Kryeministri Kurti mori pjesë në përurimin e transformimit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK

Prishtinë, 22 prill 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, dr. Arben Vitia dhe Ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, morën pjesë në përurimin e transformimit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se ky investim prek drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë dhe lehtëson trajtimin e pacientëve.

“Një hapësirë prej rreth 400 metrash katrorë është transformuar sipas standardeve moderne spitalore, duke krijuar kushte më të mira për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha, kushte më dinjitoze për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë”, tha ai, duke shtuar se funksionalizimi i funksionalizimi i Cath-Lab-it bashkëkohor dhe vendosja e angiografit të ri, përbëjnë një hap të madh përpara në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje të thellë dhe falënderim të veçantë për Qeverinë dhe popullin e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit shëndetësor dhe vendit tonë në përgjithësi, derisa theksoi se transformimi i njësisë gjysmë-intenzive kardiologjike, i filluar më 8 prill, dëshmon përkushtimin tonë për transformimin e plotë të secilës klinikë dhe të secilit spital rajonal dhe rrjedhimisht të sistemit tonë të shëndetësisë publike në përgjithësi.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh i lumtur për përfundimin e këtij renovimi. Ai falënderoi stafin e Klinikës së Kardiologjisë, drejtorin e Klinikës dr. Faik Shatrin, të cilët kanë qenë motori dhe nismëtarët që në bashkëpunim me miqtë tanë nga Luksemburgu të fillojmë këtë renovim dhe ta përmbyllim gjithë renovimin e Klinikës së Kardiologjisë, e cila do të ketë kushte optimale për pacientët, duke shtuar numrin e atyre që diagnostikohen dhe trajtohen në këtë klinikë, duke përmirësuar kushtet e trajtimit e mbi të gjitha duke përmirësuar edhe kushtet e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës të cilët pa pushim japin shërbime çdo orë të çdo dite, për 365 ditë, pacientëve e qytetarëve tanë.

Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,

Para më shumë se një muaji, ishim në përurimin e renovimit të hapësirave të Institutit të Anatomisë Patologjike e sot jemi këtu bashkë me juve për një përurim të një transformimi tjetër në sistemin tonë shëndetësor, në Klinikën e Kardiologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ky investim prek drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë dhe e lehtëson trajtimin e pacientëve.

Një hapësirë prej rreth 400 metrash katrorë është transformuar sipas standardeve moderne spitalore, duke krijuar kushte më të mira për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha, kushte më dinjitoze për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë.

Funksionalizimi i Cath-Lab-it bashkëkohor dhe vendosja e angiografit të ri, përbëjnë një hap të madh përpara në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Investimi arrin vlerën prej afro 1.5 milion euro, ndërkaq kapacitetet e trajtimit do të rriten ndjeshëm. Nga mbi 4,000 ndërhyrje në vit, siç ka qenë deri më tani, synimet janë që të arrihet kapaciteti deri në 8,000 ndërhyrje në vit. Natyrisht, ne urojmë që të mos kemi nevojë, por nëse kemi nevojë do të kemi kapacitete, dhe përveç kësaj do të zvogëlohen edhe listat e pritjes.

Investimi përfshin edhe përmirësime të rëndësishme infrastrukturore: instalimin e sistemit të klimatizimit qendror, pastrimi i ajrit e filtrat dhe pajisja e dhomave me banjo brenda, duke ngritur standardin e trajtimit dhe mirëqenies për pacientët.

Ne shprehim mirënjohje të thellë, falënderim të veçantë për Qeverinë dhe popullin e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit shëndetësor dhe vendit tonë në përgjithësi. Këtu, përveçse me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, pastaj me drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë, Faik Shatrin, me drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, jam edhe me ambasadorin e Luksemburgut, shkëlqesinë e tij, Eric Dietz dhe me kolegun e tij, i cili ka ardhur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Luksemburgut, me rastin e këtij përurimi, për çfarë e falënderojmë përzemërsisht.

Në anën tjetër, më 8 prill ka filluar edhe transformimi i njësisë gjysmë-intenzive kardiologjike, çka dëshmon përkushtimin tonë për transformimin e plotë të secilës klinikë dhe të secilit spital rajonal dhe rrjedhimisht të sistemit tonë të shëndetësisë publike në përgjithësi.

Unë i falënderoj edhe mjekët, stafin shëndetësor që bëjnë punë të jashtëzakonshme duke dhënë kontribut të pamatshëm edhe në shpëtimin e jetëve, por edhe në shërimin pacientëve dhe në cilësinë e jetesës për qytetarët e Republikës sonë.

Përgëzime e urime të gjithëve, e ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors