Kryeministri Kurti u takua me ministrin e deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Haddad

Shën Stefan, 22 tetor 2026

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Shën Stefan të Malit të Zi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me ministrin e deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.

Në këtë takim, pas atij në Prishtinë në muajin korrik, kryeministri Kurti theksoi se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete dhe po hap mundësi të reja për bashkëpunim, teksa shpalosi planet për vizitë në Paris për Forumin e Paqes, në nëntor.

Kryeministri Kurti theksoi se pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe instrumenteve gjatë vizitës së ministrit Haddad në Kosovë, tani është duke u punuar për zbatimin e tyre, me synim avancimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe sport.

“Ratifikimi këtë muaj nga Kuvendi i kredisë prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare 2030 është një rezultat konkret i këtij partneriteti. Diskutuam gjithashtu për dinamikat politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar që paqja dhe siguria janë të ndërlidhura ngushtë me demokracinë, sundimin e ligjit dhe integrimin evropian”, tha kryeministri.

Mbështetja e Francës mbetet e rëndësishme për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors