New York, 22 shtator 2026
Gjatë vizitës në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga.
Njoftimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Gjatë qëndrimit në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sot takova edhe Presidentin e Bankës Botërore z. Ajay Banga.
Me Presidentin e BB-së diskutuam për progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës në vitet e fundit, heqjen nga lista e shteteve të brishta e në konflikt, tranzicionin nga marrës në donator të Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe rritjen e vazhdueshme ekonomike.
Theksova se për mandatin qeverisës në vijim, pas uljes së papunësisë nga 26% në 10%, fokus do të jetë rritja më cilësore e vendeve të punës e që paguhen më shumë, por edhe rritja e pjesëmarrjes së rinisë dhe grave në tregun e punës. Gjithashtu, përmenda nevojën për të orientuar remitencat dhe kursimet e mërgatës sonë drejt sektorëve produktivë në ekonomi.
Në anën tjetër, Presidenti Banga prezantoi planin e tij për t’i mbështetur shtetet anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës përmes fushave si ndërtimtaria, bujqësia produktive, shëndetësia, turizmi dhe prodhimtaria.


