Shën Stefan, 21 tetor 2026
Në vigjilje të Samitit të Procesit të Berlinit, sonte në Shën Stefan në Mal të Zi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Kryeministri Kurti theksoi se me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtoj reformat. Ai tha se javën e kaluar Kuvendi miratoi ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërsa shtoi se së shpejti fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë.
“Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim”, tha ai.
Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia.





