Fjala e Kryeministrit në detyrë Kurti në Akademinë Përkujtimore, në shënim të 100-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Metush Krasniqi

Kamenicë, 19 gusht 2026

E nderuara familje Krasniqi,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit, invalidë të luftës çlirimtare, veteranë të UÇK-së,
I nderuar kryetar i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj,
I nderuari kryetar i Shoqatës së ish- të Burgosurve Politik, Shefik Sadiku,
I nderuari deputet Shaip Kamberi,
E nderuara rektore e Universiteti Publik në Gjilan “Kadri Zeka”, Fitore Mala,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të pushtetit lokal,
Të nderuar oficerë, policë e ushtarë të Kosovës,
Të nderuar bashkëveprimtarë, ish-të burgosur politik nga të gjitha trojet dhe të të gjitha periudhave,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Të gjithë ata të cilët e kanë njohur Metush Krasniqin dhe që kanë vepruar bashkë me të, gjithmonë e theksojnë rolin e tij përbashkues që e ka luajtur mes shokëve, mes grupeve dhe qarqeve të ndryshme të aktivistëve politikë të kohës së tij. E kjo veti e Metush Krasniqit, e afrimit dhe e bashkimit të njerëzve, duket sikur është bërë pjesë edhe e figurës së tij, meqë Metush Krasniqi po vazhdon të na përbashkoj edhe katër dekada pas vdekjes së tij. Sepse ashtu siç më 26 nëntor të vitit 2024, ishim këtu në Kamenicë për përurimin e shtatores së Metush Krasniqit, sot jemi rikthyer për t’ia kujtuar jetën por sidomos veprën politike, në 40-vjetorin e vdekjes së tij.

Nëse do të na duhej të gjenim disa fjalë kyçe për historinë politike të Kosovës, besoj që pashmangshëm mes tyre do të duhej ta listonim edhe fjalën “burg”. Kjo meqë historia politike e Kosovës gjatë shek. XX, është e lidhur pashqitshëm me dhjetëra burgje në Kosovë dhe gjithandej nëpër Jugosllavi, ku mijëra aktivistë politikë shqiptarë, kaluan gjithsej dhjetëra mijëra vite si të burgosur për shkak të bindjeve e veprimtarive të tyre politike. Përveç mijëra dëshmorëve dhe martirëve, të vrarë nga regjimet shtypëse të Jugosllavisë së dominuar nga Serbia, shqiptarët e kanë paguar çlirimin e Kosovës edhe me shumë vite jetësh personale të kaluara nëpër burgje, mes torturash, dhunës, urisë, të ftohtit, sëmundjeve dhe përballjes me vdekjen.

E nëse në regjistrin e fjalëve kyçe për historinë politike të Kosovës, pas fjalës “burg”, vendosim të shtojmë edhe emra të përveçëm, njëri prej tyre padyshim që do të ishte edhe emri i Metush Krasniqit. Do të ishte sepse pas Adem Demaçit, por edhe bashkë me Bacin Adem, Metush Krasniqi rezulton të ketë qenë një nga aktivistët politikë me vetëdijen më të kulluar politike, me vizionin më të qartë për çështjen kombëtare të shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi dhe me veprimtarinë më të shumanshme për çlirimin e trojeve të banuara me shqiptarë nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.

Me bashkëveprimtarët e Metush Krasniqit që sot i kemi këtu bashkë me ne dhe me ekspozitën dokumentare të përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës e me dokumentarin televiziv kushtuar Metush Krasniqit, natyrisht që nuk kemi se çfarë tu shtojmë të dhënave biografike për të.

Por si Kryeministër i Republikës së Kosovës, do të doja të ndalem veçanërisht te disa fraza politike të shprehura nga Metush Krasniqi dhe të tjera të cilat lidhen me të.

Teksa e gjurmojmë dhe e gjykojmë historinë e para gjysmë shekulli nga koha e sotme, ne jemi në një pozicion komod, për t’i lexuar dhe vlerësuar drejtë ngjarjet e asaj kohe. Por, të lexuara me syrin e sotëm fjalët dhe veprat e para gjysmë shekulli e tutje të tij, duket aq mbresëlënëse kthjelltësia e asokohshme e Metush Krasniqit për t’i parë aq qartë zhvillimet kur ai jetoi dhe aftësia e tij për t’u pozicionuar dhe për t’i artikuluar aq saktë ato, në formulime frazash dhe ndërmarrje veprimesh me peshë historike.

Në kulmin e periudhës së dhunës shtetërore të ushtruar nga Aleksandër Rankoviqi në Kosovë, më 1957, Metush Krasniqi së bashku me Sejdi Kryeziun, Mark Gashin, Xhemajl Kallabën dhe Mehmet Ajetin, e themeluan organizatën e fshehtë të quajtur Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë. Me atë rast, pas betimin solemn mbi flamur kombëtar, Metush Krasniqi kishte mbajtur një referat ku kishte thënë: “Shqiptarëve në Kosovë po u shkelën të drejtat kombëtare. Ata nuk janë të barabartë me popujt e tjerë që e formojnë Jugosllavinë. Pushtetarët shqiptarë që janë në funksione të ndryshme nuk janë përfaqësuesit e denjë të popullit.” Qysh në atë kohë, pra më 1957, Metush Krasniqi bashkë me ushtarakun Bardh Gashi, e skicuan themelimin e një ushtrie çlirimtare për trevat shqiptare nën Jugosllavi. Por, siç e dimë, do të duhej të kalonin më shumë se 3 dekada të tjera që kjo ide të jetësohej te Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Një vit pas, në qershor të vitit 1958, nga qyteti i Shkupit ku ishte zhvendosur, Metush Krasniqi me shokët e tij, hartuan dhe lëshuan një proklamatë në të cilën shkruhej, me sa vijon:

“Thirren gjithë populli Kosovar, që të ngriheni kundra regjimit barbar jugosllav, për bashkimin e Kosovës me Shqipni. T’i napim grushtin dërmues kastës burokratike dhe Titiste. Vllazën Kosovar qohi në luftë kundra jetës skllavëruese. Këndoni këngën çlirimtare, le të valojë Flamuri i lavdishëm; tregoni botës se një popull krenar nuk jeton në robëri.

Bashkim – Liri Kosovë – Shqipni”

Kjo thirrje e tij e Metush Krasniqit e lëshuar në fillimverën e vitit 1958, do të përkthehej në kushtrim për tërë Kosovën në fundvitet ’90, kur populli i Kosovës, vërtetë i dëshmoi botës vendosmërinë e tij për të mos jetuar në robëri dhe forcën e rezistencës së tij për liri. Pas pak muajsh, më 3 nëntor 1958, Metush Krasniqi u arrestua dhe u burgos. Në një proces gjyqësor që u zhvillua në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, nga 1 deri më 7 mars të vitit 1959, Metush Krasniqi bëri një deklaratë që sot mund të lexohet si një analizë kirurgjike e politikave të regjimit jugosllav ndaj shqiptarëve dhe e gjendjes së Kosovës në atë kohë:

“E para, nga pushteti jugosllav Kosova shfrytëzohet mizorisht, populli shqiptar trajtohet sikur në Jugosllavinë e Krajlit, nuk i gëzon të drejtat më elementare në asnjë segment të jetës, si në punësim, në administratë, në shëndetësi, në arsim, në kulturë etj. E dyta, nga pushteti “popullor” i Jugosllavisë së Titos nuk iu ka hequr dhuna popullit shqiptar. Unë e shtroj pyetjen, sa shqiptarë janë ekzekutuar pa gjyq prej nëntorit të vitit 1944 e deri sot? Sa vrasje ndodhën në emër të “armiqve” të shtetit? Me dhjetëra mijëra shqiptarë… Mund të jenë edhe më shumë se 20 mijë në gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi. E treta, aksioni i armëve u zhvillua vetëm në Kosovë për t’i çarmatosur shqiptarët. Pse i njëjti aksion nuk u zhvillua edhe në republikat tjera? Pse kjo dhunë dhe këto vdekje të dhunshme të shqiptarëve? Pse një pushkë është shitur me dhjetëra herë? Pse shqiptarët i nënshtroheshin atij terrori në emër të Partisë Komuniste të Jugosllavisë?”.

Në deklaratë të përmbledhur, në këtë paragraf që porsa lexova, kemi një analizë politike dhe qëndrim politik, me të dhëna të mbështetura, me akuza të adresuara dhe me teza të mirartikuluara brenda tyre. Lexojmë fjalët e një njeriu i cili besonte thellësisht te barazia dhe i cili shpresonte te liria, duke u angazhuar për të.

Nëntë vite më pas, Metush Krasniqi ishte sërish në krye të detyrës, si ideator i demonstratave të vitit 1968, kurse nëntë vite të tjera më pas, më 1974, ai rolin e pritur prej tij, kur në shtëpi të vet në fshatin Dajkoc, më 2, 3 dhe 4 qershor, e vazhdon pikërisht duke u dakorduar me bacin Adem Demaçi që dallimet të cilat i kishin grupet dhe organizatat e ndryshme politike përkarshi ideologjisë dhe regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, të anashkaloheshin në rrugëtimin e përbashkët për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë.

Kohërat kaluan dhe rrokullitë e ngjarjeve i shtresuan shumë zhvillime mbi njëra tjetrën, nga Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë më 1957, te Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi, më 1977. Ndërmjet këtyre, shumë arrestime dhe vite të tëra të kaluara në burgje në Gjilan, në Nish, në Mitrovicë e në Prishtinë. Deri te torturat e fundit të cilat zgjatën nga 4 nëntori i vitit 1985 deri më 17 qershor 1986, të cilat edhe rezultuan fatale për Metush Krasniqin.

Një jetë njerëzore që në gjithë shtrirjen e saj është e përshkuar anë e tej nga aktivitetet dhe angazhimi për lirinë e popullit të tij. Një subjekt i mirëfilltë që me këmbë në tokë e bën historinë e atdheut të vet, duke e hedhur veten në ujërat e zhvillimeve të kohës, përtej kushteve dhe mundësive, me një qëllim të vetëm: lirinë e Kosovës dhe afirmimin e vullnetit politik të popullit të saj.

Andaj lavdi Metush Krasniqit, për gjithë çfarë ka bërë dhe ka përjetuar për lirinë e Kosovës të cilën ne e jetojmë dhe e gëzojmë së bashku!

Ju faleminderit për organizimin dhe vëmendjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors