Prishtinë, 28 korrik 2026
Të dashur bashkatdhetarë, mirë se keni ardhur në atdheun tuaj dhe mirëserdhët në Ballkonin e Hapur të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pak para se të mblidheshim këtu, morëm lajmin për nisjen e gërmimeve në zonën malore të fshatit Kalludër në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet për varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas dyshimeve të bazuara të institucioneve tona, ky lokacion lidhet me rastin e zhdukjes me dhunë të atij që njihet si “Grupi i intelektualëve” nga Mitrovica, përkatësisht 23 shqiptarëve, të cilët ishin rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe më 19 prill të vitit 1999 dhe të cilët ende janë të zhdukur sot e kësaj dite.
Megjithëkëtë, mbetet të verifikohet dhe të konfirmohet nga institucionet përkatëse kjo gjetje e re.
Por, ky zhvillim që vjen vetëm një ditë pas arrestimit në Zubin Potok të dy të dyshuarve për krime lufte, krahas dhimbjes dhe pikëllimit të të gjithë neve, jep edhe shpresë për zbardhjen e fatit të më të zhdukurve tanë. Por, edhe shënon një moment të ri, meqenëse po zhvillohen gërmime në një zonë të paprekur më parë.
Lufta ka përfunduar, por qartazi jo edhe beteja, beteja për të vërtetën dhe drejtësinë, përderisa pasojat e luftës janë akoma kaq të gjalla.
Të dashur mërgimtarë,
Mërgata dhe bashkatdhetarët, që ne i shënojmë edhe si breza të njerëzve tanë larg atdheut, na kanë dhënë historikisht aq shumë mbështetje për mirëqenie, por edhe përherë diplomaci, nganjëherë armë e luftëtarë dhe dëshmorë për të fituar lirinë. Diaspora është interesi ynë i madh jetik, shtetëror e kombëtar.
E sot, sa më shumë ne do të dimë të ndërtojmë shtetin aq më e vlerësuar dhe e suksesshme do të jetë pjesëmarrja e bashkatdhetarëve në këtë proces. Dhembshuria juaj për atdheun duhet të kthehet në ndjenjë krenarie. Inteligjenca dhe zelli juaj, krijimtaria dhe vullneti juaj, falë veprimtarisë sonë shtetformuese duhet të gjejnë vendin e meritës. Ekonomi, kulturë, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, energji dhe teknologji, janë fushat që mund të jenë sot joshëse për një mërgatë që kalon në numër popullsinë në trojet e veta stërgjyshore.
Do të bëjmë gjithçka për të ofruar qendra kulturore dhe të mësimit në gjuhën amtare.
Lidhjet me universitetet e Perëndimit do t’u japin mundësi të rinjve tanë në mërgatë të jetojnë plotësisht profesionin dhe karrierën e tyre.
Dhe tashmë po ftojmë të rinjtë e mërgatës dhe më gjerë, diasporës, të rinj të arsimuar në shkenca politike e marrëdhënie ndërkombëtare, drejtësi, ekonomi e teknologji, të integrohen në institucionet tona të diplomacisë.
Për ne, mërgata të nderuar të pranishëm, nuk përfaqëson vetëm një bashkësi individësh që jetojnë jashtë kufijve shtetëror. Ajo është vazhdimësi natyrore dhe shoqërore e jetës sonë kombëtare dhe zgjerim i Kosovës dhe i shqiptarisë përtej kufijve, në ato vende ku ruhen gjuha, zakonet dhe përkatësia.
Qasja jonë ndaj diasporës mbështetet në frymën e solidaritetit dhe të shërbimit. Synojmë që çdo shqiptar jashtë atdheut të ndihet i dëgjuar dhe i lidhur me vendin e tij, jo vetëm përmes kujtesës, por edhe përmes mundësive konkrete. Shteti ka detyrimin që t’ju shërbejë qytetarëve të tij, brenda dhe jashtë vendit, me të njëjtën përgjegjësi dhe kujdes.
Përmes Programit për Diplomaci Qytetare, profesionistë të rinj nga diaspora kontribuojnë në institucionet tona duke sjellë dije, përvojë dhe një frymë të re bashkëpunimi. Programi “Shijo Kosovën” u ofron të rinjve mundësinë të njohin nga afër Kosovën, si vend me kulturë, histori dhe natyrë të pasur. Programi “Made in Kosova” u siguron bashkatdhetarëve informacione dhe ura konkrete për të investuar, bashkë-investuar dhe për të hapur tregje për prodhimet e Kosovës. Nëpërmjet Dritares për Investime të Diasporës, kemi krijuar mundësi që bizneset e themeluara nga bashkatdhetarët të kenë qasje në kredi të garantuara, duke shndërruar lidhjen emocionale me atdheun në një forcë zhvillimore për të gjithë.
Marrëdhënia me diasporën nuk duhet të ndërtohet vetëm mbi ndjenjën, por duhet të mbështetet edhe në drejtësi, barazi dhe besim. Për këtë arsye, në qasjen tonë kemi theksuar transparencën dhe trajtimin e barabartë të çdo bashkatdhetari. E drejta e votës është e garantuar dhe e mbrojtur si një e drejtë themelore, e cila e lidh qytetarin me fatin politik të vendit të tij. Mundësia e votimit fizik në ambasada dhe në konsullata, si dhe votimi me postë, janë hapa të cilët e lehtësojnë pjesëmarrjen. Gjithashtu, kemi hequr tarifat administrative për marrjen ose rimarrjen e shtetësisë dhe me ligjin e ri të shtetësisë kemi lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat, në mënyrë që lidhja juridike me atdheun të mos shndërrohet në pengesë burokratike, por të jetë një urë natyrore për përkatësi.
Ndikimi i diasporës sonë ka qenë i madh në të kaluarën, është i pazëvendësueshëm sot dhe do të bëhet edhe më i rëndësishëm në të ardhmen. Bota po ndryshon me ritme të shpejta, duke sjellë sfida dhe mundësi të reja për bashkatdhetarët tanë kudo që jetojnë. Për këtë arsye, angazhimi i diasporës nuk do të mbetet në margjinat e politikës shtetërore, por do të përfshihet në të gjitha politikat publike si një bosht i mendimit tonë zhvillimor dhe kombëtar, si pjesëmarrje për vendimmarrje.
Marrëdhënia mes atdheut dhe diasporës nuk duhet të jetë një marrëdhënie thirrjesh të njëanshme, por një marrëdhënie përkushtimi të ndërsjellë. Kur mërgata dhe atdheu ecin së bashku, kombi bëhet më i fortë, më i denjë dhe më i sigurt për të gjithë.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, janë angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për zhvillimin dhe avancimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Abetarja e njësuar shqipe, me të cilën fëmijët në Kosovë dhe në Shqipëri mësojnë shkronjat, tashmë përdoret edhe në procesin mësimor në diasporë. Gjithashtu, janë hartuar kurrikula të përbashkëta dhe tekste të reja për mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, të strukturuara në tri nivele.
Këto iniciativa synojnë të forcojnë dhe të zgjerojnë mësimin e gjuhës shqipe jashtë vendit, duke përfshirë krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm të shkollave shqiptare në diasporë, të mbështetura nga mësues të trajnuar dhe profesionistë nga Shqipëria, Kosova dhe vet diaspora.
Qëllimi është që brezat e rinj në diasporë të kenë mundësi të mësojnë dhe të përvetësojnë në mënyrë cilësore gjuhën shqipe, duke ruajtur aftësinë e komunikimit me atdheun dhe duke e përcjellë atë me krenari të lartë.
Përmes këtij procesi, fëmijët e diasporës do të njihen më mirë me traditat, vlerat, historinë dhe trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar, duke nderuar dhe ruajtur rrënjët e tyre kombëtare.
Sonte siç mund ta keni vërejtur nuk e kemi mes nesh ministrin e Arsimit, Hajrulla Çekun, andaj edhe unë fola kaq gjatë për fushë veprimtarinë e tij, e Hajra ndodhet në Brezovicë, në Seminarin XIX Mbarëkombëtar me Mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë, organizim i përbashkët i ministrive të Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë, një seminar i cili do të zgjasë tri ditë e ka filluar sonte.
Ky seminar, është një dëshmi se investimi në arsimin shqip nuk kufizohet vetëm brenda dy shteteve tona, por shtrihet gjithandej në mërgatë ku janë shqiptarët, ku fëmijët që mësojnë gjuhën amtare, edhe falë angazhimit e përkushtimit të mësuesve që punojnë fort për ta ruajtur e gjallëruar atë.
Krahas nismave që veçse kemi ndërmarrë, në mandatin tonë të ardhshëm do të shtojmë përpjekjet dhe programet të cilët e fuqizojnë pjesëmarrjen e mërgatës në vend.
Prodhimtaria do të jetë në fokus të katërvjeçarit të ardhshëm, andaj edhe investimet nga mërgata janë thirrja jonë e re. Jo sikurse para 30 viteve, sakrifikoni që të kontribuoni, por investoni që të fitoni.
Në Prizren, në Parkun e Inovacionit dhe Teknologjisë do ta zhvillojmë Qendrën e parë të Kosovës për hulumtim e zhvillim në fushën e energjisë, në bashkëpunim me partnerët gjermanë, akademinë dhe profesionistët nga mërgata jonë.
Nëpërmjet anëtarësimit në SEPA – Single European Payment Area, përveçse do të lehtësojmë transferimin e parave, do të kursehen rreth 60 milionë euro në vit nga ulja e kostos së transfereve për paratë që dërgohen në Kosovë.
Do t’i digjitalizojmë plotësisht shërbimet konsullore. Për shumicën e shërbimeve administrative, nuk do të ketë më nevojë të paraqiteni patjetër fizikisht në konsullata dhe në ambasada.
Ne ju falënderojmë nga zemra për gjithë rolin e kontributin tuaj për mbështetjen e pakursyer e të parezervë që na e keni dhënë në të gjitha fazat e zhvillimit tonë edhe si subjekt politik, e në veçanti si Qeveri e Republikës, dhe mësimi më i madh që kemi marrë nga ju është që diaspora është ajo e cila ka dhënë udhëzimin më të vlefshëm për rrugën përpara. Ta zëvendësojmë dhembshurinë për veten tonë individuale a familjare me dhembshurinë për atdheun tonë të përbashkët, në mënyrë që ta përparojmë sa më shumë e sa më shpejtë dhe ai të ketë sa më pak dhembje brezi ynë dhe brezat që do të vijnë pas nesh.
Kurrë nuk e harrojmë që ju ndonëse jeni jashtë atdheut jeni brenda kombit, prandaj ne llogarisim në ju dhe ju llogaritni gjithashtu fort në ne.
Unë ju dëshiroj sonte një mbrëmje të këndshme që të keni edhe njoftime të reja, t’i gjallëroni ato të vjetrat dhe pse jo në katërvjeçarin e ardhshëm të bëjmë edhe shumë gjëra të mëdha e të mira, të cilat as si paramendojmë dot sot, ashtu siç në katërvjeçarin e kaluar kemi bërë gjëra të mëdha e të mira, të cilat nuk janë paramenduar para pesë vjetëve.
Faleminderit shumë, e ju faleminderit që keni ardhë sonte në këtë mbrëmje të Ballkonit të Hapur, që tashmë e kemi bërë tradicional me bashkatdhetarët tanë.