Prishtinë, 29 korrik 2026
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Jam i nderuar që në 25- vjetorin e rënies së Tahir Sinanit, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot të jem nikoqir në akademinë përkujtimore kushtuar gjeneral Sinanit, luftëtarit të paepur të lirisë. Aq më tepër që kjo është akademia e parë përkujtimore për Tahir Sinanin, organizuar nga institucionet qendrore të shtetit tonë, përkatësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kur po e planifikonim këtë akademi, duke lexuar e shfletuar jetëshkrimet e shumta për Tahir Sinanin, vërejta një mbivendosje të ngjarjeve dhe një përputhje rastësore me një datë të veçantë: mbi datën 29 korrik. Në këtë datë, pra më 29 korrik të vitit 2001, Tahir Sinani vdiq teksa bashkë me luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, po angazhoheshin në luftën për pozitën politike të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.
Vdekja e Tahir Sinanit ishte pra pikërisht më 29 korrik, dhe kjo i jep kuptimësim edhe simbolik gjithë betejave të tij me shokë për çlirim dhe bashkim të shqiptarëve. Kjo meqë pikërisht më 29 korrik, por të vitit 1913, pra afërsisht nëntë dekada më herët, në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar në Londër, ambasadorët atëbotë të Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Italisë dhe Rusisë, të mbledhur në Konferencën e Paqes në Londër nga Ministri i Jashtëm britanik, Sir Edward Grey, e njohën Principatën e Shqipërisë si një shtet sovran.
Por ky shtet sovran që do ta kishte formatin e një mbretërie të trashëguar, parashihej të ishte shumë më i ndryshëm nga Shqipëria që e kishin pasur në mendje delegatët në Kuvendin e Vlorës, kur e shpallën atë të pavarur më 28 nëntor 1912. Kjo sepse Shqipëria që u dizajnua në Konferencën e Ambasadorëve në Londër duke u njohur si sovrane më 29 korrik të vitit 1913, saktësisht 113 vite më parë, përfshinte brenda territorit të saj vetëm 1/3 e territoreve që banoheshin me shumicë dërrmuese nga banorë shqiptarë.
I tërë Vilajeti i Kosovës dhe territore të tëra të Vilajetit të Shkodrës, Vilajetit të Manastirit dhe Vilajetit të Janinës, pasi u bënë sheshe luftimesh fillimisht gjatë Luftës së Dytë Ballkanike e më pastaj edhe në Luftën e Parë Botërore, mbetën jashtë territorit politik të Shqipërisë, duke u bërë pjesë e Malit të Zi, të Mbretërisë së Serbisë gjegjësisht Jugosllavisë dhe të Greqisë.
Pikërisht më 29 korrik 1913 me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, zë fill një nga nyjet më të forta dhe vështirë të zgjidhshme të fatit politik të shqiptarëve gjatë gjithë shekullit XX e deri më sot. Shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë, luftuan për dekada të tëra për t’u çliruar dhe bashkuar me shtetin e Shqipërisë, në një përpjekje që paraqet thelbin e çështjes kombëtare shqiptare. Në aktet kulminante të këtyre luftërave, në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli, shfaqet ndër beteja një nga luftëtarët më të spikatur të kësaj çështje: Tahir Sinani.
Me origjinë nga rrethi i Tropojës, Tahir Sinani mori formim prej ushtaraku profesionist, pa e ditur as vet që ishte duke u përgatitur për disa nga betejat më të lavdishme që do t’i bënin shqiptarët në historinë e tyre moderne. Kur lufta në Kosovë ishte bërë realitet dhe kishte nevojë për të gjithë dhe secilin, Tahir Sinani u angazhua ta kryente detyrën e tij patriotike dhe profesionale.
Mobilizimi i Tahir Sinanit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që më 1998, nuk ia shtoi UÇK-së thjesht një luftëtar më shumë, por ia solli asaj një nga oficerët më të dobishëm që aftësitë e tij profesionale ua përcolli qindra ushtarëve të tjerë, para se të përfshihej edhe vetë ai në zemër të luftës.
Por pavarësisht kësaj, ai refuzoi t’i mbivendosej zinxhirin komandues të ushtarëve që i kishte trajnuar vet, duke këmbëngulur që fillimisht ta kalonte një sprovë personale, përballjen e parë me forcat armike serbe. Dhe mu kështu edhe ndodhi.
Vite më pas, kur Tahir Sinani nuk do të ishte më i gjallë mes bashkëluftëtarëve, njëri prej tyre, Rexhep Selimi, i mirënjohur edhe për kreativitetin e tij të shumëanshëm artistik, do ta përkthente këtë akt të Tahir Sinanit në një poezi që do të komponohej në një këngë, e që natyrshëm e kemi përfshirë edhe sot në këtë akademi.
Angazhimin e tij në luftën e Kosovës, Tahir Sinani e përmbylli duke qenë në detyrën e Komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut, teksa në ditët e çlirimit të Kosovës, ai hyri triumfalisht në Prizren në krye të ushtarëve të tij. Por vetëm pak kohë pas çlirimit të Kosovës, në Luginën e Preshevës shpërtheu një kryengritje e drejtuar nga Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit e sapoformuar, me pjesëmarrje edhe nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim çlirimin dhe bashkimin e këtyre tri komunave me Kosovën.
Tahir Sinani iu bashkua luftimeve edhe në Preshevë, duke e përcjellë përvojën e tij të freskët nga lufta çlirimtare e Kosovës. Ai besonte thellësisht që çlirimi i Kosovës nga Serbia nuk mund të ishte fundi dhe as trofeu më i lartë i luftës çlirimtare dhe kombëtare. Andaj, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai e vazhdoi luftën te Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni në vitin 2001.
Kjo ishte edhe lufta e fundit e gjeneral Tahir Sinanit, pasi fatkeqësisht, ai vdiq teksa po përgatiste mina terreni, më 29 korrik 2001, së bashku me katër bashkëluftëtarë të tjerë. Tahir Sinani la pas bashkëshorten, dy vajza dhe një djalë, që sot janë bashkë me ne në këtë akademi përkujtimore, me gjithë krenarinë që ata mbartin për bashkëshortin dhe babain e tyre.
Gjithashtu, mes nesh sot janë edhe shumë nga shokët e bashkëluftëtarët e Tahir Sinanit, andaj besoj se në këtë akademi përkujtimore do ta kemi edhe si një mundësi të mirë takimi e njohje, për ta nderuar e kujtuar Tahir Sinanin dhe për të ndarë me ne kujtimet tuaja për të.
Lavdi veprës patriotike dhe luftës çlirimtare të Tahir Sinanit, mes luftëtarëve të lirisë së Kosovës!