Bruksel, 25 nëntor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në Samitin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, ku liderët e BE-së dhe të vendeve të rajonit diskutuan për procesin e zgjerimit, integrimin gradual në tregun e përbashkët dhe sigurinë evropiane.
Në fjalën e tij në sesionin plenar, kryeministri theksoi se Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa status kandidati, ndonëse muajin e ardhshëm mbushen katër vjet nga aplikimi për anëtarësim në BE.
“Komisioni Evropian është i gatshëm dhe pret që Këshilli t’i kërkojë mendimin. Ky vendim u takon qeverive të shteteve anëtare. Ministrat e tyre mblidhen më 14 dhjetor këtu në Bruksel. Le të dalë nga ky samit një mesazh uniteti, që Këshilli t’i kërkojë më në fund Komisionit të na dërgojë pyetësorin”, theksoi kryeministri.
Ai tha se progresi i Kosovës e meriton si statusin e vendit kandidat, ashtu edhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Theksoi se që kur indekset kryesore ndërkombëtare kanë filluar ta matin Kosovën, ajo ka përparuar më shpejt se çdo vend tjetër i rajonit në shumicën prej tyre, si dhe se Kosova është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Federatës Ruse.
Kryeministri u shpreh se të gjitha reformat e Planit të Rritjes do të përmbushen, sepse ato nuk janë vetëm detyrime ndaj BE-së, por zotime ndaj qytetarëve tanë. Ai mirëpriti integrimin gradual përmes SEPA-s dhe Roam like at Home, ndërsa ngriti çështjen e bllokimit nga Serbia të pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët.
Për bashkëpunimin rajonal, kryeministri kërkoi zbatimin e marrëveshjeve për lëvizshmëri të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit. “Tani është koha të tregohet nëse ndryshimi politik në Serbi është ndryshim pozitiv edhe për rajonin. Lista e Studentëve mund të fillojë duke hequr bllokadën ndaj një liste shumë më të gjatë studentësh në gjithë rajonin, të cilëve u mohohet njohja e diplomave dhe e drejta për të studiuar e për të punuar”, tha ai.









