Fjala e Kryeministrit Kurti në tryezën e dialogut ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne: virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?”

Prishtinë, 16 prill 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e dialogut ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Zef Gashi, president i Fondacionit “Drita”,
Të nderuar udhëheqës fetar, Ipeshkv Dodë Gjergji, Myfti Naim Tërnava, Pastor Artur Krasniqi, Igumen Andrej Sajc,
I nderuar Kardinal z. Ladislav Nemet,
I nderuar arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuar përfaqësues institucional dhe partnerë ndërkombëtarë,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar që jam sot në mesin tuaj, në një tryezë të bashkëbisedimit ndërfetar. Kjo është një mënyrë tejet e rëndësishme për të kuptuar, për të mirëkuptuar njëri-tjetrin, por edhe vetveten secili prej nesh.

Dëshiroj të falënderoj organizatorët për ftesën dhe për angazhimin në mbledhjen e aktorëve dhe institucioneve kyçe – nga komunitetet fetare deri te përfaqësuesit institucionalë dhe partnerët ndërkombëtarë – në funksion të forcimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit për avancimin e diversitetit dhe të mirëkuptimit të ndërsjellët.

Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara në vitet e fundit – si rezultat i pandemisë globale, konflikteve të përgjakshme, problemeve mjedisore dhe krizave energjetike dhe ekonomike – po bëhemi gjithnjë e më të vetëdijshëm, e më të përgjegjshëm, për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkërendimit ndërmjet vendeve dhe institucioneve në adresimin e sfidave të shoqërive në këto kohëra të ndryshimeve të mëdha globale.

E liria fetare padyshim që mbetet një nga të drejtat themelore universale të njeriut, si bazë e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse, që gjithnjë do të na ndihmoj që t’i tejkalojmë vështirësitë sa më kollaj e sa më shpejt. Në të njëjtën kohë edhe trashëgimia kulturore dhe fetare përfaqëson një pasuri të përbashkët që i lidh komunitetet, forcon identitetin dhe nxit mirëkuptimin e ndërsjellët. Prandaj, politikat tona synojnë që ta mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe ta vënë atë në shërbim të paqes, bashkëjetesës dhe zhvillimit shoqëror, gjithnjë duke respektuar e zbatuar lirinë fetare si e drejtë elementare njerëzore.

Në Kosovë, bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne, por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. Ajo mbetet një vlerë themelore e shoqërisë sonë, e cila ka kontribuuar në ruajtjen e kohezionit dhe të stabilitetit, duke dëshmuar që diversiteti apo llojllojshmëria nuk është burim ndarjeje, por pasuri e përbashkët që duhet ruajtur dhe kultivuar për brezat të cilët vijnë pas nesh.

Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave kulturore dhe fetare në gjithë vendin tonë për të gjitha komunitetet, pa përjashtuar asnjë qytetar. Janë restauruar dhe vazhdojnë të restaurohen xhami, hamame, teqe, kisha katolike dhe ortodokse, qendra kulturore hebraike – si dhe monumente të tjera me vlerë historike, duke u kthyer në hapësira të gjalla të kujtesës, besimit dhe dialogut ndërmjet komuniteteve. Aty ku njerëzit bëhen bashkë, aty, ata do ta kenë gjithmonë pranë qeverinë.

Po ashtu, janë ndërmarrë masa të vazhdueshme për funksionalizimin e këtyre objekteve në mënyrë që ato t’u shërbejnë besimtarëve dhe komunitetit të gjerë, duke forcuar njëkohësisht komunikimin dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë. Besoj që e keni vërejtur që po them bashkëjetesë e jo tolerancë, për shkak se ne jemi përtej tolerancës, jemi te bashkekzistenca, jemi te bashkëveprimi, te bashkëpunimi, te bashkërendimi, pra jemi të bashkëjetesa e komuniteteve fetare të ndryshme.

E këto angazhime pasqyrojnë përkushtimin tonë që trashëgimia fetare të mbetet një urë lidhëse e dialogut, respektit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve.

Në Republikën e Kosovës, diversiteti kulturor dhe fetar mbetet një ndër shtyllat themelore të shtetit tonë demokratik dhe gjithëpërfshirës. Kontributi i të gjitha komuniteteve fetare në jetën shoqërore, arsimore, kulturore është i çmuar dhe përbën pjesë të rëndësishme të zhvillimit e të përparimit tonë të përbashkët.

Në përputhje me temën e kësaj tryeze – “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne: virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore?” – besoj se përgjigjja qëndron në vet pyetjen, në ndërthurjen e këtyre dyjave. Ajo është një virtyt që buron nga lart, por njëkohësisht edhe një domosdoshmëri nga poshtë, për paqen dhe zhvillimin e shoqërive tona.

Në këtë frymë, komunitetet fetare në Kosovë mbeten partnerë të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një të ardhme, e cila bazohet në besim, respekt dhe harmoni për shoqëri të qëndrueshme.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors