Fjala e Kryeministrit në detyrë Kurti në hapjen e ekspozitës “ Still Running” të Xhevdet Xhafës

Prishtinë, 10 shtator 2026

I nderuar profesor Xhevdet Xhafa,
E nderuara familja Xhafa,
E nderuar ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci dhe zëvendësministre Tijana Veljkovic,
Të dashur artistë, kuratorë, punonjës të kulturës, artdashës dhe qytetarë,
Të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi dhe nder i veçantë që jemi bashkë këtu sonte, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në këtë mbrëmje që i kushtohet njërit prej emrave më të rëndësishëm dhe më të veçantë të artit pamor në Kosovë, Xhevdet Xhafës.

Kjo është ekspozitë që na jep mundësinë të ndalemi, të shohim dhe të reflektojmë mbi një jetë të tërë kushtuar artit. Shtatë dekada krijimtari janë shumë më tepër se një periudhë kohore. Ato janë shtatë dekada të historisë sonë, të ndryshimeve shoqërore, kulturore e politike, të përpjekjeve të panumërta e transformimeve të mëdha që ka kaluar vendi ynë Kosova. Dhe përgjatë gjithë këtyre viteve, Xhafa ka qenë dëshmitar, por edhe krijues aktiv i kësaj historie. Vepra e tij është pjesë e kujtesës sonë kulturore. Është pjesë e rrugëtimit të artit pamor në Kosovë dhe një konfirmim i fuqisë që ka arti për të tejkaluar kohën, rrethanat dhe kufijtë.
Profesor Xhafa është nga ata artistë që nuk e kanë parë artin vetëm si shprehje krijuese për një vepër, por si një mënyrë për të menduar, për të komunikuar dhe për t’i dhënë kuptim kohës në të cilën kanë jetuar. Për këtë arsye, kjo ekspozitë është një mundësi e jashtëzakonshme, posaçërisht për brezat e rinj.

Përmes veprave të tij, ata mund ta njohin një artist të madh shqiptar dhe një pjesë të historisë së artit të Kosovës. Sonte, ne nuk po shohim vetëm punë të krijuara gjatë shtatë dekadave. Po shohim një jetë të tërë kërkimi, eksperimentimi, këmbënguljeje dhe përkushtimi. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e një artisti: në aftësinë për të vazhduar të kërkojë, të ndryshojë dhe të krijojë, pa e humbur identitetin e vet artistik. Ju jeni pjesë e një gjenerate që i dha artit të Kosovës një identitet të fuqishëm dhe një zë të dallueshëm. Kontributi i juaj përveçse me numrin e veprave të krijuara, matet me ndikimin që ka pasur në zhvillimin e kulturës dhe të mendimit artistik në vendin tonë.

Shijet tona janë të tilla çfarë janë edhe për shkak të Xhafës. Faleminderit shumë profesor.
E sonte është edhe një moment i veçantë për Galerinë Kombëtare të Kosovës. Pas një periudhe të gjatë pune, përkushtimi dhe transformimi, rikthimi i këtij institucioni në jetën kulturore të vendit merr një domethënie të posaçme pikërisht përmes një ekspozite të këtillë. Institucionet kulturore nuk janë vetëm ndërtesa. Ato janë hapësira ku ruhet kujtesa, ku prezantohet krijimtaria dhe ku ndërtohet dialogu ndërmjet brezave. Galeria Kombëtare e Kosovës ka përgjegjësinë që këtë trashëgimi ta ruajë, ta promovojë dhe ta bëjë të qasshme për publikun, por edhe ta prezantojë artin e Kosovës në botë. Andaj, hapja e kësaj ekspozite është një moment i rëndësishëm edhe për vetë institucionin.

Dua të shpreh mirënjohjen time për familjen Xhafa, e cila ka dhënë një kontribut kaq të cmueshëm në realizimin dhe kurimin e kësaj ekspozite. Është një shembull i bukur se si familja, institucioni dhe komuniteti artistik mund të bashkohen për të ruajtur dhe përcjellë një trashëgimi të çmuar.

E ju po i shihni edhe vetë e i njihni mirë porsi unë, krijimtaria artistike e këtyre bashkë në krye me Xhafën është aq e madhe saqë vështirë se e zë kjo Galeria jonë Kombëtare.
Por sonte, mbi të gjitha, është nata e Xhevdet Xhafës.

Profesor, keni kaluar pjesën më të madhe të jetës suaj në shërbim të artit. Keni krijuar në kohë të ndryshme, përballë sfidave të ndryshme, por gjithmonë me pasion të paepur ndaj krijimtarisë.
Kjo ekspozitë është edhe një shprehje mirënjohjeje për atë që keni krijuar, për atë që keni përcjellë ndër breza, për ndikimin tuaj në artin e Kosovës dhe për gjurmën që keni lënë në kulturën tonë.

Është detyrë e një shoqërie që artistët e saj t’i nderojë sa janë mes nesh. Dua që me këtë rast të theksoj që njohja e vlerës dhe e meritës, por edhe ruajtja e veprës për gjeneratat që vijnë është detyrë e secilit qytetarë, e posaçërisht e secilit zyrtarë. Sepse një vepër e madhe artistike nuk i përket vetëm kohës kur krijohet. Ajo i përket edhe së ardhmes. Jam i bindur që veprat e tuaja do të vazhdojnë të flasin edhe për shumë breza pas neve.

Le ta shohim, pra, këtë ekspozitë të gjithë, jo vetëm si një retrospektivë të një karriere të jashtëzakonshme, por si një takim me historinë tonë artistike, me kujtesën tonë shoqërore dhe me një pjesë të identitetit kulturor dhe estetik të Kosovës.

Profesor Xhafa, ju falënderoj për gjithçka që i keni dhënë artit tonë. Ju uroj shëndet e mbarësi, jetë të gjatë përtej një shekulli dhe që kjo ekspozitë të jetë edhe një dëshmi se puna e një artisti të madh nuk mbyllet me kohën – ajo vazhdon të jetojë në veprat e tij dhe në zemrat tona, në zemrat e publikut.

Faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors