New York, 22 shtator 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në New York në kuadër të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u takua me kongresistin amerikan George Latimer.
Njoftimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Kënaqësi të takohem në New York me kongresistin George Latimer, një zë i fuqishëm dhe i rëndësishëm në mbështetje të Kosovës, veçanërisht për anëtarësimin e Republikës sonë në NATO.
Diskutuam për zhvillimin ekonomik, përparimin në siguri, forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje dhe zhvillim. Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon.
Biseduam për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, varrezat masive, rëndësinë e deklasifikimit të dokumentacionit dhe hapjes së arkivave nga Serbia si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera. E sikurse në takimet tjera folëm për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në prag të trevjetorit të sulmit terrorist paramilitar në Banjskë, ngritëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan.









