Prishtinë, 24 prill 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në mbledhjen komemorativeme rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Rexhep Qosjes, organizuar nga Instituti Albanologjik.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar z. Fadil Grajçevci, ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Albanologjik,
I nderuar z. Hysen Matoshi, studiues,
Të nderuar miq e bashkëpunëtorë, profesorë e studentë,
Të nderuar akademikë dhe studiues,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi këtu në Institutin Albanologjik që kishte për zot shtëpie pikërisht profesor Rexhep Qosjen. Rexhep Qosja është akademiku ynë i madh, sepse njohja e gjithanshme e fjalës sintaksë, frazeologji, leksik, artikulon po aq sa gjuhësi, intelektualitet, politikë. Sepse folësit e shquar të gjuhës nuk mund të mos gjejnë vend në përsiatjet e tij, qofshin këta të shqipes, qofshin të botës.
Tërë rilindësit tanë dhe tërë klasikët tanë janë hedhur prej tij në një proces biektimi, ngaqë shqipja i përket botës dhe bota shqipes. Sepse emrat e përveçëm nga Virgjili te Balzaku e nga Kafka te Eco, ranë mbi të si gjëma e peshës së mendimit dhe pesha e emrit të gjëmës. Ndjenjë e lartë e letërsisë në qoshkun e shqipes.
Sepse përvojat e studimit nuk mund të mos kthehen në inteligjencë të veprimit edhe nëse krijuesi nuk shprehet politikisht, akti i tij krijon një rrethanë të re kuptimi e kjo është një gjendje e re e politikës dhe e qytetit.
Sepse dyzimi i mendimit mes letërsisë e filozofisë nuk mund të mos kthehej në dyshimin e tij të përhershëm mbi dhunën e dashurisë dhe mëkatet apo fajet e mendimit, ngaqë ai nuk deshi provincë, por qytet, e qyteti nuk është numri i përfshirjes, por shifra e pjesëmarrjes.
Sepse nga autorë listues i kritereve të rrallimit të Panteonit futet mes të rrallëve që përmban Panteoni dhe si rilindës është ai që ka bërë të pamundshme pyetjen nëse Naimi, De Rada, Asdreni apo Migjeni, mund të shihen si provincialistë.
Sepse në fund të fundit çdo rilindës ja jep botës vendlindjen e vet dhe anasjelltas.
Sepse nuk e sheh porosinë e madhe për shqiptarët me më pak se të gjithë shekujt e shkrimit shqip. Ai nuk mund t’i qëndroj tundimit me e kthy prozën e poemën shqipe të rilindësve në lidhje direkte me veprat e shekujve të shkuar dhe të vendeve të largëta.
Sepse nuk e sheh vdekjen më pak se synim të shqisës pa mend mbi mendjen që e humb shqisën dhe nuk mund të mos merret si çdo shkrimtarë i madh për shkak të urgjencave të kohës me tërë cenet ideologjike dhe tradicionale.
Sepse ai foli për vështrimin e tjetrit të madh që nuk është vëlla, në federatën e shpikur, nën të cilin konsumohej një popull dhe një kulturë e tërë, por edhe për vështrimin hipokrit, snob e demagog nga brenda provincës. Ai e ftonte lexuesin të ishte i sinqertë me vetveten, i ditur për vetën, i mirë me të tjerët, i dobishëm për të tjerët.
Sepse lëkundjet e dyshimet janë bërë shtysa e përhershme e një mendje të thellë me një dije të gjerë në një botë të dhunës së cektë e cinike. Andaj, i nevojiten debate të mëdha me viganët e tij bashkëkohës për të vendosur rrafshe të ndërgjegjes dhe përfytyrimit të shoqërisë së ardhshme. Andaj, debati me Kadarenë.
Sepse besnikëritë nuk i ka shprehur në ndarje të historisë, por në përbashkime të saj, duke e kuptuar si Ukshin Hoti, se historia nuk duhet përçarë, ndërsa politika duhet ndarë.
Sepse nëse historia synon të vërtetën, politika ndeshet për të vërtetën.
Andaj, konflikti i tij me gjithë estabilishmentet e kohëve të Kosovës.
Sepse ai ka folur për heshtjen dhe bërtimën. Heshtimin e intelektualit krijues dhe bërtimën e popullit të ndaluar.
Akademik e rilindës formula që na duhet ende e gjithnjë e përgjithmonë, në direktivën tonë morale dhe politike.
Për fund, e sa për kuriozitet, akademiku ynë përsëriste një situatë prej Çehovi, në një tregim të thjeshtë me titullin “Pilivricka”. Aty, po e citoj: “flitet se si një mjek shkencëtar nuk e respektojnë njerëzit e rrethit të tij për shkak se e shohin përditë, por e kuptojnë rëndësinë e tij vetëm mbasi të vdes papritur, në të vërtete mbasi t’ia kenë helmuar jetën me arrogancën dhe imoralitetin e tyre”.
U prehtë në paqe profesor Rexhep Qosja dhe lum na që e patëm!
Ju faleminderit!










