Kryeministri Kurti priti në takim Ministrin e Jashtëm të Zvicrës dhe Kryesuesin e OSBE-së, Cassis

Prishtinë, 5 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ignazio Cassis, dhe delegacionin e udhëhequr prej tij.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për popullin dhe shtetin e Kosovës, për zhvillim e demokratizim. Ndërsa, e falënderoi për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e tavanit të pjesëmarrjes me ushtarë në kuadër të KFOR-it.

“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë, teksa po zgjerojmë bashkëpunimin, i cili me hyrjen në fuqi të EFTA-s muajin e kaluar shënon një kapitull të ri në tregtinë e lirë, përveçse të mallrave edhe shërbimeve”, tha kryeministri.

Krahas diskutimeve për atë se çfarë mund të bëhet më shumë, qeveri me qeveri e biznese me biznese, në takim u bisedua edhe për rëndësinë e Zvicrës në proceset integruese. Gjithashtu, u theksua roli i z. Cassis, si kryesues, në zbatimin e standardeve të barabarta në raportim nga OSBE-ja dhe në përfaqësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë.

Ministri Cassis e ftoi kryeministrin Kurti në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian në Cyrih, në prill të vitit të ardhshëm, ndërsa kryeministri Kurti theksoi se ministri Cassis do të jetë i mirëseardhur për vizitë në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në janar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors