshja për ekstradim, e cila forcon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë dhe lehtëson procedurat e ekstradimit;
• Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, e cila avancon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona në administrimin e drejtësisë dhe luftimin e krimit;
• Marrëveshja e kredisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për mbështetjen e investimeve infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030;
• Deklarata e Synimit për fillimin e Komitetit Francë–Kosovë, përmes së cilës përvoja dhe ekspertiza franceze do të mbështesin përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030; dhe,
• Marrëveshja Administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, e cila synon zgjerimin dhe fuqizimin e mësimdhënies së frëngjishtes dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim arsimor e akademik.







