Shën Stefan, 22 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Kancelarin Federal të Austrisë, Christian Stocker, në kuadër të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit që po mbahet në Shën Stefan të Malit të Zi.
Kryeministri Kurti dhe Kancelari Stocker, biseduan për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe.
“Biseduam për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ekonomik: energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, sektor në të cilin kompanitë austriake dhe mërgata jonë po investojnë gjithnjë e më shumë”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti tha se para katër muajsh me Kancelarin Stocker folën për dy hapa konkretë: integrimin në SEPA dhe zonën roaming të BE-së. Për të parin tashmë Kosova ka përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin pritet nisja e negociatave së shpejti.
“Mbështes deklaratën e Kancelarit Stocker se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe të gjithë kandidatët duhet të trajtohen njëlloj, me të njëjtat kushte. Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, tha kryeministri Kurti.





