Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e tretë të Qeverisë

Prishtinë, 30 shtator 2026

Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të Qeverisë dhe ju të mediave,
Të dashur qytetarë,

Mirë se po takohemi në mbledhjen e tretë të Qeverisë së re, përkatësisht përbërjes së njëjtë me mandat të ripërtërirë.

Mbrëmë, në Zyrën e Kryeministrit, përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, arritën marrëveshjen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi. Një hap i rëndësishëm ky i bashkimit me synim arritjen e një rezultati që këtë marrëveshje mund ta bëjë historike për shqiptarët e Luginës dhe jo vetëm, në përpjekjet kundër diskriminimit e përjashtimit, sikurse edhe kundër spastrimit etnik administrativ.

Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Të gjithë e dimë për asimetrinë e të drejtave që është padrejtësi eklatante. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 ulëse nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Republikës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse. Përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë si në Kosovë ashtu edhe në fqinjin tonë verior, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat.

Gjithsesi, kjo është një nismë e rëndësishme mbi të cilën duhet ndërtuar me besim të ndërsjellë dhe me shumë punë e përkushtim.

Të dashur qytetarë,

Mbrëmjen e së enjtes së 24 shtatorit, unë u ktheva nga vizita disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ishte vizitë e dendur, përplot takime me liderë e zyrtarë të lartë shtetesh mike të vendit tonë, sikurse edhe me drejtues të institucioneve ndërkombëtare, por natyrisht edhe me mërgatën tonë të çmuar në New York.

Ngritëm një sërë temash e diskutimesh, përfshirë aktgjykimin e padrejtë në Hagë, të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët për herë të parë ishin pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës, sikurse biseduam edhe për ekonomi e për zhvillim, për siguri e për mbrojtje, e për të ardhmen tonë euro-atlantike.

Në secilin takim në New York, unë shpreha shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, i cili është i padrejtë juridikisht e moralisht dhe i pasaktë historikisht e faktikisht. Është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi.

Të dashur qytetarë,

Të dielën, kam zhvilluar takime të ndara me kryetarët e Parisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkatësisht me zotërinjtë, Bedri Hamza dhe Lumir Adbixhiku, për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit, por edhe për sfidat, të cilat na presin përpara në aspektin institucional, politik e shtetëror. Deklarata e miratuar me 99 vota PËR në Kuvendin e Republikës, është hapi i parë i përbashkët, që më shumë se sa që krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Andaj, mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar, teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare, për këtë çështje të interesit shtetëror, duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse, sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoreshin si rëndesë ose në dëm të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të bëjmë gjithë çfarë dimë e mundemi bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli e drejt tij.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë të popullit.

Të nderuar kolegë,
Të dashur qytetarë,

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili prodhoi një normë të re kushtetuese lidhur me rrjedhjen e afatit për zgjedhjen e presidentin ose presidentes, na vë përpara një situate urgjente për veprim.

Ne kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por e dimë që ajo u shkel e braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre.

Para nesh, pos sot, kemi edhe gjashtë ditë të plota për t’i dhënë vendit President ose Presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja, të përsëritura, të panevojshme, të kushtueshme e me pasoja të rënda, gjithsesi se janë të shmangshme.

Andaj, le të ulemi bashkë, sepse zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato përveçse pa Kuvend edhe njëherë, këtë herë do na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit, ndërkaq Qeveria do të mbetej në detyrë.

Më lejoni që të citoj pikën e tretë të Deklaratës, që u votua me 99 vota PËR, pardje: “Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”.

Qytetarët presin prej nesh më shumë përgjegjësi, ndërsa kanë nevojë për institucionet që vazhdojnë punën, për ekonomi që vazhdon të rritet, për projekte që ecin përpara, ndërsa Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme. Duhet ta kuptojmë qartë, nuk kemi nevojë që të shkojmë pandërprerë e panumër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë.

Me këtë deklaratë, ne kemi hapur një kapitull të ri, të bashkëveprimit e bashkërendimit të brendshëm. Por, secili proces zgjedhor është një kontekst i ri mbi të cilin duhet të reflektojmë, e kësaj here nuk do të prodhohej ndonjë rezultat ndryshe, por i kemi rrethanat e reja që kërkojnë përgjegjësi më të madhe shtetërore. Në rrethana të reja, shteti ynë, më së paku do të duhej të kishte mbi qafë kërcënimin e zgjedhjeve të reja. Përkundrazi, vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional, ashtu që të ketë mundësinë e marrjes së përgjegjësive që ka përpara, me detyra e funksione të shumta, krijimit të një strategjie të përbashkët shtetërore, si dhe mbrojtjen juridike ashtu edhe përballjen diplomatike ta kemi të suksesshme, pra triumfuese nëpër botë.

Në mbledhjen e kaluar, të premten, kemi pasur 26 pika të rendit të ditës. Sot i kemi 35 sosh, andaj pa humbur kohë, le të vazhdojmë trajtimin e tyre një nga një.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors