Prishtinë, 6 tetor 20026
Të nderuar gazetarë,
Të dashur qytetarë,
Mirë se po takohemi sërish sot.
Partia Demokratike e Kosovës e refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim profesor Bekim Sejdiun, e unë besoj që në rast të përgjigjes së tyre pozitive profesor Bekimi do të rikthehej. Përveç tij, natyrisht i kemi edhe dy emra, të cilët në këtë vit i kemi prezantuar si kandidat për president, Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, e të cilët po ashtu janë aktual nëse ka interesim nga opozita.
Të nderuar gazetarë,
Propozimi ynë më i ri është ky: meqë nuk po mund të arrijë ta takojë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, le të del publikisht, sonte, dhe të zotohet që i gjithë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës merr pjesë me votë në zgjedhjen për President dhe ne pas zotimit të tyre menjëherë po ua votojmë edhe leximin e dytë, nëse ata mendojnë që nuk përbën problem mos respektimi i afatit 72 orësh ndërmjet dy leximeve.
Pra, ne ua votojmë Projektligjin për Gjykatë Speciale paraprakisht, e mandej sonte menjëherë votimi për President, Glauku ose Feridja.
Pra një seancë Kuvendi, sonte, me dy pika. Votimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale në lexim të dytë dhe zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. Pas kësaj çfarë thash unë, pres që kryetari i PDK-së Bedri Hamza, të cilin nuk po arrijë ta takoj, të dal publikisht porsi unë dhe të thotë që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës që të gjithë votojnë sonte për President, Glauku ose Feridja, PËR, KUNDËR ose ABSTENIM, dhe pas një deklarimi të tillë të tij ne e thërrasim me 40 nënshkrime seancën sonte me dy pika të rendit të ditës, leximi i dytë i Projektligjit për Gjykatën Speciale dhe votimi për President të ri të Republikës.
Çka po ua merr mendja?!

