Prishtinë, 22 prill 2026
E nderuara znj. Atifete Jahjaga, ish-presidente e Republikës së Kosovës,
I nderuar ministër i Tregtisë i Republikës së Turqisë, z. Ömer Bolat,
I nderuar ambasador i Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës, z. Sabri Tunç Angılı,
I nderuar zëvendëskryeministër, z. Fikrim Damka,
I nderuar z. Özkan Ulutaş, komandant i KFOR-it,
Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit turk në Kosovë,
Të nderuar mysafirë nga Maqedonia e Veriut,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Është kënaqësi dhe nder i veçantë të jemi sot së bashku për të shënuar Ditën Kombëtare të Turqve në Kosovë. Prandaj prania juaj, z. Ministër, si dhe gjithë mysafirëve të nderuar, dëshmon qartë thellësinë e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe lidhjet historike, kulturore dhe njerëzore që i bashkojnë popujt tanë.
Komuniteti turk në Kosovë është pjesë përbërëse e zhvillimit të shtetit tonë demokratik. Përmes pjesëmarrjes së tij të vazhdueshme në institucionet publike, në sistemin arsimor, në jetën kulturore dhe në zhvillimin ekonomik, ai kontribuon në mënyrë domethënëse në forcimin e kohezionit shoqëror. Afirmimi dhe ruajtja e identitetit të komunitetit turk përbëjnë një vlerë të rëndësishme të Republikës së Kosovës, në përputhje të plotë me parimet kushtetuese të barazisë dhe të përfshirjes, duke reflektuar vizionin tonë për një shtet gjithëpërfshirës, ku çdo qytetar gëzon barazi të plotë.
Përfaqësimi i komunitetit turk në nivelet më të larta të qeverisjes, përfshirë pozitën e Zëvendëskryeministrit, është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë.
Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe turqve nuk kufizohen në dimensionin historik, por shtrihen në një hapësirë të përbashkët kulturore, intelektuale dhe shpirtërore. Figura si Sami Frashëri, Mehmet Akif Ersoy dhe shumë personalitete të tjera të periudhave të ndryshme historike dhe bashkëkohore, përfaqësojnë një dëshmi të gjallë të këtij ndërveprimi të thellë dhe një trashëgim që është e përbashkët e vazhdon të ndikojë në formësimin e identiteteve tona.
Në të njëjtën kohë, roli i komunitetit shqiptar në Turqi mbetet i rëndësishëm dhe ky komunitet ka dhënë kontribut të çmuar në ndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Turqisë dhe vazhdon të jetë një faktor aktiv në jetën shoqërore, kulturore dhe ekonomike të saj. Së bashku me komunitetin turk në Kosovë, këto dy realitete përbëjnë ura të qëndrueshme njerëzore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve tona.
Angazhimi i Republikës së Kosovës për mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave të të gjitha komuniteteve reflektohet qartë në statusin e gjuhës turke në sistemin tonë arsimor dhe institucional. Arsimi në gjuhën turke ofrohet nga niveli parashkollor deri në atë universitar, duke dëshmuar një standard të avancuar të mbrojtjes së diversitetit gjuhësor dhe kulturor, përtej kornizave ndërkombëtare relevante.
Një dëshmi e veçantë e afërsisë sonë ishte edhe ndeshja e fundit e futbollit ndërmjet dy vendeve tona. Ne ndamë momente gëzimi së bashku para dhe pas ndeshjes; gjatë saj garuam si kundërshtarë, por gjithmonë me respekt dhe sportivitet. Ky është një mesazh i qartë: mund të përballemi në fushë, por mbetemi miq të ngushtë jashtë saj. Edhe pse këtë herë nuk arritëm të kualifikohemi në Kupën e Botës, ne, si miq të dëshmuar, i urojmë kombëtares turke suksese të mëdha.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Detyra jonë e përbashkët është të thellojmë më tej këto lidhje dhe t’i shndërrojmë ato në bashkëpunim të qëndrueshëm strategjik. Në këtë drejtim, jemi të përkushtuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona. Organizimi i Forumit Ekonomik në Prishtinë gjatë këtij viti do të shërbejë si një platformë konkrete për afrimin e bizneseve, nxitjen e investimeve dhe thellimin e partneritetit ekonomik.
Po ashtu, synojmë të forcojmë lidhjet tona ndërkombëtare përmes hapjes së një linje të re ajrore nga Turkish Airlines, e cila do të lidhë Kosovën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kontribuar në rritjen e ndërlidhjes sonë globale dhe ekonomike. Në veçanti, e mirëpres angazhimin e Ministrit të Tregtisë, z. Bolat, që kjo të realizohet sa më shpejtë.
Në fushën e arsimit dhe të bashkëpunimit akademik, synojmë të avancojmë më tej shkëmbimet institucionale, përfshirë hapjen e katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Stambollit. Ky hap do të kontribuojë në formimin e gjeneratave të reja të mësuesve të gjuhës shqipe për komunitetin tonë në Turqi, duke ruajtur gjuhën dhe identitetin kulturor në një frymë të ngjashme me atë që gëzon komuniteti turk në Kosovë. Njëkohësisht, synojmë edhe hapjen e një dege të një universiteti teknik turk në Kosovë, me qëllim forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, si dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe bashkëpunim të avancuar akademik e shkencor ndërmjet dy vendeve tona.
Republika e Turqisë mbetet një partner strategjik i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Mbështetja e saj e vazhdueshme përbën një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe. Në këtë frymë, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe për Qeverinë e Republikës së Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të çmuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
23 Prilli, përkon gjithashtu edhe me një moment historik për Republikën e Turqisë – themelimin e Kuvendit Kombëtar në vitin 1920, që shënohet si Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Dita e Fëmijëve. Me këtë rast, përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë të rëndësishme.
Ne mbetemi të përkushtuar të ndërtojmë një Kosovë demokratike, gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar është i barabartë dhe ku bashkëjetesa është parim.
Gëzuar Ditën Kombëtare të Turqve të Kosovës!
Ju faleminderit! Teşekkürler!