Kryeministri Kurti priti në takim regjisorin Visar Morina

Prishtinë, 17 shtator 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe Drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, të martën pritën në takim regjisorin Visar Morina.

Njoftimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Nga Çikatova e Vjetër e Drenasit ku forcat armike të Serbisë në prill të vitit 1999 ia vranë disa familjarë, për në Berlin të Gjermanisë ku është bërë një ndër regjisorët më të mirë që ka jo vetëm Kosova sot por mbarë kombi shqiptar.

Të dielën pata nderin t’ia ndaj çmimin e më të mirit në PriFest për filmin “Shame and money”, ndërsa të martën bashkë me Ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe Drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, pritëm në Zyrën e Kryeministrit regjisorin Visar Morina.

Dihatja e kamerës mbi qafën e djersitur të Shabanit, nuri vezullues i çehres së brengosur të Hatixhes, me familje njerëzish ashtu siç janë në botën familjare qysh ajo është, shpaloset një dramë e fortë sociale e cila nuk të shqitet më nga mendja pasi që s’ia shqet dot sytë për ato dy orë.

Sikur Ken Loach dhe Mike Leigh të bëheshin bashkë për të xhiruar një film bashkëkohor të klasës së varfër punëtore shqiptare në Kosovë atëherë rezultati do të ishte filmi “Shame and money” i Visar Morinës.

Nga data 25 shtator ky film do të shfaqet në CinePlexx. Patjetër shikojeni.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors